Abuzimet me fondet, AMSHC dha
141 mijë euro për bordin drejtues

Abuzimet me fondet, AMSHC dha<br />141 mijë euro për bordin drejtues
TIRANE- Një hetim gazetaresk nga Balkan Insight zbulon se katër ish-anëtarë bordi të Agjencisë së Mbështetjes së Shoqërisë Civile (AMSHC) u dhanë grante pesë organizatave, me të cilat kishin lidhje drejtpërsëdrejti apo përmes familjarëve të tyre gjatë kohës që qenë në detyrë. Të pesë organizatat, të cilat morën 19.9 milionë lekë (141 mijë euro) grante nga agjencia mes viteve 2010 dhe 2013, janë Këshilli Rinor Shqiptar, Transparency International Albania, Qendra Akses, Qendra UET dhe Fondacioni për Liri Ekonomike. Një organizatë tjetër e lidhur me stafin e AMSHC, JEF Albania, mori gjithashtu para nga agjencia.

“Organizatat fituese në të shkuarën qenë të gjitha organizata me lidhje të drejtpërdrejtë apo indirekte me njerëz brenda agjencisë, të cilët përcaktonin fituesit,” thotë Gledis Gjipali, kreu i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, një institucion kërkimor në Tiranë. “Ky është një konflikt i hapur interesi, i cili më shtyu mua të mos aplikoj atje,” shtoi ai.

Themeluar në dhjetor 2009, AMSHC synonte të rriste financimet për OJF-të vendëse në një kohë kur donatorët ndërkombëtarë po tërhiqeshin nga Shqipëria dhe rajoni. Që kur lëshoi thirrjen e parë për grante në mars 2010, agjencia ka shpërndarë më shumë se 2.1 milionë euro. Anëtarët e bordit që përfituan grante nga AMSHC mes viteve 2010 dhe 2013 përfshijnë Lutfi Dervishin, drejtor të Transparency International Albania dhe Henri Çilin, themelues i Qendrës UET dhe Fondacionit për Liri Ekonomike.

Të dhënat e AMSHC tregojnë se TIA mori dy grante nga agjencia me total prej 3.79 milionë lekësh (27 mijë eurosh). Çili, publikues i gazetës së përditshme MAPO dhe pronar i Universitetit Europian të Tiranës, me të cilat janë të lidhura të dyja OJF-të e tij, refuzoi të komentojë. Fondacioni për Liri Ekonomike dhe Qendra UET morën 4.2 milionë lekë (30 mijë euro) në total nga AMSHC. Altin Goxhaj, një aktivist i mbrojtjes së konsumatorëve dhe ish anëtar bordi i agjencisë, qe ish-drejtor ekzekutiv i Këshillit Rinor Shqiptar, i cili mori 6.79 milionë lekë (48 mijë euro) nga AMSHC në thirrjen e parë në vitin 2010, ndërsa ai qe anëtar bordi. Goxhaj nuk iu përgjigj kërkesave nga Balkan Insight për komente.

Kurse Qendra Akses, drejtuar nga Marjana Papa, motra e ish-anëtares së bordit Helena Papa, mori 6 milionë lekë (42 mijë euro) nga AMSHC. Young European Federalists, JEF Albania, një organizatë e drejtuar më herët nga Endrit Pollo, një specialist finance te AMSHC, mori gjithashtu 3.7 milionë lekë (27 mijë euro) në grante nga agjencia.

Këshilli Rinor Shqiptar, më herët i drejtuar nga anëtari i bordit Altin Goxhaj dhe OJF-ja e dytë më e financuar nga AMSHC, nuk ka faqe interneti. Sipas një buletini të publikuar më 2012, organizata ka zbatuar pothuajse dy dyzina projektesh nga donatorë të ndryshëm që kur është themeluar më 1994. Në internet, organizata ka një faqe interneti për projekt, (projektiqytetar.org), financuar nga Banka Botërore, por nuk ka informacion mbi zbatimin e grantit nga AMSHC.

Qendra Action, një organizatë që përfitoi 5.1 milionë lekë nga AMSHC, nuk ka gjithashtu faqe interneti. E njëjta gjë është për Qendrën për Edukimin dhe Pjesëmarrjen Qytetare, Qendra Europiane për Zhvillimin dhe Arsimin dhe Qendra Aleanca Rinore, të cilat përfituan 5.2 milionë lekë, 5.1 milionë lekë dhe 3.7 milionë lekë respektivisht. Që të gjitha nuk kanë faqe interneti.

Shkrimi u publikua sot (18.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç