Përvjetori i 35-të i lëvizjes së studentëve në dhjetorin e vitit 1990, lëvizje që solli më pas krijimin e pluralizmit në Shqipëri, themelimin e të parës parti politike opozitare dhe shembjen e regjimit komunist, është festuar edhe këtë vit!
Secili grupim politik apo grup individësh e ka përkujtuar ditën e 8 dhjetorit, sipas mënyrës së vet, duke bërë dhe intepretimin e asaj dite të shënuar po sipas mënyrës së vet, duke shtuar këtu edhe përshtatjen e ligjërimit politik për këtë ditë të shënuar!
Ndonëse në mënyrë të vakët, edhe politika është kujtuar për 8 dhjetorin, duke treguar se nuk i shmanget rutinës së përvitshme, ku të vetmit ‘përfitues’, nëse mund të quhen kështu, janë punonjësit e administratës shtetërore por dhe të asaj private në shumicën e rasteve, të cilët kanë dhe një ditë tjetër pushim në kalendarin vjetor të ditëve të shënuara, pra atë qëndrimin në shtëpi! Eshtë shpallur ditë e rinisë 8 dhjetori! Dhe s’janë pak ditë të tilla pushimi!
Si gjithnjë në krye të ‘listës’ së festimeve të 8 dhjetorit qëndron PD, e cila ka marrë të gjithë ‘eksluzivitetin’ e kësaj dite të shënuar, megjithëse tashmë pjesa më e madhe e aktorëve të lëvizjes studentore ose janë jashtë radhëve të PD dhe politikës, ose janë në anën tjetër të PD, teksa kanë mbushur radhët e kundërshtarit politik, duke kontribuar te e majta shqiptare!
PD, më herët, këtë ditë të shënuar për demokracinë shqiptare e përkujtonte nëpër sheshe apo dhe nëpër salla të mëdha, me pjesëmarrjen e ish studentëve të dhjetorit, aktorëve të vërtetë të kësaj dite të madhe, të cilët vit pas viti ‘fironin’ jo më një nga një, por me shumicë, duke u shuar madje dhe nga listat e atyre viteve, pasi nga PD ishin larguar apo dëbuar me kohë dhe vakt!
Në këto takime s’dëgjoheshin as vlerësimet maksimaliste për Azem Hajdarin, liderin e dhjetorit. Flasim për kohën sa ai ishte gjallë në këtë botë, që për fatkeqësinë e tij, të dhjetoristëve dhe të vetë PD-së, më shumë ka qëndruar jashtë strukturave drejtuese të partisë së parë opozitare, jashtë skenave masive të përkujtimit të 8 dhjetorit, se sa brenda si njeri i vlerësuar nga partia që themeloi dhe ngriti me duart e vete, bashkë me shokët e tij studentë.
PD-në, Hajdari e drejtoi për disa muaj në kohët më të vështira pas themelimit, për t’ia dorëzuar ‘paketë’ Sali Berishës, i cili sikurse thonë gojët e liga, vetëm në shkurt të vitit 1991 kur u rrëzuar busti i ‘babait të tij shpirtëror’ Enver Hoxha, si dhe kur rrëzoi Hajdarin e Aleksandër Meksin nga drejtimi dhe u zgjodh kryetar i PD, e grisi më në fund teserën e anëtarësisë së PSSH, në të cilën kishte aderuar dhe kontribuar fort e me devotshmëri për 25 vite me radhë!
Pas vrasjes së Hajdarit, më 12 shtator 1998, përkujtimi i 8 janarit, ditës së lëvizjes studentore u zhvendos nga ambientet e tjera dhe sheshet, tek busti i tij, herë tek vendi ku u ekzekutua afër selisë së PD e herë tek busti i vendosur në qytetin studenti! Azemi, pikërisht pas vdekjes së tij mori dhe vlerësimet më të larta për kontributin e tij në sjelljen e pluralizmit në Shqipëri dhe rrëzimit të diktaturës komuniste, nga PD dhe nga vetë Sali Berisha.
Madje për herë të parë pas vdekjes, Hajdari u cilësua nga Berisha lider i pluralizmit, PD-së e lëvizjes studentore, udhëheqës i madh dhe vlerësime të këtij lloji, për të cilat Azemi ishte aq i dëshiruar t’i dëgjonte nga goja e Doktorit sa ishte gjallë. Pasi vetëm sulme të gjithanshme përballoi, deri dhe akuzat si agjent i Sigurimit të Shtetit dhe i agjenturave të huaja! Nëse keni dyshime për këto që themi, lexoni në organin zyrtar të PD, ‘RD--në, ku janë të botuara një sërë sulmesh nga brenda PD ndaj liderit të dhjetorit! Kërkoni dhe në ‘google’ dhe do të gjeni të gjitha akuzat e ngritura kundër tij!
Për hir të së vërtetës kalimi vit pas viti i 8 dhjetorit, duket sikur kjo ditë e shënuar është zbehur shumë, për nga mënyra se si po i qasen ish dhjetoristët dhe demokratët! Aq pak është katandisur pjesëmarrja në këtë ditë, sa çdo 8 dhjetor tek busti i Hajdarit gjendet vetëm një grusht njerëzisht, gjysma prej të cilëve janë familjarët e e vetë heroit! Normale në këtë rast, por dhe Berisha nuk mungon. S’ka me se të merret! Pjesa tjetër nuk është parë me kohë dhe vakt në këto përkujtime!
Ish dhjetoristët, kujtohen për 8 dhjetorin përmes postimeve të fotove nëpër rrjetet sociale, me marazin brenda këtyre postimeve, që PD nuk u bë kurrë ashtu sikurse e kishin ëndërruar, e për pasojë PD nuk arriti kurrë që të bënte ‘Shqipërinë si gjithë Evropa”. Madje konstatojnë me dhimbje se është pikërisht kundërshtari politik, ata që i kishin akuzuar si komunistë, pra PS dhe qeverisja e saj, ata që po punojnë fort për ta bërë plotësisht realitet ëndrrën e studentëve! E themi këtë sepse Shqipëria tashmë është në ‘metrat’ e fundit të përfundimit të negociatave me BE dhe sipas të gjitha gjasave brenda vitit 2030, vendi ynë do të anëtarësohet me të drejta të plota në BE!
Ndërsa dhjetoristët e themeluesit e PD, të cilët në masën 99.999 përqind janë larguar apo dëbuar nga partia e parë opozitare që ata krijuan në ato kohë të vështira, teksa kthejnë kokën pas, shohin që në PD ka mbetur vetëm singla dhe logo e partisë, dhe mbi të gjitha ka mbetur pikërisht ai, i pagabueshmi dhe i pazëvendësueshmi, Sali Berisha! Tashmë 81 vjeç, i rikthyer nga pensioni politik, e i vetëpërcaktuar si e ardhmja e PD dhe e opozitës në Shqipëri! Të tjerët janë përjashtuar ose detyruar me të gjitha mënyrat që të ikin nga sytë këmbët, vit pas viti, të etiketuar si grupe armiqësore në parti, nga e para parti opozitare dhe nga politika në Shqipëri! Ka dhe nga ata që kontributet e tyre i kanë ofruar për parti të tjera, por janë tepër të rrallë!
Pratikisht nga dhjetori ’90, PD-së i ka mbetur vetëm Sali Berisha, copë një, dhe askush tjetër! Gjasat janë që kështu do të vazhdojë sa të jetë gjallë ai, për t’u ngjitur tek i i plotfuqishmi si kreu i PD, bashkë me vulën në brez edhe logon e PD në ballë. Për ta marrë me vete edhe në ‘amëshimin’politik, pa ia besuar askujt.
Pasi, teksa është djegur njëherë me Eduart Selamin që ia la në përdorim partinë kur vetë ishte president dhe njëherë me Lulzim Bashën, të cilin e emëroi më 2013 pasi humbi zgjedhjet, nuk i beson më askujt për t’i lënë drejtimin kësaj partie! Duke vijuar të mbysë çdo zë kundër, dhe me këta të ‘vegjlit’ Salianji e Alimehmeti që kërkojnë ta ‘shkundin’ PD, duke u kujdesur që të japin garanci se nuk do të ‘shkundin’ Berishën, pavarësisht se kupola drejtuese e kësaj partie nuk shkon as në banjë pa lejen e Doktorit!
Ndërkohë që përpos Berishës që i ka mbetur ‘në derë’, PD i ka mbetur dhe nostalgjia e lëvizjes së dhjetorit! Kjo bëhet shumë evidente, sa herë që Berishës dhe PD i mungojnë pjesëmarrësit nëpër këto protestat, revolucionet apo mosbindjet civile sa herë që humbet zgjedhjet! Pikërisht atëherë, rikthehet nostalgjia e mbushjes së shesheve me protestues në dhjetor ’90! Eshtë nostalgji rrënuese për partinë e parë opozitare, e cila tashmë ka humbur jo vetëm primatin politik, por nuk e merr askush më as seriozisht në aksionet e saj opozitare! S’e ndjek askush, sado të mundohet t’i organizojë Doktori! E kanë lënë ‘gjunjët’ bashkë me Berishën, i cili, megjithëse për të vitet janë numra, për hir të së vërtetës i ka 81 kokrra vitesh jetë mbi supe!
Berishës i urojmë edhe shumë e shumë vite të tjera jetë, të cilat i ka ‘paketë’ me qëndrimin në krye në PD. Por për fat të keq dhe në opozitë! Partia e drejtuar nga Doktori i ka rrumbullakosur 12 vite në opozitë, ka prerë zyrtarisht ‘faturën’ dhe për 4 vite të tjera për t’i bërë 16 vite, por ka gati për të nëshkruar dhe mandate të tjera jashtë pushtetit! Sa kohë që në krye të PD të jetë Berisha themi! Pasi nga zgjedhjet në zgjedhje, PD vetëm humbet vota të djathta, deri dhe 250 mijë vota me ‘një dorë’ si në zgjedhjet e 11 majit të këtij viti! Pa mundur asnjëherë të rikuperojë! Aq sa tashmë nuk shohin më as ëndrra me rikthim në pushtet apo me qeverisje të opozitës, duke kujtuar me nostalgji dhe ato 13 vitet e qeverisjes së demokratëve në dy kohë!
Përundimisht, në PD, ajo që vihet re në këtë përvjetor të ditës së rinisë, ka mbetur vetëm nostalgjia e lëvizjes studentore dhe anti-komuniste të dhjetorit ’90, nostalgjia e pushtetit që kishte kjo parti për 13 vite, pushtet që me këtë situatë në të cilën ndodhet PD dhe opozita nën drejtimin e Berishës, nuk vjen më për opozitën shqiptare! Dhe që të mos e harrojmë, PD-së i ka mbetur dhe i vetmi themelues i saj, Sali Berisha! Garancia e vetme që, kjo parti, sa të jetë nën drejtimin e tij nuk kthehet më në pushtet! Thjeshtë do t’i dorëzohet nostalgjisë, vit pas viti!
Komente









