Seanca dëgjimore e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Komisionin e Medias është shoqëruar nga debate të ashpra, ku një ndër to ishte edhe ngjarja e rëndë e Kavajës, ku një vajzë 14-vjeçare është përdhunuar prej disa muajsh nën shantazh nga 12 bashkëmoshatarë.

Teksa kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi akuzoi Policinë e Shtetit për fshehje krimi, Lleshaj është shprehur se policia reagoi me profesionalizëm e nuk ka bërë publicitet.

“Personat janë arrestuar para se të bëhej publike, por nuk ka ndërmarrë hapa për t’i bërë publicitet kësaj gjëje të shëmtuar e të neveritshme kriminale. Ajo është e fundit në radhë përballë një vepre të tillë që na bën të ndihemi keq si shoqëri. Ju bëni komision hetimor për atë. Policia reagoi me profesionalizëm, nuk ka bërë publicitet se nuk meriton publicitet, por përgjegjshmëri”, ka thënë ministri i Brendshëm.