Mbledhja e sotme e Komisionit të Medias dhe Edukimit është shoqëruar nga tensione dhe replika, kryesisht kur u diskutua përfshirja e forcave policore në ambjentet e fakulteteve përgjatë protestës studentore. Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi akuzoi Policinë e Shtetit për ushtrim dhune të paprecedentë, ndërkohë që, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e ka mohuar këtë akuzë.

Lleshaj është shprehur se nuk është dhënë asnjë lloj urdhri për ushtrim dhune, por përkundrazi. Sipas tij janë angazhuar 5634 policë në të gjithë vendin që kanë shërbyer që protestat të shkojnë mirë. "Protestat kanë shkuar shumë mirë, ky është konkluzioni. Kemi pasur pothuajse 0 incidente pasi duhet të merrni parasysh që kanë qenë protesta të shtrira gjatë gjithë vendit", është shprehur Lleshaj. 

Teksa iu treguan disa pamje të regjistruara gjatë konfrontimeve policë-studentë në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, Lleshaj u shpreh: "Nuk i komentoj videot, qofshin ato të bukura apo të shëmtuara. Unë nuk kam ardhur të bëj mësim ketu, nuk kam ardhur për të parë film këtu."

Ai cilësoi më tej se ndërhyrja e Policisë së Shtetit në protestën e zhvilluar brenda ambienteve të Fakultetit Ekonomik është bërë me qëllimin për penguar dhunën, që sipas tij është agravuar nga persona të njëjtë.

"Janë konstatuar tentativa të personave të caktuar për të marrë peng protestat, për të kycur universitetet, për t'u vendosur zinxhirët. Madje edhe kur një fakultet mësimi u spostua në një gjimnaz të Tiranës, edhe aty u bllokuan dyert me qëllimin për të penguar studentë të futeshin në orët mësimore. Janë konstatuar se janë të njëjtat emra, kjo tregon që incidentet janë të provokuara", u shpreh Lleshaj duke shtuar se deri më tani nuk rezulton asnjë kallëzim që të jetë referuar në polici apo prokurori për dhunë të ushtruar nga policët.