SHKODËR- Kryetarja në detyrë në Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi i ka dërguar një letër ministrisë së Mbrojtjes, ku i kërkon informacion se sa është fondi buxheti i shtetit për ndihmat ushqimore dhe jo ushqimore.

Ajo 3 pyetje, për të cilat thotë se me të drejtën që i jep ligji, kërkon transparencë të plotë për shpenzimet e qeverisë pas shpalljes së Fatkeqësisë Natyrore, që përfshin se çfarë ushqimesh ka në pakot ushqimore dhe se si është bërë shpërndarja në 61 bashkitë. Letra i është dërguar dhe Agjensisë për mbështetjen e Qeverisë Vendore për informacion.

"I jam drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjensisë Kombëtare për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe kam kërkuar informacionin e mëposhtëm:

1. Sa është fondi i shpenzuar nga buxheti i shtetit për ndihmat ushqimore dhe jo ushqimore (materiale higjienike) për muajin mars 2020?
2. Sa është sasia e pakove ushqimore, pakove me materiale jo ushqimore (materiale higjienike) dhe të tjera, që ka përfituar nga buxheti i shtetit secila nga 61 bashkitë e vendit?
3. Cila është përbërja e çdo pakoje ushqimore dhe jo ushqimore të shpërndarë dhe vlera e çdo artikulli të kësaj pakoje?

Pas marrjes së Vendimit për shpalljen e "Fatkeqësisë Natyrore", qeveria deklaroi mbështetjen për individët dhe familjet në nevojë. Me të drejtën që jep ligji “Për të Drejtën e Informimit”, kërkoj transparencë të plotë", shkruan Ademi. 

Kjo letër vjen pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike, se kanë dhanë një tender 1,5 milion euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit, por sipas tij pa garë. Sipas PD-së, nga 35099 kompani shqiptare tenderi iu dha kompanisë filal nga Maqedonia, Eurovia duke theksuar se pak ditë para shpalljes së tenderit pa garë, kompania shtoi si objekt tregtimin e ushqimeve. Për këtë ka pasur edhe një reagim nga ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila sqaroi se tenderi është bërë sipas ligjit, procedurë e ndjekur nga Lulzim Basha në vitin 2010. këto pako, shkojnë për pensionistët e vetmuar, sqaroi më herët Xhaçka, dhe për familjet me ndihmë ekonomike, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Letra e kryebashkakes, Voltana Ademi për Ministrinë e Mbrojtes