Ministria e Financave dhe Administrata Fiskale kanë filluar një veprim të përbashkët në sektorin e hidrokarbureve.
Ky veprim, pjesë e marrëveshjes së përbashkët, të nënshkruar ditë më parë mes Shërbimit Doganor Shqiptar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, do të fokusohet në një kontroll të plotë ligjor për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar me veprimtari prodhimin, përpunimin, transportimin dhe shitjen e hidrokarbureve.
Operacioni synon luftën kundër evazionit fiskal dhe nivelin e mirëadministrimit.
Ministria e Financavë bën të ditur përmes një njoftimi për shtyp, se kontrolli i përbashkët tatimor-doganor do të ketë objektiv tatimpaguesit në sektorin e hidrokarbureve, pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, prodhuesit dhe përpunuesit e nënprodukteve të naftës, etj me qëllim vlerësimin e zbatimit të detyrimit të tyre ligjor për të deklaruar dhe paguar në kohë detyrimet tatimore dhe doganore.
Sipas ministrisë së Financave, administrata fiskale ka evidentuar tashmë të gjitha subjektet me risk, përfshirë edhe ato subjekte që janë regjistruar si tatimpagues të biznesit të vogël, por që kanë kryer importe të mallrave, në mënyrë të përsëritur, në vlera që i kalojnë kufijtë e tyre të regjistrimit./atsh/