Pavarësisht vendimit të dhënë nga Gjykata Administrative e Apelit një ditë më parë e cila rrëzoi përkohësisht vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatëve për bojkotin e seancave në shkallën e parë në GJKKO, avokatët sërish nuk janë paraqitur në gjyqe.

Vetëm këtë të enjte kanë dështuar të paktën 10 seanca gjyqësore, përfshirë për çështjen Meta-Kryemadhi apo Ilir Beqja për dosjen e Sterilizimit.

Burime për Report Tv konfirmuan se avokatët presin një qëndrim nga Dhoma pavarësisht vendimit në Administrative. Dhoma Kombëtare e Avokatisë pritet të ketë një mbledhje dhe më pas një qëndrim. Deri atëherë sipas tyre bojkoti qëndron në fuqi.

Bojkotimi i proceseve në GJKKO u mor si vendim që prej 9 shtatorit të kaluar si reagim ndaj një rregulloreje censuruese të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë. e cila u ndalon avokatëve celularin në sallën e gjyqeve. Rregullorja është kundërshtuar ashpër edhe nga komuniteti i medias.