Adoleshentët ‘viktima’ të bullizmit,
mendojnë edhe vetëvrasjen

Adoleshentët ‘viktima’ të bullizmit,<br />mendojnë edhe vetëvrasjen<br>
Emisioni Rreze Dielli nisi javën me një diskutim gjithëpërfshirës, i cili prek të gjitha shtresat e shoqërisë, fenomenin e bullizmit. Për të dhënë një panoramë të përgjithshme mbi fenomenin e bullizmit në Shqipëri në Rreze Dielli ishin të ftuar dy prej vullnetarëve të organizatës Y-Peer Albania e cila nënkupton Rrjetin e Edukimit të të Rinjve Bashkmoshatarë.

Julian Sopaj dhe Eleni Nanaj, dy të rinj që ndihmojnë nxënësit në shkolla të ndryshme treguan se shkollat në zonat urbane e kanë më të theksuar bullizmin. Nxënësit e shkollave më të famshme në kryeqytet janë më “mendjemëdhenj” dhe kanë më shumë informacion. Ata mund të na thonë edhe “Pse erdhët këtu?”, treguan përfaqësuesit e Y-Peer.

Pyetjes se cilat janë reagimet më të shumta që marrin nga nxënësit Eleni dhe Juliani i përgjigjen: Reagimet janë të ndryshme. Kur jemi në klasë, ne duam që t’i përfshijmë të gjithë. Megjithëse është e vështirë që ata të shprehen. Ne qëndrojmë gjithmonë pas info sesionit dhe i kërkojmë që të na thonë nëse kanë diçka shtesë.

Edhe nëse kanë diçka për të tjerët, për të referuar. Dhe ka pasur raste ku na kanë ardhur për të kërkuar ndihmë. Ne qëndrojmë aty dhe i premtojmë se do të ruajmë anonimatin, si dhe ruajmë kontaktet me nxënësit, nëse ata do të kenë nevojë për ndihmë në të ardhmen

Dy të rinjtë pohuan se problematikat janë të shumta. Sipas tyre ka pasur raste kur adoleshentëve mund ti kenë hapur adresa false nëpër rrjete sociale dhe prindërit kanë thënë se nuk kanë çfarë të bëjnë. Bullizmi kibernetik së fundmi është përhapur shumë dhe edhe pse adresat mund të mbyllen, procedurat janë shumë të gjata për të gjetur autorin.

Ata treguan një rast konkret në Kamëz, ku ndihet përjashtimi, sidomos te vajzat të cilat prindërit nuk i lënë të përdorin telefona smart phone, edhe për shkak të mentalitetit. Nëse nuk afirmohesh me grupin, edhe nëse nuk ke sulm të drejtpërdrejtë, mund të kesh përjashtim, thanë Eleni dhe Juliani.

Rasti më i vështirë që Eleni dhe Juliani kishin hasur në punën e tyre vullnetare është ai i një vajze që kishte qenë shumë e shëndetshme. Që nga klasa 6 deri në klasë të 9 ajo kishte vuajtur nga bullizmi dhe vendos të ndryshojë shkollën. Edhe pas këtij hapi, ish-nxënësit e klasës së saj i hapën adresë false në rrjete sociale.

Vetë Eleni dhe Juliani kishin hasur në raste kur të rinjtë për shkak të bullizmit që përjetonin mund edhe të shkonin në mendime të vetëvrasjes, ndaj përfaqësuesit e Y-Peer bëjnë thirrje që të mos qëndrojmë pasiv port ë reagojmë në rastet kur ne shohim se është duke ndodhur fenomeni i bullizmit.

Nga studio e Rreze Dielli, ata sollën gjithashtu disa letra të shkruara nga vetë nxënësit të cilët kishin qenë prezentë apo kishin parë raste të bullizmit, si dhe një çarçaf të ku tregoheshin forma të bullizmit, të përkthyera në gjuhë më të thjeshtë.

Bullizmi, një term që çdo ditë e më shumë po njihet dhe po bëhet prezent në të gjithë botën është i përhapur sigurisht edhe në vendin tonë. I përcaktuar si sjellje e dëmshme dhe agresive nga persona më të fortë fizikisht apo psikologjikisht kundrejt atyre më të dobët, bullizmi përfshin dhunën fizike, verbale, gjestet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtatur atyre që thotë apo dëshiron një person i caktuar. Vitet e fundit është evidentuar edhe bullizmi virtual ose kibernetik. Tallja në rrjete sociale, edhe pse më pak e përhapur është e pranishme dhe shkakton problem të shumta, sidomos te adoleshentët.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?