Disa ditë pas dhunës mes 2 grupeve të adoleshentëve pranë shkollës së mesme “Shejnaze Juka”, në Shkodër është regjistruar dje një tjetër konflikt mes disa të miturve, të cilët mbanin në dorë thika, por nga të cilat fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Në videon e siguruar nga Report Tv shihen 2 grupet e adoleshentëve, të cilët konfliktohen me grushta, por një prej pjesëmarrësve në konfrontim mban në dorë një thikë.
Adoleshentët e përfshirë në konflikt mësohet se janë zona e Vaut të Dejës. Ngjarja ka ndodhur pas orës së mësimit, kur të miturit kishte lënë takim për të "qeruar" hesapet mes njëri-tjetrit, tek vendqëndrimi i furgoneve me të cilët udhëtojnë për në shkollë.
I mituri me thikë në dorë duket se pasi nxjerr armën e ftohtë vendos kapuçin e xhaketës në kokë dhe tenton të godasë rivalët në përplasje.
Për fat të mirë nuk pati të plagosur e as të dëmtuar nga thika. Ka qenë ndërhyrja e një zonje e cila ka bërë që sado pak konflikti të përfundojë. Është lajmëruar policia e cila ka mbërritur në vendngjarje, por ka munguar plotësisht bashkëpunimi për dhënien e informacionit, qofshin nga nxënësit që ndodheshin aty dhe kanë parë sherrin, por edhe nga shoferët e furgoneve.
Thika në dorën e nxënësit duket e madhësisë së armëve të ftohta luftarake, ndërsa nga të dhënat mësohet se konflikti kishte disa ditë që kishte nisur.
Komente








