Shkurt JO. Nuk duhet.
Kryeministri mund të ketë rezerva ndaj veprimeve të SPAK apo BKH, kjo është e drejtë dhe legjitime. Por retorika të tipit “trimoshat me patllake” janë të papërshtatshme dhe jo serioze. Mbi të gjitha janë të dëmshme.
Pozicioni flet më fort se fjala. Kur hap gojën Kryeministri, nuk presim të dëgjojmë Fevziun apo Shakohoxhën. Nëse ka pasur nxitim, papjekuri ose shkelje protokolli nga BKH, rruga e vetme është ajo institucionale. Komunikim zyrtar, reagime formale të brendshme mes institucioneve.
Shteti nuk ka nevojë për sarkazëm publike. Ai flet pak, flet ftohtë dhe flet me përgjegjësi. Ironia është luks i atyre që nuk kanë pushtet.
Pra, edhe sikur Rama të ketë të drejtë për rregullat e sigurisë, protokolli as shpallet, as mbrohet me tallje publike. Kjo nuk rregullon asgjë. Përkundrazi, e ul autoritetin e Drejtësisë, pra të Shtetit. Rrjedhimisht, edhe të vetë Kryeministrit.
Një gabim protokollar rregullohet shpejt. Dëmtimi i autoritetit të shtetit, jo. Ta zemë se BKH ka gabuar që nuk i paska dorëzuar “patllaket” brenda në hollin e Kryeministrisë. Kryeministri gabon ku e ku më shumë kur flet me këtë gjuhë jashtë në publik.
Ai tha se dëshiron që ata të korigjohen. Kjo gjuhë nuk korrigjon, delegjitimon. Këtë bën edhe gjuha e Berishës kundër drejtësisë. Ndryshon kahu, ndryshon “stili”, por funksioni është i njëjtë. Rama përdor ironinë, përçmimin, Berisha përdor fyerjen, shantazhin. U shtrembëron emrat institucioneve, gjykatësve, prokurorëve.
Shtrembërimi i emrave nuk është lapsus, është teknikë. Qëllimi është t’u hiqet dinjiteti personal hetuesve të tyre dhe rrjedhinisht besueshmëria. Kjo është metodë e vjetër populiste.
Sigurisht, Rama flet nga pushteti, Berisha si i akuzuar. Por dëmi publik është i njëjtë. “SKAP-i i partisë” dhe “trimoshat me patllake” bëjnë të njëjtën punë. Të dy e godasin drejtësinë jo në argument, por në autoritet.
Kjo reformë u ndërtua për të pavarësuar hetimet nga politika. Mesazhi që kemi marrë kohët e fundit është që sistemi duhet të funksionojë vetëm deri aty ku nuk preken “senatorët” e ardhshëm të përjetshëm.
Në një shtet me burra shteti, as Kryeministri dhe as ish-Kryeministri nuk do t’i lejonin vetes të flisnin me këtë gjuhë. Nuk është shenjë force, është shenjë frike. Por edhe vrasje e ngadaltë e shtetit të së drejtës.
Nëse ndonjëherë ky i fundit ka patur rëndësi për ta.
Komente













Kjo është pika e thyerjes!! Nuk do ta ketë të gjatë ....
Përgjigju