Aeroporti LaGuardia në New York është mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm pasi një aeroplan Air Canada Express dhe një kamion zjarrfikës u përplasën.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) vendosi një ndalim të fluturimeve në LaGuardia pak pas përplasjes për shkak të një “emergjence të aeroplanit.” Aeroporti pritet të qëndrojë i mbyllur deri në orën 14:00 të hënën, sipas FAA.
Aeroplani po vinte nga Montreal dhe u ul. Ai ngadalësoi në rreth 24 milje në orë kur u përplas me zjarrfikësen. Aeroplani, një model i vogël CRJ 900 me rreth 70-90 persona në bord, pësoi dëme të konsiderueshme.
Sipas CNN, janë plagosur 4 persona, piloti, zv/piloti dhe dy persona brenda kamionit.
Video të shpërndara në mediat sociale tregojnë aeroplanin, i cili operohet nga partneri rajonal i Air Canada-s, Jazz Aviation, duke ndaluar me pjesën e përparme të ngritur.
Një listë paraprake e pasagjerëve tregoi se në bord kishte 76 persona, bashkë me ekuipazhin.
Audioja e kontrollit të trafikut ajror e regjistruar gjatë incidentit kap momentet para një përplasjeje të raportuar midis aeroplanit dhe automjetit. Në regjistrim, një kontrollor i trafikut ajror jep leje që një kamion operativ të kalojë pistën. Pas disa sekondash, kontrollori urdhëron urgjentisht kamionin të ndalojë, para se të thotë se ka pasur një përplasje në fushë.
“JAZZ 646, po të shoh që u përplaste me automjetin. Qëndro aty. E di që nuk mund të lëvizësh. Automjetet po përgjigjen tani,” dëgjohet në audio.
Në një deklaratë në X , Departamenti i Policisë së New Yorkut u tha njerëzve të “përgatiten për vonesa dhe të shmangin zonën nëse është e mundur.”
“Për shkak të një incidenti emergjent në Aeroportin LaGuardia, të gjitha rrugët dhe daljet nga autostradat drejt aeroportit janë të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm.”
Departamenti i Zjarrfikësve i New Yorkut postoi në X duke i thënë njerëzve të “presin anulime, mbyllje rrugësh, vonesa në trafik dhe praninë e personelit emergjent pranë Aeroportit LaGuardia.”
“Përdorni rrugë alternative,” thuhej në postim. Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) ka dërguar një ekip për të hetuar përplasjen.
Më parë, LaGuardia kishte paralajmëruar për ndërprerje fluturimesh për shkak të kushteve të motit, me shi të lehtë dhe mjegull që godisnin zonën.
Komente












