Shoqata e aeroporteve europiane paralajmëron Brukselin se transporti ajror në kontinent rrezikon të mbetet pa karburant përpara verës, nëse situata në nivel gjeopolitik mbetet e njëjtë edhe në fund të prillit.
"Nëse kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit nuk rifillon në mënyrë të konsiderueshme dhe të qëndrueshme brenda tre javëve të ardhshme, një mungesë sistematike e karburantit për avionë është e destinuar të bëhet realitet për BE-në", jep alarmin Olivier Jankovec, drejtor i përgjithshëm i Aci Europe, në një letër të dërguar më 9 prill komisionerëve europianë për Energjinë dhe Transportin, një kopje të së cilës, ka arritur të sigurojë Corriere della Sera.
.jpeg)
Letra drejtuar komisionerëve europianë
Komunikimi i drejtorit të përgjithshëm konfirmon kështu parashikimet e medias italiane mbi një situatë që po merr përmasa më kritike krahasuar me sa ishte komunikuar fillimisht. Dhe kjo rrezikon të prishë planifikimin e kompanive ajrore, të pamundura për t’u furnizuar në disa aeroporte.
"Ulja e fluturimeve, që do të vinte patjetër nga mungesa e karburantit për avionë, do të dëmtonte ndjeshëm ekonominë europiane dhe do të përkeqësonte më tej efektet e rritjes së çmimeve të naftës”, shkruan Jankovec komisionerëve Dan Jørgensen dhe Apostolos Tzitzikostas.
"Shqetësime të shtuara"
"Fakti që po hyjmë në pikun e sezonit veror — kur transporti ajror mbështet të gjithë ekosistemin turistik nga i cili varen ekonomitë e shumë shteteve anëtare — nuk bën gjë tjetër veçse i shton këto shqetësime", theksohet në letrën e Aci Europe
"Si pasojë, është thelbësore që BE-ja t’i japë përparësi disponueshmërisë dhe stabilitetit të furnizimit me karburant për avionë si pjesë e përgjigjes së saj ndaj krizës së naftës dhe energjisë të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme".
Kërkesat e aeroporteve
Shoqata europiane e aeroporteve kërkon kështu një “monitorim urgjent të disponueshmërisë dhe furnizimit me karburant për avionë gjatë 6 muajve të ardhshëm”, veçanërisht pasi nga mbledhja e Grupit të Koordinimit të Naftës ka dalë se “aktualisht nuk ekziston një hartëzim/vlerësim dhe një monitorim në nivel BE-je i prodhimit dhe disponueshmërisë së karburantit për avionë“.
Edhe sepse disa shtete europiane kanë rezerva strategjike të kerosenit (karburantit për avionië) që lejojnë një autonomi prej vetëm 8-10 ditësh, përpara se të vendosen racionet
Mungesa e të dhënave të sakta
Aeroportet europiane i kërkojnë Komisionit Europian të analizojë sa karburant për avionë ka aktualisht dhe sa pritet të ketë në të ardhmen, si nga prodhimi brenda BE-së ashtu edhe nga importet, në krahasim me nevojat. Gjithashtu kërkojnë të gjenden burime alternative furnizimi dhe mënyra për të rritur prodhimin brenda BE-së, të vlerësohen rreziqet që mund të pengojnë furnizimin me karburant brenda unionit, si dhe të shqyrtohet niveli i rezervave ekzistuese (tregtare dhe strategjike), sa mund të zgjasin ato dhe si do të përdoren.
“Të vlerësohen blerjet në nivel BE-je”
Në të njëjtën letër, Aci Europe prek edhe dy çështje të ndjeshme për muajt në vijim: propozon që të shqyrtohet mundësia e blerjeve të përbashkëta të karburantit në nivel BE-je dhe që të vendosen detyrime për rafineritë, në mënyrë që të garantohet prodhimi i karburantit për avionë../CorrieredellaSera
Komente










