Ndërsa “Mabco” e Behgjet Pacollit dhe “2A Group” e Valon Ademit, dy ortakëve të shoqërisë VIA, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e aeroportit të Vlorës, vijojnë të jenë të mbërthyer në beteja gjyqësore për çështjen e kuotave të aksioneve, biznesmeni kosovar duket sikur sot ka paralajmëruar rrëfimin e prapaskenave të ndodhura gjatë gjithë procesit, që nga nga hapat e parë të kryera për ndërtimin e aeroportit.
Përmes një mesazhi të koduar në Facebook, Pacolli thekson se durimi i tij ndaj sulmeve publike e jo vetëm, po vjen drejt fundit. Duke e krahasur durimin e tij në mënyrë metaforike me një digë, biznesmeni kosovar thotë se ajo rrezikon të çahen, në mënyrë të parikuperueshme.
“Ne jemi kthyer në një gjendje që i ngjan një DIGE që duron mbushjen ngadalë me ujë – ujë të turbullt, të rëndë, të ndotur nga lumi që derdhet në të. Këtë mbushje e shtojnë edhe shumë përrenj të vegjël përreth, që sjellin po ashtu llom dhe balte me erëra të padurueshme.
Po i përballojmë me zhgënjim por me dinjitet të gjitha intrigat, fyerjet e goditjet e padrejta nga ata për të cilët gjithmonë kemi mbajtur dorën, zemrën dhe derën hapur. Pikërisht këta janë ata “përrenjtë e vegjël”, të nxitur nga lumi i madh, që e çojnë liqenin drejt mbingarkesës — deri në pikën kur DIGA nuk mund ta përballojë më dhe rrezikon të çahet. Po frikohëm që do te vjen një ditë kur do te bëhët vonë për cdo riparim”,- shkruan Pacolli.
Javën e kaluar ai denoncoi një tjetër përplasje, ndërsa përfaqësuesit e tij nuk ishin lejuar të merrnin pjesë në një mbledhje të zhvilluar për aeroportin e Vlorës, që ishte thirrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjykata e Apelit vendosi më 19 shkurt t’i njohë të drejtën e administrimit ortakut “2A Group”, pas një procesi të nxitur nga një marrëveshje kredie 100 milion euroshe që “Mabco” kishte firmosur me një fond investimesh guackë, “Delphos”.
Po ashtu, SPAK dyshon se dhënia me koncesion për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës është bërë me shkelje ligjore. Pesë muaj pasi kreu i mëparshëm i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani e njoftoi në Kuvend se procedurat e koncesionit ishin në hetim paraprak, pasuesi i tij, drejtuesi aktual i SPAK Klodian Braho ka marrë të pandehurit e parë, në kufijtë e parashkrimit të ndjekjes penale.
Burime për Report Tv kanë konfirmuar se u janë komunikuar zyrtarisht akuzat e shkeljes së barazisë në tendera 3 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që marsin e vitit 2021 shpallën fituesin për koncesionin 35 vjeçar konsorciumin e kompanive Mabco Construction të Behgjet Pacollit, firma turke YDA dhe 2A Group e Valon Ademit.
Komente







