Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, përfaqësuesit e kompanisë “MABCO”, së bashku me nënkontraktorët e saj, janë rikthyer në kantierin e aeroportit të Vlorës.
Ata kanë hyrë nga gardhi, ndërsa dera kryesore vijon të jetë e mbyllur dhe punimet s’kanë vijuar ende normalisht.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga punonjësit e “2A Group.”
Vendimi i Gjykatës së Lartë i riktheu MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke ndryshuar vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjyqësorit.
Përplasja mes MABCO dhe 2A Group krijoi një ngërç që solli vonesa në ecurinë e punimeve të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse rikthimi i MABCO-s në kantier do t’i japë fund konfliktit dhe do të përshpejtojë përfundimin e aeroportit.
Si shkak i mosmarrëveshjeve, afatet për ndërtimin e aeroportit të janë shkelur. Më 29 maj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi deklaroi se kompanitë kontraktore kanë 30 ditë afat për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre. Ky ultimatum është drejt skadimit dhe siç ministri ka deklaruar për çdo ditë vonese, do të ketë gjoba e deri në prishje të kontratës koncesionare.
Tri ditë para ultimatumit, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group” duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli. Kësisoj u rrëzuan vendimet e mëparshme të Shkallës së Parë dhe Apelit.
E gjithë përplasja mes tyre ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.
Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranoi aso kohe dhe bllokoi veprimtarinë e “Mabco”-s që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.
Komente









