Mëngjesi i kësaj të hëne nisi me tensione në portën hyrëse të kantierit në aeroportin e Vlorës. Vlora International Airport, kompania që ka marrë përsipër ndërtimin, është përfshirë në konflikte të shumta gjyqësore për shkak të përplasjes së dy ortakëve, shoqërisë Mabco të Behgjet Pacollit dhe 2A Group-it të Valon Ademit.

Që prej muajit shkurt "2A Group" ka fituar në Apel përmes një sigurim padie, të drejtën e administrimit të aeroportit. 200 nënkontraktorë të ndryshëm të thirrur nga Pacolli, për të kryer punime brenda aeroportit, nuk u lejuan të hyjnë në kantier.

Ismet Pacolli nga kompania “Mabco” thotë se dy kompanitë gjenden në gjykatë dhe është drejtësia që vendos për vijimin e çështjes. Sipas tij, punonjësit e kompanisë ‘Mabco’ dhe nënkontraktorëve të tyre janë telefonuar mbrëmjen e kaluar dhe njoftuar se nuk duhet të vinin në punë ditën e sotme. Megjithatë duke mos pasur komunikim zyrtar, punonjësit janë prezantuar në punë, por nuk janë lejuar të hyjnë brenda ambienteve të aeroportit.

Bëhet fjalë për punonjësit që punojnë brenda terminalit, në ambientet e jashtme dhe zjarrfikëse. Afati i këtyre firmave që u ndaluan për përfundimin e punimeve është fundi i muajit maj, i cili është shtyrë edhe për 3 muaj, pra gushti është afati përfundimtar. Sipas Ismet Pacollit, s’ka pasur asnjë lajmërim zyrtar për situatën, e cila prek punonjësit.

“Ne kemi problemin me nënkontraktorët që janë të pafajshëm. Nuk kanë lidhje nënkontraktorët me kontratat e ‘VIA’-s dhe ‘Mabco’-s. Ata duan të bëjnë punën e tyre dhe për ta bërë, e kanë afatin deri në fund të muajit. Prej fundit të muajit iu nevojiten 10 ditë për t’i nënshkruar situacionet e tyre dhe dërguar faturat për pagesë. Ata kanë hallin e tyre e po ashtu edhe unë, çka bën që mes ‘Mabco-s dhe ‘VIA’-s apo shtetit, ka kush i drejton ato punë”, tha ai duke shtuar se ndalimi është bërë nga disa punonjës të “VIA”-s.

Kërkesa e “Mabco” është dakordësimi me kompaninë për të vijuar punën.

“Ne kërkojmë prej VIA-s që ata që kanë bërë bllokadën të vijnë këtu ose ne në zyrat e tyre, të flasim si njerëz. Ata duhet të kërkojnë prej eprorëve që nënkontraktorët të lejohen të hyjnë brenda”, u shpreh Pacolli.

Avokatët e tij pretendojnë se puna po pengohet nga njw administrator i paligjshwm ndaj kwrkojnw zgjidhje nga Kryeministri dhe Ministria e Infrastrukturws.

“Çdo veprim i Valon Ademit me 2% tw aksioneve apo njerëzve të tij, të emëruar në mënyrë të paligjshme që synon përjashtimin e ortakut mazhoritar 98% nga kantieri përbën cenim të rëndë të të drejtave të tij si ortak, investitor dhe garantues i projektit koncesionar”, tha avokati.

Kjo është përplasja më e fundit nga konflikti i nisur muaj më parë nga dy ortakët e shoqërisë “VIA”. Shkak për konfliktin është çështja e kuotave të aksioneve.

Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49%, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.

Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranon dhe bllokon veprimtarinë e “Mabcos” që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë “2A Group”.

Ndërkohë rezultoi se “Mabco” e Pacollit kishte marrë një kontratë kredie prej 100 milion eurosh nga Delphos, një fond investimesh guackë. Për këtë, Ademi hapi një tjetër çështje në gjykatë, duke kërkuar “pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut dhe të drejtës së votës, dhe nisjen e procedurës së përjashtimit të ortakut nga shoqëria”.

Gjykata e Apelit vendosi t’i njihte ortakut të “2A Group” të drejtën e administrimit, “duke parandaluar tjetërsimin e kuotës të ortakut “2A Group” dhe mos lejimin e marrjes së administrimit të propozuar me një statut të paligjshëm, me qëllim firmosjen e kontratës me “Delphos” për tjetërsimin e aeroportit, nga përfitues të panjohur, për të cilët shtetit shqiptar nuk do të kishte juridiksion për ta kontrolluar e ngritur padi ndaj kësaj kontrate të kamufluar si kredi”, deklaruan mbrojtësit ligjor të “2A Group”.

Palët vijojnë përplasjet gjyqësore për shqyrtimin në themel, në Shkallë të parë, të dy çështjeve të hapura mes tyre.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

Po ashtu, SPAK dyshon se dhënia me koncesion për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës është bërë me shkelje ligjore. Pesë muaj pasi kreu i mëparshëm i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani e njoftoi në Kuvend se procedurat e koncesionit ishin në hetim paraprak, pasuesi i tij, drejtuesi aktual i SPAK Klodian Braho ka marrë të pandehurit e parë, në kufijtë e parashkrimit të ndjekjes penale.

Burime për Report Tv kanë konfirmuar se u janë komunikuar zyrtarisht akuzat e shkeljes së barazisë në tendera 3 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që marsin e vitit 2021 shpallën fituesin për koncesionin 35-vjeçar konsorciumin e kompanive Mabco Construction të Behgjet Pacollit, firma turke YDA dhe 2A Group e Valon Ademit.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:57
Përplasja për aeroportin e Vlorës, Pacolli akuza Valon Llukës: S’të mjaftonte paga 30 mijë euroshe, u përpoqe të tjetërsoje edhe pronën!

Behgjet Pacolli ka akuzuar Valon Llukën lidhur me përplasjen mes tyre në kantierin e aeroportit të Vlorës duke e quajtur “tradhtar.” Në një postim në rrjetet sociale, ai e pyet Llukën nëse nuk i ka mjaftuar paga 30 mijë euroshe, por u përpoq edhe të tjetërsonte pronën.

Pacolli pretendon se Lluka ka falsifikuar dokumente e vula, akte të cilat u zbuluan rastësisht. Më tej, ai i thotë Llukës se ka përbuzur bujarinë e tij, teksa i premton se drejtësia do të vijë herët a vonë.

“Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve të investitorit të vetëm Mabco (pronarit të 98% të kuotave), i cili është i ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë, i inkurajuar nga vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese, e ka zanafillën te veprimet e pamoralshme, të dënueshme, mashtruese dhe tradhtare të Valon Llukës. Ai erdhi në grupin Mabetex, kaloi nëpër shumë funksione, u pasurua dhe në fund, pas 18 vitesh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe tradhtoi besimin që ia kishim dhënë.

Siç po e shihni, prej 9 muajsh jemi duke u përballur çdo ditë me trauma marramendëse, në kërkim të së drejtës dhe në përpjekje për të evituar më të keqen.

Tani po të drejtohem ty, a nuk të mjaftonte paga prej 30 mijë eurosh (me të gjitha të mirat e mirëkuptimin që kishe), por fute duart edhe te tjetërsimi i pronës që nuk është e jotja. Si munde ta shesësh pronën e huaj? Kush të shtyu ta bësh atë? E bëre për një përqindje, ashtu siç të kishte premtuar partneri yt në këtë vepër kriminale, nëse do ta kryenit me sukses këtë akt të shëmtuar.

Ti falsifikove dokumente, vula dhe çdo gjë tjetër. Pse, para se ta kryeje këtë akt të shëmtuar, nuk erdhe të kërkoje ndihmë, si herët e tjera? Ndoshta do të të kisha ndihmuar. Pse e mbajte këtë akt të fshehur për më shumë se 5 muaj, derisa rastësisht e zbuluam, pse unë nuk kisha bërë asnjë hulumtim, sepse kisha besim tek ti?

Ti i përbuze të gjitha: përbuze bujarinë dhe shtëpinë time. Mos harro se drejtësia, herët a vonë, vjen si rrufeja”, shkruan Pacolli.

Ora 11:30
Sherri mes ortakëve në aeroportin e Vlorës, Pacolli përmes përfaqësuesve: Situatë e papranueshme! Kemi kontaktuar institucionet, kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme

 

Ekipi ligjor i Behgjet Pacollit ka reaguar për përplasjen në kantier të punonjësve mes kompanisë “Mabco” dhe asaj “2A Group” të Valon Ademit. Bllokimi i punimeve, thuhet në deklaratën zyrtare, ka krijuar një situatë “të papranueshme” dhe “të paligjshme.” Përfaqësuesit thonë se po pengohet hyrja në kantier e 200 punonjësve.

Sipas avokatëve, është akt që po kryhet nga një administrator pa autoritet ligjor dhe për këtë, i janë drejtuar prokurorisë Vlorë, kryeministrit, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë duke kërkuar “ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur rendin publik, ligjin dhe integritetin e Kontratës së Koncesionit.”

Deklarata e plotë:

Tiranë, 18 maj 2026

Sot në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po zhvillohet një situatë e papranueshme plotësisht e paligjshme dhe ne kufijte e veprimeve penale te denueshme.

Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A. (Dhe nenkontraktoreve te saj) – ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.

Ky pengim i njëanshëm dhe i paligjshëm po kryhet nga persona që veprojnë në emër të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., nën drejtimin e një administratori (z. Vegim Hoxha) ilegjetim, emërimi i të cilit eshte ne shqyrtim gjyqesor!

Mabco Constructions S.A. e ka kontestuar kategorikisht çdo pretendim për “zgjidhje kontrate” dhe e konsideron atë akt të paligjshem, të kryer nga një administrator pa autoritet ligjor. Çdo veprim i Valon Lukës me 2% apo njerëzve të tij që të emeruar ne menyre te paligjsme qe synon përjashtimin e ortakut mazhoritar 98% nga kantieri përbën cenim të rëndë të të drejtave të tij si ortak, investitor dhe garantues i projektit koncesionar.

Ekipi ynë ligjor ka njoftuar prej dites se premte dhe serish sot :

Prokurorinë e Vlorës,

Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë,

Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë (si Autoritet Kontraktues)

për këtë situatë të rëndë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur rendin publik, ligjin dhe integritetin e Kontratës së Koncesionit.

Kjo situate po rrezikon:

Sigurinë dhe rendin publik në kantier;

Vijimësinë e punimeve për certifikimin dhe hapjen e aeroportit;

Investimin e madh zviceran dhe interesin kombëtar të projektit.

Mabco Constructions S.A. u bën thirrje autoriteteve kompetente që të veprojnë pa vonesë për të garantuar aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve tanë në kantier, në përputhje me ligjin dhe kontratën koncesionare.

Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja ne Shqipëri. Do të vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona ligjore, civile dhe penale, ndaj çdo personi ose subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin publik.

Mabco Constructions S.A.

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emigranti: 18/05/2026 12:12

    do vijne miliarda turistaaaa te ne

    Përgjigju
  • Partia: 18/05/2026 09:40

    Ne pronë private po e bejne këtë apo ne prone te shtatit? Mjer ne, mjer femijet tane qe jetojne ne nje vend pa shtet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Maj, 10:01

    PS e PD miratojnë rezolutë, besoni se do anëtarësohemi në BE deri në 2030?