Sipas KosovaPress, fluturimi përurues do të bëhet sot, ndërsa fluturimet e Germania Flug AG do të bëhen me aeroplanin Airbus 319 tre herë në javë (të mërkurave, të shtunave dhe të dielave). Fillimi i fluturimeve për në Prishtinë nga Germania Flug AG do të rrisë numrin e mundësive për pasagjerët që udhëtojnë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" dhe do të ofrojë më shumë opsione për të udhëtuar në Kosovë dhe anasjelltas.
"Kemi kënaqësinë e hapjes së lidhjes së re ndërmjet Zyrihut dhe Prishtinës. Germania dhe Air Prishtina po bashkëpunojnë për shumë vite me radhë në Gjermani dhe jemi krenar që tani kemi një partneritet edhe në Zvicër, gjithashtu", citohet të ketë thënë Urs A. Pelizzoni, anëtar i bordit të Germania Flug AG.
Përveç kësaj, në Aeroportin Ndërkombëtarë është rritur edhe numri i fluturimeve. Nga 29 marsi është vendosur gjithashtu edhe një linjë fluturimi drejt Bergamos në Itali.