Kryeministri Edi Rama do të thirret si dëshmitar në gjyqin e aferës “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij Malltezi dhe disa të tjerë.
GJKKO pranoi sot kërkesën e mbrojtësve të Berishës e Malltezit për të thirrur Ramën, i cili sipas tyre ka ka firmosur ndryshimin e destinacionit të truallit të ish kompleksit Partizani, nga terren sportiv për ndërtim, në kohën kur ka qënë Kryetar i Bashkisë Tiranë.
Nëse Kryeministri do të jetë apo jo në gjyq kjo mbtetet për t’u parë dhe do të kërkojë kohë. Provat dhe dëshmitarët e mbrojtjes do të duhet muaj të thirren, pasi të pëfundojnë ata të akuzës.
8 janë dëshmitarët që janë thirrur nga SPAK që në seancën e ardhshme, e cila do të mbahet më 30 prill.
I pari kallëzuesi i aferës në SPAK, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Pas tij drejtues të rëndësishëm të ish klubit të futbollit “Partizani” apo edhe ish shumësportësit me të njëjtin emër.
Ish presidentët e Partizanit Albert Xhani dhe Paro Laçi dhe ish drejtorët Bujar Labinoti, Afrim Tole, Isa Tare pritet të dëshmojnë mbi procedurat që u ndoqën për t’i marrë atyre pronën ku vazhdonin aktivitetin sportiv.
Në dosje e SPAK thuhet për shembull se ish-drejtorit të viteve 1995-2005, Isa Tare ka dëshmuar se atij iu premtua një apartament që të mos kundërshtonte privatizimin. Po në SPAK edhe ish Presidenti Paro Laçi ka thënë se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit. Ndërsa Afrim Tole, drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008 ka bërë para hetuesve të SPAK një pasqyrë të të gjitha pronave që “de facto” dhe “de jure” posedonte klubi.
Dy dëshmitarët e tjerë nga 8 të parët që ka thirrur SPAK në seancën e 30 prillit janë edhe Dhurata Çela dhe Petrit Kullolli. E para ish drejtorëshe e Agjencisë së Pronave për Tiranën dhe i dyti topograf, në grupin e atyre që shqyrtuan dosjen e “Partizanit”. Sipas SPAK, dosja e ish-kompleksit Partizani, ishte nga të parat që u shqyrtua nga agjencia e Pronavel, ndërsa një dëshmi në prokurori e ish drejtorësh se përgjithshme të Pronave Justina Boriçi konfirmon se Dhurata Çelën e kishte emëruar me rekomandim nga lart.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










