Në gjyqin e aferës “Partizani”, me të pandehur për korrupsion Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Malltezi, i akuzuar dhe për pastrim parash, këtë të hënë ishte radha e ish Presidentit Bamir Topi për të dëshmuar para togave të zeza të GJKKO.
Kreu i shtetit në vitet 2007-2012 në dosjen e SPAK për privatizimin e ‘Partizanit’ lidhet me një moment kyç të procesit, nxjerrjen nga “Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura” të ambienteve ish klubit të futbollit.
Topi, sipas SPAK më 29 gusht 2007, vetëm një muaj pasi kishte marrë detyrën e firmosi një shkresë të mbërritur në zyrën e tij nga Ministria e Mbrojtjes, që parashikonte se tashmë pronat e ish kompleksit Partizani nuk do të ishin më pjesë e planit të shpërndarjes së ushtrisë, që i hapte rrugën kështu privatizimit përfundimtar.
Dhe pikërisht këtë fakt ka pranuar edhe ish kreu i shtetit. Edhe pse u kundërshtua nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre të cilët pretendonin se prona nuk kishte qenë as më parë në Planin e Përhapjes, ish presidenti i qëndroi vlerësimit se e kishte firmosur ai në 2007-n këtë ndryshim.
Malltezi: Për këtë datë të vitit 2007, që ka dalë nga plani i përhapjes, nga e mësuat?
Topi: Ka qenë një prezantim i bërë te Presidenti, ku kanë qenë edhe ekspertë të NATO-s. Presidenti mund të bëjë ndonjë pyetje
Kjo deklarata e vë në dyshim serioz të gjithë ligjshmërinë e privatizimit të ish kompleksit Partizani, pasi nëse është e vërtetë se e gjithë prona ka qenë pjesë e “Planit të Përhapjes” së Ushtrisë atëherë ligji e ndalonte kategorikisht nisjen e procesit.
I pyetur nga prokurorja e SPAK Millonai, Bamir Topi tha se firma e tij ishte vetëm për t’i dhënë vulën juridike dokumentit.
"Plani i përhapjes ishte një veprim politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes dhe një plan teknik që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Tek unë vinte vetëm për t’u mbyllur juridikisht”
Në fund ish Presidenti e bëri të qartë para GJKKO pozicionin e tij për privatizimin e asaj prone shtetërore.
"Kur vjen për të dalë nga Plani i Përhapjes, vjen si pronë shtetërore dhe nga Presidenti del prapë si pronë shtetërore. Deri në atë moment kur është nënshkruar, prona ka mbetur me atë status. Pastaj, e gjithë pjesa tjetër është pjesë e menaxhimit të administratës", tha Topi.
Pasi Bamir Topit ishte radha e një Urim Mujas për të dëshmuar, ish drejtor i shitjeve në Ministrinë e Financave! SPAK thotë se ai nxori në shitje godinat në ish Klubin Shumësportesh Partizani edhe pse ishte informuar nga vartësit e tij se objekti nuk kishte dokumentacion të rregullt. Muja vetë pretendoi se kishte respektuar ligjin, edhe pse siç tha nuk mbante mend procedurat me hollësi.
Tashmë gjyqi për Partizanin do të vijojë në vjeshtë, kur më 14 shtator është thirrur për të dëshmuar ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish gjenerali Vladimir Qirjazi, Paro Laci, Justina Borici dhe Maksim Malaj.
Çfarë thotë SPAK për nxjerrjen e 'Partizanit' nga Plani i Përhapjes
Në dosjen e SPAK ish presidenti në vitet 2007-2012 përmendet në lidhje me veprimet që u kryen për nxjerrjen nga “Plani i Përhapjes” së Forcave të Armatosur të ish klubit të futbollit ‘Partizani’.
SPAK evidenton një shkresë të 9 gushtit 2006 ku në listën e pronave për Klubin e Futbollit Partizani, ishte përcaktuar që të ishte pjesë e planit të Përhapjes.
Por SPAK thotë se Fatmir Mediu bën një relacion më 2 maj 2007 ku prona nuk paraqitej më në ‘Planin e përhapjes’ dhe më 17 gusht 2007 shkresa i përcillet Presidencës së Republikës.
Baimir Topi u zgjodh Kryetar i Shtetit në 24 Korrik 2007 me votat e Partisë Demokratike dhe më 29 Gusht, vetëm një muaj pas marrjes së detyrës, ai nënshkroi "Planin e përhapjes" të ri për vitet 2007-2010 nga i cili Kompleksi sportiv Partizani u hoq.
Pengesa e parë procedurale më në fund është zgjidhur, dhe procesi i privatizimit mund të rifillojë me shpejtësinë maksimale për të kompensuar kohën e humbur. Në fakt, më 19 shtator 2007 (dmth vetëm 21 ditë pas nënshkrimit të Bamir Topit), Ministri i Ekonomisë Genc Ruli me shkrese 50/1 miratoi kërkesën e privatizimit dërguar nga Fatmir Mediu dy vjet më parë, si ministër i Mbrojtjes. Sidoqoftë, Fatmir Mediu nuk do ta përfundojë procesin sepse disa muaj më vonë ai do të zhytet në skandalin e Gërdecit, edhe një herë për t'i shërbyer familjes Berisha dhe me 26 vdekjet mbi supe, këtë herë do të detyrohet të japë dorëheqjen.
Pjesa në dosjen e SPAK ku flitet për Planin e Përhapjes
Gjatë dëshmisë, Topi foli edhe për një takim që kishte zhvilluar në vitin 2009 me ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, gjeneral Vladimir Qirjazi, i cili i kishte paraqitur shqetësime lidhur me çështjen e kompleksit “Partizani”.
PJESË NGA DËSHMIA E ISH PRESIDENTIT TOPI
Prokurorja Enkeleda Millonai: A i njihni të pandehurit Fatmir Bektashin, Andia Pustinën, Xhiki Begejan dhe Jamarbër Malltezin?
Bamir Topi: Malltezin e njoh si dhëndrin e Berishës. Nuk kemi pirë asnjë kafe, e njoh vetëm nga distanca. Me zotin Begeja kemi jetuar në lagjen e vjetër, në një distancë rreth 400 metra. Nuk jemi ulur ndonjëherë apo të kemi konsumuar bisedë. E njoh si pjesëtar të një familjeje të njohur. Bektashin e njoh sepse ka qenë zëvendësministër në një ministri, por nuk kam pasur asnjë kontakt me të. Me Andia Pustinën nuk kam asnjë njohje. Për Bektashin kam përshtypjen se ka qenë zëvendësministër në qeverinë Meksi, por nuk më kujtohet saktësisht. Kam qenë President i Republikës në vitet 2007-2012.
Millonai: Për planin e përhapjes, cilat ishin strukturat që bënin propozimin përpara se ju ta miratonit?
Topi: Presidenti ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Plani i përhapjes ishte një veprim politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes dhe një plan teknik që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm. Në atë kohë punohej intensivisht për anëtarësimin në NATO. I gjithë procesi asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s. Tek unë vinte vetëm për t'u mbyllur juridikisht.
Millonai: Sa herë keni pasur veprime për planin e përhapjes, për miratime apo ndryshime?
Topi: Presidenti kishte edhe kompetencë, por edhe detyrim t'i nënshkruante.
Millonai: Keni pasur dijeni për ndonjë problem me "Partizanin"?
Topi: Tek Presidenti vinte vetëm për miratim. Kur plani i përhapjes dilte nga Shtabi i Përgjithshëm, nuk ishte më përgjegjësi e Presidentit. Në vitin 2009 ka ardhur një herë gjeneral Vladimir Qirjazi. Ai ekspozoi shqetësimin. I kam thënë shefit të kabinetit ta asistonte me grupin e këshilltarëve. Unë njoftohesha për rezultatet. Kam marrë informacion nga shefi i kabinetit se ishin konsultuar dhe kishin ndarë mendimet, por kishin konstatuar se nuk ishte kompetencë e Presidentit, pasi prona kishte dalë nga plani i përhapjes që në vitin 2007. Është dhënë asistenca normale që mund të jepte një kryetar shteti, por ishte një problem që nuk kishte të bënte me Presidencën.
Millonai: Keni qenë në dijeni në lidhje me procedurën e privatizimit?
Topi: E kam dëgjuar, por ishte jashtë kompetencës së Presidencës.
Millonai: Shkresërisht jeni njoftuar nga Vladimir Qirjazi lidhur me ndonjë problematikë?
Topi: Unë këtë mbaj mend, që i organizuam edhe konsultën për të parë se çfarë problemesh kishte.
Millonai: Ju keni shkarkuar Vladimir Qirjazin nga detyra e komandantit të Komandës Mbështetëse, duke e emëruar më vonë si zëvendëskomandant. Kush i bënte propozimet?
Topi: Nuk më kujtohet mirë, por ndoshta Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Jamarbër Malltezi: Keni qenë në dijeni se prona kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2004?
Topi: Jo, nuk e di.
Malltezi: Nga doli që kishte dalë në korrik 2007? Jua tha Qirjazi?
Topi: Nuk e di. Presidenti nuk futet të analizojë si është përgatitur shkresa. Aty ku përgatitet plani i përhapjes është Shtabi i Përgjithshëm. Presidenti nuk ka nga ta dijë.
Malltezi: Për këtë datë të vitit 2007, që ka dalë nga plani i përhapjes, nga e mësuat?
Topi: Ka qenë një prezantim i bërë te Presidenti, ku kanë qenë edhe ekspertë të NATO-s. Presidenti mund të bëjë ndonjë pyetje.
Malltezi: Nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2004. Ju paraqes një shkresë të Shtabit të Përgjithshëm që tregon se nuk ka qenë në planin e përhapjes as në vitin 2006. Kush jua tha se kishte dalë nga plani i përhapjes në vitin 2007?
Topi: Presidenti nuk komunikon me "të thashë e më the". Gjuha është institucionale.
Malltezi: Nuk ka asnjë shkresë që ta ketë pasur në planin e përhapjes dhe ju thatë se ka dalë në vitin 2007. Nga e mësuat?
Topi: Vjen nga Shtabi i Përgjithshëm dhe shqyrtohet nga këshilltarët e ekspertët e NATO-s.
(...)
Kodiana Gjyzari (avokate e Sali Berishës): Kjo procedurë i përket vitit 2007.
Gjyzari: Në Planin e Përhapjes, repartet ishin të përcaktuara me numra?
Bamir Topi: Po.
Gjyzari: Po si e mbani mend?
Topi: Sepse kur thirresh si dëshmitar bën një analizë. Unë kam miratuar një procedurë me firmë, pjesën finale. Në memorien time kanë qenë shumë reparte, nuk ka qenë një. Në mënyrë rigoroze është ndjekur procedura.
Gjyzari: Nga Prokuroria janë sekuestruar të gjitha aktet që kanë pasur të bëjnë me Planet e Përhapjes dhe ato të nënshkruara nga ju. Ju thatë se repartet janë me numra. Ju e keni miratuar të parin një muaj pasi erdhët në detyrë. Si e identifikuat që "Partizani" ishte ose jo në listë?
Topi: Kur vjen lista, jo se është e shënuar se cilat janë, por nuk është e ndaluar të mësosh se aty ka të bëjë edhe një repart konkret, si në rastin e "Partizanit". Janë këshilltarët juridikë që asistojnë. Ju doemos duhet ta hetojë Presidenti se cili është reparti, ndërkohë që ajo procedurë bëhet nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ekspertët e NATO-s.
Gjyzari: Cili është roli i Ministrisë së Mbrojtjes?
Topi: Bashkëpunon, sepse ka pjesën politike. Pjesa e ekspertizës është e Shtabit të Përgjithshëm. Tek Presidenti vijnë në momentin e fundit për firmën si akt juridik.
Gjyzari: Ju thatë se asistohej edhe nga ekspertë të NATO-s. Ju kujtohet ekspertiza që ofronin?
Topi: Mendoj se ishte në kuadrin e standardeve të NATO-s, pasi do të bëheshim pjesë e NATO-s.
Gjyzari: Në raport me Planin e Përhapjes, çfarë ofronin?
Topi: Në kuadrin e reformimit. Kur futesh në NATO, është një kuadër i gjerë reformash politike, për asetet e të tjera. Është një proces kompleks.
Gjyzari: Është marrë në konsideratë vlerësimi i ekspertëve të NATO-s?
Topi: Ekspertët kanë asistuar Shtabin e Përgjithshëm.
Gjyzari: Për takimin me zotin Qirjazi, ju kujtohet ndonjë pjesë e bisedës?
Topi: Jo. Isha në axhendën time intensive. E solli shefi i kabinetit dhe, pasi i bëra një bisedë, i thashë shefit të kabinetit të bënte një konsultë me këshilltarët.
Jamarbër Malltezi: Duke pasur para syve dekretin e Moisiut të vitit 2004, kur prona nuk ka qenë në Planin e Përhapjes, si edhe faktin që nuk ishte as në vitin 2006, a mund të hynte një pronë në Planin e Përhapjes pa dekretin e Presidentit?
Topi: Logjika kushtetuese thotë jo, por Plani i Përhapjes ka ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm.
Avokati Klodjan Skënderi: Pozicioni i zëvendësshefit të Komandës së Bashkuar, me pozicionin e komandantit të Komandës Mbështetëse, si qëndron në hierarki?
Topi: Nuk di ta them.
Skënderi: Në dijeninë tuaj, tek Klubi "Partizani" ka pasur ndonjë orkestër frymore?
Topi: Nuk e di.
Bamir Topi kërkon të shtojë diçka:
Kur vjen për të dalë nga Plani i Përhapjes, vjen si pronë shtetërore dhe nga Presidenti del prapë si pronë shtetërore.
Deri në atë moment kur është nënshkruar, prona ka mbetur me atë status. Pastaj, e gjithë pjesa tjetër është pjesë e menaxhimit të administratës.
Malltezi: A ju ka bërë njeri presion për këtë, Malltezi, Berisha apo Begeja?
Topi: Kurrë, asnjë.
Gjyzari: A jua ka bërë prokurorja një pyetje të tillë?
Topi: Ju, por jam shprehur në funksion të komunikimit.
Xhimi Begeja: Ju, kur keni qenë President, keni ndikuar tek këshilltarët kundër familjes sonë për çështjen "Partizani"?
Topi: Kurrë, asnjëherë. Nuk jam marrë me këtë gjë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajm në përditësim...
Urim Muja, ka mbajtur rolin e drejtorit të sektorit të shitjeve pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në varësi të Ministrisë së Financave. Roli i tij në dosjen ‘Partizani’ ka lidhje me momentin kur pasi prona ishte privatizuar, tashmë pronarët e saj kërkonin të blinin objektet shtetërore në këtë pronë me të drejtën e parablerjes.
SPAK evidenton një memo të datës 26 maj 2008, ku vartësi i Urim Mujas, Nuri Sopaj i dërgon informacion lidhur me fillimin e procedurave ligjore për privatizimin e objektit Klubi Shumësportesh Partizani. Sipas kësaj memo i bëhet me dije se për pronësinë e truallit dhe HTR për objektin Pishina Laprakë, rezulton me mbivendosje me dy bashkëpronarë, pra rezulton të jetë private....Në miratimin e genplanit nga Urbanistika Ligjore e Bashkisë Tiranë, është vënë shënimi "Territori përfshihet në zonë sportive sipas planit rregullues dhe zonë banimi sipas vendimeve të KRRTRSH” dhe nuk thuhet se mund të privatizohet.
Sopja i thotë drejtorit të tij Muja se para se të fillojnë procedurat për privatizimin e këtij objekti duhet të kërkohet dokumentacion shtesë lidhur me regjistrimin e pronësisë për Pishinën Laprakë.
Por më 11 korrik 2008 trashëgimtarët e familjeve pronare Begeja dhe Saliaga, i kanë drejtuar Ministrit të Financare Ridvan Bode dhe Urim Mujës "Kërkesë për ushtrim të të drejtës së parablerjes", duke pretenduar se pasuritë e tyre bien mbi 90% të truallit nën objekt të Klubit Shumësportesh Partizani, prandaj kërkojnë të privatizojnë objektin.
Një muaj më pas, në një tjetër memo të datës 11 gusht 2008, Nuri Sopja i thotë sërish drejtori të tij se përgjigjet nga Ministria e Ekonomisë kanë ende mangësi.
Por kjo nuk e ndalon Urim Mujën që përmes disa shkresave, një të nëntorit 2008, të janarit 2009 dhe një tjetër të shkurtit 2009, të vërë në lëvizje institucionet për të përfunduar procedurat e privatizimit.
Por në dëshminë e tij në GJKKO, Muja mohoi të ketë pasur parregullsi në trajtimin e dosjes së ish-kompleksit "Partizani", duke thënë se ka zbatuar ligjin.
Pjesë nga dëshmia
Prokurorja Enkeleda Millonai: Keni qenë i punësuar në Ministrinë e Financave dhe çfarë pozicioni keni mbajtur?
Urim Muja: Kam qenë në vitet 1993-1996 dhe më pas, në vitin 2006, si drejtor i Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike deri në vitin 2013. Pastaj kam mbetur pa punë. Ne nuk krijonim produkt në dosje. Ne ishim të detyruar me ligj që të lidhnim kontratën me blerësin te noteri. Dosja vinte nga Ministria e Ekonomisë.
Millonai: Tek ju ka ardhur dokumentacioni i "Partizanit" dhe një memo. Keni kërkuar informacion për pishinën. Pse nuk e kthyet dosjen mbrapsht?
Urim Muja: Kjo ishte një dosje normale, si të gjitha që kemi trajtuar. Kur vinte një dosje dhe mungonte një dokument, e kërkonim. E kemi bërë konform ligjit. Kur mungon një akt, ai kërkohet. Kështu kemi vepruar për të gjitha dosjet. Çdo veprim është bërë sipas ligjit.
Është një dosje normale, si dhjetëra dosje të tjera. Nuk ka pasur asnjë problem të jashtëzakonshëm. Si ajo kemi trajtuar edhe dosje të tjera. Kur mungonte një dokument, e kërkonim të sillhej.
Millonai: Ju i keni kërkuar ZRPP-së informacion për objekte në privatizim, si për pishinën në Laprakë. Kishit në dosje ndonjë kërkesë të ish-pronarëve që kërkonin privatizim?
Urim Muja: Ajo dosje kalonte nëpër filtra, kalonte në sektorë. Sektori i shitjes ka konstatuar se duhej edhe ajo shkresë. Unë nuk i mbaj mend me detaje, por kështu kemi vepruar me çdo dosje.
Millonai: E mbani mend se ku shtrihej Sport Klub "Partizani"?
Muja: Ndoshta nga Lapraka. Nuk e kam parë ndonjëherë. E kam të dëgjuar. Nuk kam qenë asnjëherë.
Millonai: Çfarë arsimi keni?
Muja: Ekonomist financier.
Millonai: Po Nuri Sopaj?
Muja: Financier.
Millonai: Nga grupi juaj i punës ka ndodhur një ndryshim i sipërfaqes shtet.
Muja: Ne kemi pasur edhe topograf. Nuk i mbaj mend të gjithë specialistët dhe arsimin e tyre. Kjo ka qenë nga dosjet më normale, sepse nuk ka dalë ndonjë problem. Dosja ka qenë konform ligjit dhe këtë procedurë kemi ndjekur për të gjitha dosjet.
Millonai: I ndjeri Nuri Sopaj ju ka bërë me dijeni me një memo. Nga ana juaj i është drejtuar një shkresë Ministrisë së Ekonomisë, ku keni kërkuar prononcim për privatizimin dhe konfirmim nëse objektet ishin ende subjekte sportive, nëse u ishte hequr statusi.
Muja: Nëse e kam shkruar unë, ashtu do të jetë. Di që çdo gjë është bërë me ligj. Ne nuk shpallnim objekte pa qenë brenda ligjit.
Millonai: Tek pjesa e pishinës rezultonin disa pronarë. Si e keni nxjerrë në shitje kur kishte disa pronarë?
Muja: Kur është bërë shpallja, është bërë që ta merrnin ish-pronarët. Nuk është shpallur në ankand.
Millonai: Çfarë është bërë me sipërfaqen e tokës shtet? Është paguar?
Muja: Po më futni në detaje. Ju edhe në Prokurori më keni nxjerrë një faturë. Drejtoria aty është. Shkoni dhe verifikojeni. Sa mbaj mend, ish-pronarit i jepej e drejta ta merrte.
Millonai: Keni thënë se pagesa do të bëhej kur të vinte konfirmimi?
Muja: Po, është bërë fatura.
Millonai: Për "Partizanin" keni kërkuar përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes. Procedura ka zgjatur shumë. Ka pasur ndonjë problematikë?
Muja: Nuk më kujtohet të ketë pasur gjë.
Millonai: Nga Ministria e Mbrojtjes ju është kërkuar të takonit ndonjë përfaqësues?
Muja: Asnjëherë. Dosjet me ish-pronarë ishin të thjeshta.
Millonai: Me bono paguheshin edhe të tjerët apo vetëm ish-pronarët?
Muja: Sa mbaj mend, vetëm ish-pronarët.
Kodiana Gjyzari: Sipas VKM-së kishte afat për dorëzimin e sendit?
Muja: Po.
Gjyzari: Është respektuar afati, kur sendi është marrë pas 9 muajsh?
Muja: Nuk e di si ka qenë avancimi i kohës. Nuk kemi pasur asnjë problem.
Gjyzari: Për sipërfaqen 857 m², që nuk ishte e pronarit por e Sport Klub "Partizani", kjo sipërfaqe është shitur apo jo?
Muja: Duhet të jetë shitur, por nuk e mbaj mend.
(Pasi lexon kontratën)
Ka raste kur vinin ish-pronarët, por godina jo gjithmonë binte mbi tokën e ish-pronarëve dhe atyre u lindte e drejta ta blinin.
Komente











