Një kamikaz taleban vrau tre ushtarë të NATO-s dhe plagosi 15 persona të tjerë, në qendër të Kabulit, sulmi i parë që prej disa javësh në kryeqytetin afgan që është përfshirë nga një paralizë politike paszgjedhore.
Shpërthimi ka goditur Kabulin në orën e pikut të trafikut të mëngjesit, në rrugën e aeroportit, pranë hyrjes së kompleksit të fortifikuar të ambasadës amerikane, në një lagje ku ndodhen kryesisht Gjykata e Lartë, një bazë ushtarake dhe ambasada të tjera.

"Ishte një atentat kamikaz kundër një autokolone të forcës së NATO-s", deklaroi Hashmat Stanikzai, zëdhënës i policisë së Kabulit.

"Të paktën tre ushtarë të ISAF u vranë në këtë sulm kamikaz", njoftoi forca e NATO-s në një komunikatë pa dhënë detaje për kombësinë e tyre./ATSH/