Kryeminstri Edi Rama u shpreh në 'Studio Live' se në emisionin e RAI 3 u thanë shumë gënjeshtra që dëmtojnë Shqipërinë. Sa i përket akuzave se Ëngjëll Agaçi, si avokat në Itali ka mbrojtur trafikantë dhe kriminelë, Rama shprehet se në një sistem demokratik, avokatët nuk mbrojnë shenjtorët.
Pyetja: Ju keni komunikuar për drejtorin e RAI, një lajm që e keni konfirmuar edhe për Shqiptarja.com. Mund të zbulojmë ndonjë detaj, si e priti telefonatën tuaj?
Rama: Natyrisht se nuk kisha se me kë komunikoja tjetër dhe nga ana tjetër nuk komunikova me drejtorin e RAI 3 për t’iu ankuar për ndonjë gjë që është punë e gazetarëve por për ti bërë me dije se një skandal i madh deuntologjik dhe etik ka ndodhur pasi përmes ekranit ju është përcjellë të gjithë atyre që e kanë ndjekur në Shqipëri dhe Itali një gënjeshtër e pafalshme për burimet e informacionit. Kanë pasur në dorë përgjigjet e dhëna dhe nuk kanë publikuar asnjë nga këto dhe kanë thënë që nuk janë përgjigjur. Ky është kulmi. E vetmja gjë ka qenë kjo dhe absolutisht asgjë tjetër.
Pyetje: Pse Ëngjëll Agaçi është vënë target i këtij sulmi sipas jush?
Rama: Është shumë e qartë që sulmi nuk do kishte ndodhur po të mos bëhej fjalë për një barrikadim politik në Itali midis të majtës dhe të djathtës në prag të zgjedhjes dhe goditja për paktin e bërë mes Italisë dhe Shqipërisë, është një goditje për qeverinë italiane dhe jo shqiptare. Por tendenca për ta futur Shqipërinë aty si dëm kolateral dhe për ta lënë të kuptohet që ja me kë kanë bërë marrëveshje, me një qeveri ku ky ka qenë avokat i trafikantëve. Ndërkohë që unë nuk di që avokatët në një sistem të së drejtës mbrojnë shenjtorët. Sistemi i së drejtës në demokraci e ka figurën e avokatit për të mbrojtur këdo dhe një avokat penalist nuk është dot kurrë i dënueshëm pse kryen një detyrë ndaj sistemit demokratik se përndryshe kthehemi në Shqipërinë e Enver Hoxhës ku figura e avokatit u dogj si shtrigat në mesjetë dhe u zhduk nga kushtetuta. Janë thënë gjëra të tjera të rënda, gënjeshtra, po nuk po i hyj këtyre. Shqipëria është goditur me duart e italianëve, por me mallin e dhënë nga shqiptarët këtu në Tiranë. Nga po ata shqiptarë që sa herë iu jepet mundësia në çdo hapësirë që krijohet kudo në botë, e bëjnë me paskrupullësinë dhe me një ndjenjë armiqësie ndaj vendit e cila projektohet si armiqësi ndaj meje dhe ndaj qeverisë. Kjo është ajo që ndjek Shqipërinë si mallkim.
Lajmi kryesor: