Agim Faja: “Origjina e botës”, një
bashkëbisedim me Eleni Laperin

Agim Faja: “Origjina e botës”, një<br />bashkëbisedim me Eleni Laperin
TIRANE- E nderuar zonja Eleni! Kjo sa për fillim pasi më poshtë, nuk do të komunikojmë me “Ju” e “Ne”, por me “Unë” e “Ti”,  se jemi kolegë e kemi mbaruar të njëjtin institut, kemi të njëjtat synime dhe na shqetësojnë të njëjtat probleme artistike. E lexova me kënaqësi shkrimin “HALIL SHERIF PASHA DHE MARRËDHËNIA E SHQIPTARËVE ME ARTIN” që e kishe botuar në gazetën “Standard” të 23 tetorit 2013, faqe 18-19. M’u duk një shkrim i plotë dhe me shumë informacion të detajuar.

Këtë që do të diskutojmë më poshtë nuk do ta quaja debat, por thjeshtë një bashkëbisedim midis kolegësh, se debati ka një të keqe, fillon “piano-piano” dhe përfundon me britma. Le t’ia lëmë parlamentarëve debatet, nga goja e të cilëve, o Zot çfarë s’kemi dëgjuar, fjalë nga më poshtërueset, shumë prej të cilave nuk i përmban as “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”, si: vagabond, horr, rrugaç, zhelaman, lavire bulevardi, ta bëj fytyrën ma të zezë se këpuca, ta baj shpinën ma të butë se barku, lesh, përshesh, laskuriq etj.

Thjeshtë për t’u sqaruar, ky Halili i Sherifit, e kishte titullin “Pasha” apo “Bej”? Me sa kujtoj nga “Fjalorët”, titulli “pasha” u jepej funksionarëve të lartë civilë e ushtarakë në Perandorinë Osmane; ndërsa titulli “Bej”, që ishte më i ulët se ai i “Pashait”, ishte titull fisnikërie, që i jepej një njeriu në shenjë nderimi me kuptimin “zotni”. Kështu fjala vjen, brenda familjes së madhe “Toptani”, vetëm Esadi thirrej Esad Pasha, gjithë të tjerët “Bej” (Abdi bej Toptani, Murad beu etj.). Edhe “Frashërllinjtë” kështu thirreshin: Abdyl bej Frashëri, Naim e Sami Frashëri.

Nga shkrimi yt mësova se ai paska qenë kodosh i madh, një qejfli i pacipë dhe imoral, që vishej bukur me uniformë ushtarake të tipit anglez. Sipas Teofil Goties, shkrimtarit dhe poetit të madh francez, një nga mjeshtrit e shkollës parnasiane, shkruan se “Halil Pasha qe i pari mysliman, që hyri  në rrethet elitare të Perandorisë së Dytë, ku e quanin princi i përrallave orientale, që mbeti turk nga bujaria, dorëshpuar, i tërhequr pas grave e kumarit, por që u bë shpejt parisian nga mendjemprehtësia, eleganca dhe dashuria për teatrin...”. Po aty mësova se ai kishte pasur disa gra, me të cilat qe divorcuar, si fisnikja franceze Juli dë Niverh, me të cilën pati dhe një vajzë: Tejlën, pastaj Zhan dë Turbei, pastaj me princeshën Nazli Fasil (nga dinastia e Mehmet Ali Pashës së Egjiptit) e më pas tërë ato prostituta ruse, kur qe caktuar ambasador në Shën Petërburg, që i ngjitën sifilizin, prej të cilit dhe vdiq.
 
A duhet të krenohemi ne me Halil Pashën?
Në shkrimin tënd midis të tjerash tërheq vëmendjen se “...shkrimet dhe komentet e autorëve shqiptarë, të botuara për tablonë “Origjina e Botës”, që ngrenë lart Halil Pashën me prejardhje shqiptare, për kurajën e padëgjuar të tij (e cila u mungonte edhe parisienëve), ulin poshtë publikun shqiptar për raportin e tij me artin, kanë të përbashkët sindromën e qytetarëve të shtetit të vogël. Personazhi i Halil Pashës është më i ndërlikuar dhe më interesant se sa një përcaktim i bërë për të forcuar ndjenjat nacionaliste të shqiptarëve apo për të qortuar mungesën e kurajës përpara një vepre të tillë. Vlerat e shqiptarëve dhe të kombit shqiptar, nuk fitojnë asgjë nga këto përcaktime të pabaza, po të njohësh mirë faktet e kësaj ndodhie. Te personazhi kryesor nuk gjen as guxim, as ndikimin e origjinës shqiptare (pasi ai vetë atdhe quan Egjiptin). Dhe pas këtyre ke renditur tërë ato bëma aventurore të Halil Sherif Pashës.

Eleni! Njëri nga ata tre autorët e shkrimeve për “Origjinën e Botës” të punuar nga piktori i shquar francez Kurbe, jam edhe unë. Shqetësimi im kishte të bënte me mosbotimin e tablosë “Origjina e Botës”, në studimin e shkrimtarit Luan Rama, pikërisht për të. Kur më erdhi riprodhimi i saj nga Italia, në vitin 2003, i shoqëruar dhe me vështrimin kritik të Vitorio Sgarbit, ndër më të njohurit në këtë fushë, më pëlqeu shumë. Nuk e pashë me syrin e një piktori vagabond, por me syrin e një të moshuari, që gjithsesi mendimin e ka më të pjekur. Më pëlqeu ideja e atij që e kishte porositur, duke e paguar (kur thotë populli ynë: “sa frëngu pulën”) me 20 000 franga, si dhe realizimi nga piktori, duke e konceptuar jo thjesht si seks i femrës, por si një portret të asaj pjese anatomike të trupit femëror, që simbolizon origjinën e botës, atë portë të shenjtë prej nga ka dalë njerëzimi.

Më pas, ku lexova dhe vështrimin kritik, që e shoqëronte atë, të shkruar nga Vitorio Sgarbi, i cili midis të tjerash nënvizonte se “...kjo është një pikturë me një realizim të jashtëzakonshëm; ndoshta piktura më antimetafizike e botës dhe se me këtë fillon piktura moderne, ajo e shenjtërimi i seksit në art, si një kënaqësi e natyrshme dhe e domosdoshme, që të shkakton një gjendje jermi...”, ndjeva një gëzim të brendshëm për atë që mendimi akoma nuk më qenka plakur. Sinqerisht ajo pikturë më shtyu në meditacione filozofike. Kur mësova se bërjen e asaj pikture e kishte porositur një ambasador turk, me origjinë të largët shqiptare, vërtet u ndjeva krenar. Në morinë e njerëzve mund të ketë edhe nga ata, që mund ta përçmojnë, duke thënë: “eee mër mo, ç’paska porosit budallai! Kështu është kur ke lekë shumë e s’di ku t’i harxhojsh...”. Më kujtohet kur mjeku farmakolog amerikan me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Ferid Murati, bashkë me dy shokë të tij, u vlerësua me “Çmimin Nobel” për krijimin e tabletës së Viagrës, pati shumë nga ata që e përfolën: “Eh, i shkreti shqiptar, atje e ka mendjen!” dhe jo të ndjeheshin krenarë për këtë zbulim në të mirë të shoqërisë. Prandaj dhe mendoj se duhet të jemi më prudentë dhe me zemër më të madhe.

Diku në studimin tënd ti i mëshon faktit se “...Halil Pasha, në tre vite harxhoi shuma të mëdha për të blerë piktura dhe krijoi një koleksion me 180 vepra, me vlera të plota, që u vlerësua si më misteriozet e shekullit të 19-të, për shkak të temave që trajtonin tablotë e grumbulluara prej tij. Në këtë koleksion kishte vepra të autorëve të mëdhenj francezë, si: Kurbe, Engër, Delakrua, Mësonje, Dobinji, Roró, Renuar, Ruso etj...”. Pra, vërtet aventurier e i shthurur, por me kërkesa artistike. Do të thuash se më shumë ndër to qenë nudo. Po, punë e madhe, ai ishte pasioni i tij dhe kujt nuk i bëri dëm, përkundrazi. Bujrum, ta bënin francezët, italianët, gjermanët e anglezët! Ose dhe propozimin që ai i bëri Kurbesë për t’i pikturuar “origjinën e Botës”. Pse nuk doli një francez, italian, kinez e vietnamez ta bënte para tij këtë punë?

Sinqerisht habitem dhe nuk e shpjegoj dot se si, pasi të kesh harxhuar tërë ato para për të blerë tërë ato piktura, njëra më e bukur se tjetra, e mos të të thonë dy fjalë të mira, dreqi ta hajë, kjo është tamam mosmirënjohje; Por aman o Eleni, kemi dëgjuar për ekspozita të mëdha armësh, që janë çelur nëpër botë, të mbushura me mauzerë, pushkë, dogra, allti, revole me mulli e pa mulli, nagante, mitraloza e kallashnikovë, që kur i shikon të tmerrojnë, se të sjellin ndërmend vrasje, vdekje, britma, gjak e rënkime njerëzish, qoftë edhe çifte që kanë vrarë, krahas ujqërve e dhelprave, edhe pëllumba e lepuj aq të butë e hyjnorë, dhe për këto ekspozita kanë buçitur mediat e shkruara dhe ato elektronike; kurse për atë koleksion veprash të autorëve më në zë të Francës, qoftë edhe nudo, siç informon studiuesi Luan Rama, të cilat veç kënaqësisë estetike e artistike, të qetësojnë shpirtin e të ngrenë adrenalinën, dhe mos të të japin asnjë falënderim.

Dhe ti thua që të mos krenohemi, qoftë duke qenë dhjetë herë larg, stërnipi ynë.
Sa për atë, që e mbante veten egjiptian, është më se normale, pasi në Egjipt ka lindur. Kot nuk këndon Çajupi: “Mëmëdhe quhet toka / ku më ka rënur koka”. Ne krenohemi për rrënjët e tij, që vijnë gjer në Shqipëri, siç krenohemi për Ana Oksën, Rafaela Karanë, Robdert Deniro, poetin rumun Mikhail Emihesku, shkrimtarin e madh argjentinas Ernesto Sabato etj. kohët e fundit, në një emision për Bosnjën, dëgjuam një studiues, që kur e pyetën, tha: “Ne boshnjakët, nga rrënjët jemi ilirë, nga gjuha jemi sllavë”. Ose kur informon lexuesin për indinjatën e njerëzve të atyre viteve dhe shtypin që e quani pikturë skandaloze dhe të pacipë, veprat e Kurbesë: “Gra duke fjetur” (që duken si lesbike), “Grua duke fjetur” apo dhe “Origjinën e Botës” apo kur i blinte Halil Pashai, thoshin me përbuzje: “ho mo se turk është ai”. Të shkretët! Nga ato piktura kishin bërë Botiçeli, Ticiani, Tintoreto e Rafaeli, më kone. Ato punime të pavlera, pa fantazi, të turpshme e të pacipa (gati surrogato), nipat dhe stërnipat e tyre, sot i ruajnë në Luvër me një fanatizëm të pashoq, duke i konsideruar vepra kombëtare.

Lidhur me jetën e tij prej aventurieri, që s’kishte lënë princeshë e konteshë, gjer dhe prostituta pa shtënë në dorë, kjo është jeta e tij, madje kjo ka qenë dhe jeta e Parisit të atyre viteve, siç na e kanë përshkruar vetë shkrimtarët francezë, si: Balzaku, Mopasani, Floberi, Hygoi etj. Kujtoj me këtë rast një thënie të bukur të kritikut dhe filozofit rus, Bjelinskit: “Po u fute në pijetore, edhe po s’pive, do të mbash erë”. Mirëpo Halil Pasha ynë, jo vetëm që ka hyrë në pijetore, por edhe ka pirë “rëndshëm” kur thonë. Pikërisht këtë thotë dhe Teofil Gotie: “Ai qe përfshirë në thellësi të jetës parisiane”. Natyrisht, i parë në këtë vështrim, diktatura që ne kaluam, do ta kishte kalbur në thellësi të minierave të Spaçit e Bulqizës, po ne sot po ndërtojmë një tjetër psikologji, atë që Evropa ka kohë që e përjeton. Le pastaj i ri dhe i bukur. Madje dhe i zgjuar. Sjell ndërmend atë që ke shkruar ti se “...kur i shiti të gjitha pikturat e koleksionuara, tha: Jeta është e çuditshme.

Gratë më kanë mashtruar, kumari më la trokë, pikturat më bënë përsëri me para”. Gjynah që vdiq aq i ri, vetëm 48 vjeç! Pastaj se ç’më thotë një mendje (domosdo mendje shqiptari) që në këto mund të ketë edhe teprime, që lidhen me zilitë, xhelozitë, mund t’u ketë prekur ndonjë dashnore, larg o Zot – gratë; pse, ja dhe fakti, si i shkoi mendja këtij për të porositur atë që porositi “Origjinën e Botës”. Se ka një gjë, Eleni: Xhakomo Kazanova nga Venecia, mbahet aventurieri më i madh i botës, madje bixhozçi dhe spiun. Kam lexuar “Kujtimet” e tij, që u botuan pas vdekjes, janë tronditëse, megjithatë italianëve nuk u vjen turp prej tij. E kanë të gjitha enciklopeditë e botës. Ose Katerina e Madhe e Rusisë, për të cilën shkruan me detaje shkrimtari Karoli Erikson në librin e tij “Katerina e Madhe”, qe një perandoreshë me aventura dashurore të panumërta, megjithatë, historia e kujton për reformimin e administratës shtetërore, zgjerimin e Rusisë në dëm të Perandorisë Turke dhe zhvillimin që i dha kulturës, letërsisë, artit dhe filozofisë ruse.

Pastaj, siç thonë dhe të diturit, njeriu është një makinë shumë komplekse, sa kohë që brenda tij, bashkëjetojnë edhe engjëlli edhe djalli. Lexoja para ca kohësh një tjetër shkrim, shumë interesant të Luan Ramës: “Në Specaj, në shtëpinë e bubulinës”, kushtuar jetës dhe veprës së heroinës arvanitase të revolucionit grek, që solli dhe pavarësinë e Greqisë. Pasi rendit tërë ato heroizma burrërore të saj, diku shkruan se “...Vitet e fundit të jetës i kalonte netët nëpër kabaretë e ishullit; Në mesnatë e përhumbur nën avujt e alkoolit, ndodhte që ndonjërit t’i vinte koburen në gjoks dhe ta merrte në shtëpi të saj, që të kalonte natën me të...”. kjo domosdo nuk na e zbeh figurën e Laskaripo Bubulinës, vajzës arvanitase 26-vjeçare, që për merita të veçanta, perandori rus do ta shpallte admirale të Flotës ruse të Egjeut (“Tirana observer”, 26.07.2013, f. 13).
Edhe për poetin e shkrimtarin e madh anglez Oskar Vilde, thuhet se kishte deviacione seksuale apo për kompozitorin e madh rus Çajkovskin, por kur dëgjojmë uverturat, simfonitë e koncertet për violinë e orkestër, kur dëgjojmë muzikën e baletit “Liqeni i mjellmave”, “Arrëthyesi” apo “Eugjeni Onjegin”, ndjejmë një kënaqësi të madhe shpirtërore dhe as që na shkon mendja te perversitetet e tij.
(...vijon nesër)
 
Kritika
“ORIGJINA E BOTËS është një ndër tablotë më famoze të Kurbesë, e cila qëndron bukur dhe qetë në Muzeun e Orseit. E ka titulluar “Origjina e Botës”. Duhet kuptuar mirë, se sa i guximshëm ka qenë ekspozimi i kësaj vepre, pasi është një pikturë e cila për shumë kohë ka qenë e censuruar. Kurbeja, duke shkuar më larg se Maneja, ka pikturuar pikërisht atë pjesë anatomike, që simbolizon origjinën e botës. Është një pikturë me një realizim të jashtëzakonshëm, ndoshta piktura më antimetafizike e botës. Në qoftë se do t’i referohemi Xhiotos, pra pikturës mesjetare, atëherë mund të themi se me këtë tablo fillon piktura moderne, shenjtërimi i seksit në art si një kënaqësi e natyrshme dhe e domosdoshme që të shkakton një gjendje jermi...”
Vitorio Sgarbi
Studiues e kritik arti italian

Shkrimi u publikua sot (14.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!