Agim Faja, Piktori i Merituar kaq
i dashur për mua/Mark Brunga

Agim Faja, Piktori i Merituar kaq<br />i dashur për mua/Mark Brunga
Një përshëndetje e veçantë për Agim Fajën nga Turqia: “Ju ndriçoni si dielli mbi piramida…”
 
Agim Faja është një piktor i shquar i vendit tonë. Ka kaluar një jetë intensive, me kulmet e saj të lumturisë dhe të trishtimit. Ai punon çdo ditë në studio. 
 
Megjithëse është me një peshë moshe tashmë 78-vjeçare. Dhe bashkëshortja e vetë Durrija është ndarë nga jeta  3 vite më parë. Dhe një gjymtyrë, këmbën, ia kanë prerë pas një sëmundjeje. Ai tashmë jeton e punon në studio së bashku me imazhin e ngrohtë të bashkëshortes fisnike pranë.
 
Po dhe jeta e tij është frymëzim për brezat e rinj, pasi ashtu, në një karrige paralitiku, punon çdo ditë, prej vitesh. Duke qenë shembull i njeriut që konkretizoi edhe në kufijtë e së pamundurës, pasionin për artin dhe triumfin e punës në jetë. Duke pasur pranë shëmbëlltyrën e gruas së tij Durrijes, që ka ditur ta kthejë në frymëzim edhe në çastet më dramatike…
 
Sa herë qëllon që të shkoj në Shijak, nuk mund t’ia mohoj vetes luksin e një bisede me të. Pasi Agimi është mjaft njerëzor dhe dashamirës për njerëzit që i do.
 
Ai mbase ka harruar, por kur isha fëmijë më ka marrë për dore në plazh, në sektorin e Hekurudhës, siç njihej në ato vite, afër “Adriatikut” dhe lokalit që njihej me emrin “Breshka”. Dhe ndër vite me shkëputje të ndryshme ndër kohë, jemi takuar e bashkëbiseduar për shumë gjëra…
 agim faja
(Piktori Agim Faja i ndarë nga jeta një ditë më parë)

Këtë radhë krahas bisedës që bëja me të më tërhoqi vëmendjen një tip posteri që e kishte mbi tavolinën e punës. Pasi e pashë më befasoi. Ishte një përkushtim në turqisht që një piktor turk  ia dërgonte me dedikim mjeshtrit Shijakas. Agimi e kishte përkthyer.

Miku turk i shkruante nga Stambolli: “Ky efekt fotografik është krijuar mbi bazën e një aplikimi, duke bashkuar piramidën më të rrallë të qytetërimit Maja dhe Juve, që ndriçoni si diell mbi të”. Stamboll 28. 8. 2011. Vorol Demirbash. Pas posterit ishte dhe një përgjigje e Agimit plot finesë…Një respekt i ngjashëm me vezullimin e një harku elektrik Stamboll – Tiranë...
 
Piktori Agim Faja ka lindur në Shijak në vitin 1939, qyteti ku jeton edhe sot. Një periudhë kohe ka punuar në arsim, ndërsa më pas ka filluar studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në vitin 1967 është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
 
Nga viti 1969-1992 ka qenë i zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues të kësaj Lidhjeje dhe për disa kohë Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve për Durrësin. Ka çelur 9 ekspozita personale dhe shumë të tjera me miqtë dhe kolegët. Është fitues i mbi 15 çmimeve të ndryshme ndërkombëtare. Në vitin 1987 i jepet titulli “Piktor i Merituar”. Punimet e tij janë ekspozuar në Bienalen e Egjiptit, Kinë, Itali, Vietnam, Algjeri, Francë, Gjermani, Angli etj. Vepra të tij gjenden sot në koleksionet private të të gjitha kontinenteve. Po ai njihet krahas tyre edhe si ilustruesi i Abetareve të fëmijëve nder vite si dhe i librit “Tregime të moçme Shqiptare”.
 
Një adhurues i artit të Fajës shkruante një koment poshtë një shkrimi të paradokohshëm mbi Agimin: ”Agim Faja do të mbetet i paharruar për mua, sepse atë vit që mbarova abetaren dhe lexoja tabelat e dyqaneve, me dhuruan një libër të ilustruar, që titullohej “Tregime të moçme shqiptare”.
 
“Muji dhe Halili”, Zana e Bjeshkët e Namuna vijnë nga dora e Mitrush Kutelit, me portretet e autorit të ilustrimeve, piktori Agim Faja”...Dhe unë ndoshta jo pa qëllim e përmenda fëmijërinë kur e kam njohur këtë piktor të shkëlqyer dhe njeri fenomenal...
 
Ndoshta se më pëlqente sadopak të përfitoja nga adhurimi i mikut të tij turk, për këtë diell që ndriçon edhe sot mbi piramidën e artit tonë...
 
*Shkrimi i parapërgatitur për botim 2 ditë më parë
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel