Agjencia e Pronës,gati vlerësimi
i vendimeve të vitit 1996

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njoftoi dje se ka përfunduar procesin e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1996, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe i ka bërë publike ato në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare nr.41 datë 18.12.2017, si dhe në faqen zyrtare të ATP-së në internet www.atp.gov.al.

Në përfundim të procesit të verifikimit të vendimeve të administruara pranë arkivës së ATP-së, u identifikuan gjithsej 4.877 vendime të vitit 1996, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të dhënat lidhur me numrin e vendimit, gjeneralitetet e subjekteve të shpronësuar, sipërfaqja e njohur për kompensim, vlerësimi financiar përkatës apo mangësitë në dokumentacion dhe problematikat në vlerësim, jepen të detajuara në regjistrin që publikohet në fletoret zyrtare ose në faqen e ATP në internet.

Aplikimi
Subjektet, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar të vitit 1996 të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë dhe mund të paraqiten të aplikojnë për kompensim pranë ATP-së, duke plotësuar dhe paraqitur dokumentacionin e kërkuar sipas Formularit nr.1, bashkëlidhur VKM-së nr.223, datë 23.03.2016, për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar.

Ankimimi
Ndërkohë, të gjithë subjektet e interesuar kanë të drejtë të ankohen kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATP-ja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit.

Po kështu, të gjithë subjektet, të cilët evidentojnë mangësi në dokumentacion dhe problematika në vlerësim në regjistrin e vendimeve të vitit 1996, të bërë publik nga ana e ATP-së mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.

Afatet
Në rastet kur subjektet e interesuar nuk sjellin dokumentacion të nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit brenda afatit 6 mujor nga data e publikimit të regjistrit, si dhe në rastet kur ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon, vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht sipas parashikimeve ligjore.

ATP ka njoftuar të gjithë subjektet që për çdo informacion apo paqartësi lidhur me të dhënat e publikuara në regjistër, apo që nuk i gjejnë të publikuara në të, mund të paraqiten pranë sporteleve të Agjencisë për sqarime dhe informacion më të detajuar.

Procesi
Gjithashtu, ATP së shpejti do të përfundojë dhe procesin e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1997 dhe në vijim sipas rendit kronologjik do të vlerësohen të gjitha vendimet, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Me përfundimin e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të vitit 1996, numri total i vendimeve të viteve 1993 – 1996, që kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe që janë vlerësuar financiarisht e publikuar nga ATP, është 15.856 vendime.

ATP, nga hyrja në fuqi e Ligjit nr.133/2015 e deri më tani, ka përfunduar vlerësimin financiar për 61% të të gjithë vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit të subjekteve të shpronësuar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Me ecurinë e punës së deritanishme, falë edhe sistemit Web-Gis të implementuar nga ATP, ky proces parashikohet të përmbyllet përpara afatit 3-vjeçar të përcaktuar në ligj për përfundimin e vlerësimit financiar të të gjithë vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen

Iraku drejt legalizimit të abuzimit seksual ndaj të miturve, parlamenti diskuton ligjin që mund të detyrojë 9-vjeçaret të martohen