Shkëmbime replikash mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Posaçme. Fillimisht ishte Rama, i cili në hyrje të podcastit “Flasim” tregoi edhe një ngjarje të ndodhur së fundmi në Kryeministri.

Kreu i qeverisë deklaroi se disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kishin refuzuar të dorëzonin armët kur ishin paraqitur në godinën e qeverisë. Çështjen për të cilën agjentët e BKH kishin shkuar atje, Edi Rama nuk e sqaroi.

“Por unë nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem te bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin patllaken te dera sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës”, tha ndër të tjera Edi Rama.

Në një reagim zyrtar, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaroi se episodi për të cilin flet kreu i qeverisë ka ndodhur më 20 nëntor të këtij viti, kur 3 agjentë të saj shkuan te Kryeministria për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar nga Gjykata e Posaçme për zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

BKH sqaron se “në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit. Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”.

Pas deklaratës së BKH-së, kryeministri u kundërpërgjigj duke thënë se ai nuk i kishte kritikuar për mbajtje pa leje, por për padije etike dhe ligjore që i bënte ata të donin të hynin në Kryeministri me patllake, siç e thonë edhe vetë në deklaratë. Sipas Ramës, ky nuk ishte një rast i veçuar.

Më 12 dhjetor, zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës Kushtetuese u rikthye në detyrë. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Gjykata ka vendosur të merrë në shqyrtim ankimin e Kryeministrit Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra, pasi u mor e pandehur për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, si edhe po hetohet për shkeljet me tenderin për lotin 4 të Unazës së Madhe. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:55
Pas reagimit së SPAK, kundërpërgjigjet Rama: Episodi te Kryeminstria, më i ëmbli, trimoshat e BKH-së shfaqin shpesh boshllëqe etike e profesionale

1765703366_edirama.JPG

Trimoshat e BKH-së shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale.

Kështu u kundërpërgjigj kryeministri Edi Rama pas sqarimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit se 3 agjentë të saj shkuan të godinën e qeverisë më 20 nëntor për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar nga GJKKO ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe se në hyrje të kryeministrisë dorëzuan armët e shërbimit te punonjësit e Gardës pa asnjë debat, ndryshe nga çfarë pretendoi kreu i qeverisë ditën e sotme në podcastin e tij "Flasim".

Kundërpërgjigjia e Edi Ramës pas sqarimit të BKH-së:

"Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re! 

Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë. 

Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale - thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re. 

Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit."

Ora 15:56
SPAK reagon pas deklaratës së Ramës: Hetuesit e BKH mbërritën në Kryeministri për të ekzekutuar masën e pezullimit ndaj Ballukut, iu bindën Gardës dhe dorëzuan armët

1764151631_1750681938bkh.jpg

Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ditën e sotme në podcastin e tij "Flasim" se disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë refuzuar të dorëzojnë armët e shërbimit, bazuar në rregulloren e Gardës së Republikës, kur kanë tentuar të hyjnë brenda Kryeministrisë.

SPAK sqaron se për episodi për të cilin flet kreu i qeverisë ka ndodhur më 20 nëntor të këtij viti, kur 3 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan të Kryeministri për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar nga Gjykata e Posaçme për zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. 

Gjithashtu, në reagim theksohet se "pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale."

Reagimi i plotë:

Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:

Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. 

Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.

E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.