Agron Alibali: Ju tregoj
diplomatin Konica në SHBA

Agron Alibali: Ju tregoj<br />diplomatin Konica në SHBA
Faik Konica si diplomat dhe konstitucionalist: Ky është këndvështrimi i ri që sjell juristi Agron Alibali për rilindasin dhe figurën e shquar shumëplanëshe të botës shqiptare.

Mbështetur në dokumente të panjohura, shumica të shfrytëzuara për herë të parë, përfshirë arkivën e Legatës Shqiptare në SHBA, Alibali paraqet një personalitet jo vetëm me cilësitë, por dhe në "këndvështrimin kundërthënës të tij", siç sintetizon Kadareja; një diplomat që mbahej si ndër më të shquarit në kryeqytetin amerikan, por që vetë ai mendonte se nuk i takonte aradhes së atij profesioni të nderuar e të vështirë.

"Mund të thuhet, ndofta, pa e tepruar, se unë jam themeluesi i lëvizjes kombëtare në Shqipëri, si dhe shkrimtari më i njohur në gjuhën shqipe; por kjo nuk ka të bëjë fare me diplomacinë...", shprehej për vetveten Konica më 1934.

Veprimtaria e Konicës përcillet krahas etapave të themelimit e forcimit të shtetit shqiptar, deri në momentet tragjike të pushtimit fashist. Në këtë drejtim, libri rreket të japë kontribut të veçantë në studimet për historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, dhe të rikthejë vëmendjen sidomos në periudhën kritike kur shteti shqiptar u konsolidua nën Mbretin Zog.

Rëndësi të veçantë në libër paraqet botëkuptimi shtetformues e kushtetues i Faik Konicës, çka paraqet vlera të posaçme aktuale. Kushtetuta është "guri mi të cilin mpshtetet tërë trupi politik i një kombi të tërë", shprehej ai para se të merrte detyrën e diplomatit. Konica mendonte se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me Asamble Kushtetuese, dhe se vendi duhet të kishte parlament me dy dhoma, ku Senati të ishte një forum "me dinjitet të veçantë dhe të nderojë Shtetin". Meritë tjetër e librit të Alibalit është se prurjet e Konicës në këtë fushë të së drejtës jepen krahas kontributeve thelbësore të Sami Frashërit e Mehmet Konicës.

[gallery]20204[/gallery]
Libri trajton gjerësisht dhe rolin e Vatrës si "qeveri në mërgim", marrëdhëniet komplekse midis dy "shokëve të armëve", Konicës e Nolit, raportet e Konicës me koloninë shqiptare në SHBA etj., ku dalin në pah sidomos edhe "dritëhijet" e tij. Në libër shfaqet figura e Konicës si përfaqësuesi informal diplomatik i Kosovës në SHBA, roli i tij thelbësor për shqipen juridike e diplomatike etj. Në fund libri trajton edhe çështjen e bibliotekës së tij të famshme, deri vonë të konsideruar të humbur, si dhe punën për gjurmimin dhe kthimin e kësaj pasurie të çmuar pranë Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë, sikurse e pat lënë amanet vetë Konica.

Në nëntor 2016 libri është vlerësuar me çmimin "Faik Konica" nga Federata Panshqiptare në Amerikë VATRA - THE HEARTH.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre