Ahmetaj: Ligji për turizmin detar
 nxitje për investime serioze

Ahmetaj: Ligji për turizmin detar<br /> nxitje për investime serioze
Shqipëria do të ketë një ligj specifik për turizmin detar. Kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, i cili gjatë një konference mbi studimet master në turizëm, tha se po punohet me Ministrinë e Turizmit për këtë ligj.

“Po punojmë në Ministrinë e Turizmit për turizmin detar. Imagjinoni që Shqipëria ka dalje në det dhe akoma ekonomia e detit nuk kontribuon në zhvillimin ekonomik. Nëpërmjet këtij ligji menduam që jo brenda një dite, por besoj se brenda dy apo tre vitesh atë panoramë bosh që e kemi të detit, pa asnjë varkë, pa asnjë anije, pa asnjë jaht, ta kemi të mbushur nga anijet më të vogla deri te anijet më të mëdha turistike, sepse është zhvillim ekonomik dhe është mikpritje e integruar,” është shprehur Ahmetaj.
 
Sipas tij, ligji për turizmin detar do t’i japë fund mjegullës që ka mbuluar këtë degë të sektorit të turizmit që mund të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë.

“Deri tani ne nuk kemi pasur një ligj specifik për turizmin e detit. Ka një konfuzion. Kushdo nga ju sikur të kishte një anije jahti apo kompanie turistësh detarë, do të ishte konfuz kur të vinte në Shqipëri dhe do të ishte i paqartë ku do ta ndalonte, çfarë taksash do të duhet të paguante, çfarë do i lejohej. Ky ligj do ta heqë atë mjegullën e paqëllimtë por gjithsesi mjegull që ekziston në atë industri dhe do t’u japë mundësinë shqiptarëve apo të huajve ta përdorin detin sipas gjithë rregullave dhe sipas dëshirës,” tha ministri.
 
Po ashtu, Ahmetaj bëri me dije se, miratimi i ligjit “Për Turizmin” ka nxitur interesin e investitorëve për investime serioze në Shqipëri në fushën e turizmit, një prej të cilave është një ofertë zyrtare për një investim rreth 330 milionë euro në jug të vendit.

“Ligji i ri për turizmin ka elementë shumë interesantë. Qeveria ofron pronë publike në bregdet me 1 euro për 99 vite, për investimet e rëndësishme në turizëm. Sot kemi dy interesime serioze zyrtare për investime, të dorëzuara pranë qeverisë. Është një ofertë e integruar për ndërtimin e strukturës akomoduese turistike dhe të një aeroporti low cost në jug, investim që kap vlerën 330 milionë euro”, tha ministri Ahmetaj.

Fjala e Ministrit Ahmetaj
Jo më shumë se para një viti, së bashku me Rektorin dhe ambasadorin Gaiani, zhvilluam një bisedë lidhur me mundësinë që Shqipëria ofron për kualifikimet në fushën e turizmit dhe hodhëm idenë e një programi studimi në këtë sektor, i cili për vetë rëndësinë dhe potencialin që ofron, është një prioritet për qeverinë shqiptare dhe është një prioritet për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
 
Unë gjej rastin të falënderoj Ambasadorin dhe Ambasadën Italiane, që u angazhuan me shumë seriozitet që sot të kemi një program të ri masteri profesional për turizmin në tërësi dhe sigurisht për krijimin dhe zhvillimin e ndërmarrjeve turistike në veçanti. Masteri profesional për ngritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjes në sektorin e turizmit do të jetë një platformë shumë e mirë për formimin e një brezi të ri sipërmarrësish në këtë sektor. Do të jetë një kontribut tejet i vlefshëm, tejet interesant, do të jetë dhe një karrierë jashtëzakonisht e mirë për të gjithë ata studentë që ndërmarrin seriozisht programin dhe do i hyjnë në thellësi detajeve të sipërmarrjes turistike. Natyrisht që në Shqipëri formimi profesional nuk është se ka qenë një tabu por ka qenë një sektor jo fort i zhvilluar ku të gjithë studentët potencialë kanë pasur dëshirë të jenë ekonomistë, juristë dhe sidomos të fokusuar te shkencat sociale në Universitetet përtej degëve profesionale.
 
Zhvillimi ekonomik ka sjellë një sfidë përballë të gjithëve. Po flas jo vetëm për Shqipërinë, është një fenomen rajonal dhe evropian ku studentët kanë dëshirë që të fokusohen përtej degëve profesionale, në degë sociale që e kalojnë 4-vjeçarin apo 5- vjeçarin e formimit akademik të lehtë. Mirëpo sfida e zhvillimeve ekonomike e ka risjellë në vëmendje të politikëbërësve dhe të akademikëve fokusimin te degët profesionale dhe iniciativa e këtij Universiteti për t’u fokusuar në një degë profesionale të turizmit është për t’u përshëndetur dhe shembull për t’u ndjekur.
 
Lajmet për turizmin fatmirësisht janë shumë të mira dhe kur njihen nga ministri i Turizmit, në rastin konkret, nuk është se janë thjesht arritje qeveritare. Pra, të gjitha ato që unë do të desha të ndaja me ju mos i merrni thjesht si një arritje qeveritare por merrini si një mundësi karriere në fushën e turizmit dhe sipërmarrjes së mikpritjes sepse sfida nuk është çfarë arrin një qeveri. Një qeveri mund të arrijë shumë, por gjithsesi karshi pritshmërisë, është gjithmonë shumë më pak. Por, në qoftë se një qeveri e promovon një sektor i cili afron zhvillim ekonomik dhe sipërmarrje dhe përtej sipërmarrjes karrierë për studentë siç ka këtu në sallë dhe si do të ketë pas një viti kur do të marrin diplomat, dhe shpresoj që rektori do të më ftojë sërish jo për të mbajtur një fjalë por për t’i përgëzuar të gjithë ata që do të diplomohen në masterin profesional.
 
Dua të ndaj një statistikë me ju, e cila është shumë e freskët. Para disa ditësh ka dalë raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë, ku flet dhe për statistikat në fushën e turizmit. Unë personalisht ndjek shifrat edhe përditë, për muaj sigurisht, dhe kur shoh ndonjë rënie në import apo ndonjë rënie në eksport, mërzitem. Realisht mërzitem sepse besoj se shifrat janë si tullat për një shtëpi, një tullë plus është një mur plus, një mur plus është një shtëpi plus dhe kjo vlen edhe për ekonominë. Kur shoh shifrat e turizmit, shifrat janë dy shifrore në rritje. Kjo është fantastike. Rritja vjetore është 12% .
 
Pra, më besoni që asnjëherë nuk është mjaft një shifër. Ne kurrë nuk do ngopemi me zhvillimin ekonomik sepse ashtu është krijuar njeriu, ashtu është krijuar shoqëria, ashtu është krijuar dhe pritshmëria e një shoqërie të tërë për zhvillimin ekonomik. Kur shikojmë shifrat dyshifrore për turizmin dhe kur shikojmë iniciativa të kësaj natyre të cilat edhe i paraprijnë domosdoshmërisë dhe kërkesës së sipërmarrjes, atëherë një farë lehtësimi do të duhet ta kemi, krenari do të ishte e tepërt, por një farë lehtësimi të vogël që përveçse ka zhvillim në sektor ka paralelisht dhe një zhvillim e një parapritje të mendjes për të punësuar sipërmarrjen dhe industrinë me mendje të mësuara, të trajnuara, gati për të bërë hapin e mëtejshme.
 
Përse e them këtë? Viti që kaloi ishte një vit shumë i mirë për turizmin. Por, cila është sfida? Në të gjithë anketimet që ne marrim, na vijnë informacione jashtëzakonisht shumë shpresëdhënëse përsa i takon numrit, të ardhurave, përsa i përket ushqimit, përsa i përket kënaqësive qoftë për ushqimin, qoftë për sportin, qoftë për detin, qoftë për malin, qoftë për antikitetin, qoftë për kulturën, qoftë por bio-n, por gjithmonë ka një element i cili na bën të jemi alert, shërbimi. Dhe sfida më e madhe e turizmit dhe e mikpritjes shqiptare është shërbimi. Dua t’i them studentëve që pas një viti master do të jenë mjeshtra, që ne nuk jemi qendra e botës. Ne jemi një rajon ku konkurrenca e turizmit është jashtëzakonisht shumë e madhe. Kemi vende rreth e rrotull shumë të mësuara, shumë të sofistikuara, shumë të bukura që ofrojnë oferta turistike dhe mikpritje fantastike, si Kroacia, Italia, Greqia, Turqia. Pra, mos harroni sfidën dhe garën, ne megjithëse nuk jemi në qendër të botës, konkurrencën e kemi me më të mirët e globit, në turizëm flas, dhe kjo do të na duhet të bëjmë të mendojmë që po, ne kemi një vend të bukur, po, ne kemi një turizëm të lirë, po, ne kemi ushqim fantastik, po, ne jemi të rinj, po, ne jemi mikpritës por, do të duhet të mësojmë se si t’i shërbejmë industrisë në mënyrë që numrat të promovojnë njëri-tjetrin. Mos harroni se e vetmja gjë që mund të rrëzojë industrinë e turizmit është shërbimi dhe armiku më i madh i turizmit shqiptar do të ishte një shërbim i keq ndaj turizmit.
 
Shifrat edhe për vitin tjetër janë shumë inkurajuese. Dua të ndaj me ju një shifër së fundmi që është surprizë për mua por sigurisht që është nga ato statistika që unë i them dhe i rithem edhe për të gjetur forcë të vetja. Këtë vit, sezonin e kaluar, turistët çekë njohën sërish rritje dhe ndërkohë gjatë muajit dhjetor, kemi pasur kontakt me një nga tur operatorët që na tregoi përpjekjen e vet se si numrat e turistëve çekë shkonin nga 14 mijë në 90 mijë të regjistruar sot për sezonin e 2016-ës. Dhe, në qoftë se ne do të ecim me këto shifra, në kuadrin e katër viteve do të kemi dyfishuar numrin e turistëve në vend dhe do të kemi dyfishuar dhe të ardhurat nga turizmi. Sfida është dyfish. E para, kapacitetet, e dyta modestia dhe shërbimi i sofistikuar dhe modest në favor të mikpritjes të të gjithë këtij numri të madh të turistëve.
 
Në anën tjetër, ka një përpjekje shumë serioze nga ana e qeverisë për të pasur një platformë ligjore të plotë dhe ligji i turizimit, i cili u debatua gjatë brenda qeverisë, deri kur u formatua dhe u konsolidua, kaloi në shtator të këtij viti dhe afron përveç strukturimit e konsolidimit të industrisë, afron edhe iniciativa shumë të rëndësishme për ata operatorë të cilët duan të investojnë në sektor.
 
Dua të ndaj dy-tre elementë me ju por, elementi më kryesor është që përsa i përket pronës publike qeveria sot nëpërmjet ligjit ka mundësi të afrojë territore në bregdet apo diku tjetër, në varësi të interesit të sipërmarrjes, me 1 euro për 99 vite. Ka pasur debate e diskutime me operatorët e interesuar, ku më tregonin kostot e blerjes së një toke, përveç vështirësisë për të konsoliduar pronësinë e tokës, e cila mund të jetë fragmentuar në 10 hektarë në gati 1 mijë pronarë, që është një vështirësi më vete. Por, sigurisht që kjo është pjesa e vështirësisë së rritjes gjithashtu. Imagjinoni që menjëherë pas daljes së ligjit të turizmit që afron këtë instrument, 1 euro për 99 vjet për tokë publike, ne kemi dy interesime serioze zyrtare. Për shembull një investim në jug të Shqipërisë, me kërkesë zyrtare në ministrinë tonë, nga një nga kompanitë më të njohura të mikpritjes në botë, më lejoni për arsye kofidence të mos e ndaj emrin akoma. Është bërë një ofertë e integruar rreth 330 milionë euro investim, e integruar me aeroport lowcost turistik në jug të Shqipërisë. Pra, imagjinoni që një lëvizje në legjislacion, një përmirësim imazhi na çon në nivelin tjetër.
 
Po punojmë në Ministrinë e Turizmit për turizmin detar. Imagjinoni që Shqipëria ka dalje në det dhe akoma ekonomia e detit nuk kontribuon në zhvillimin ekonomik. Nëpërmjet këtij ligji menduam që jo brenda një dite, por besoj se brenda dy apo tre vitesh atë panoramë bosh që e kemi të detit, pa asnjë varkë, pa asnjë anije, pa asnjë jaht, ta kemi të mbushur nga anijet më të vogla deri te anijet më të mëdha turistike, sepse është zhvillim ekonomik dhe është mikpritje e integruar. Deri tani ne nuk kemi pasur një ligj specifik për turizmin e detit. Ka një konfuzion. Kushdo nga ju sikur të kishte një anije jahti apo kompanie turistësh detarë, do të ishte konfuz kur të vinte në Shqipëri dhe do të ishte i paqartë ku do ta ndalonte, çfarë taksash do të duhet të paguante, çfarë do i lejohej. Ky ligj do ta heqë atë mjegullën e paqëllimtë por gjithsesi mjegull që ekziston në atë industri dhe do t’u japë mundësinë shqiptarëve apo të huajve ta përdorin detin sipas gjithë rregullave dhe sipas dëshirës.
 
Së fundi, dua t’ju them që të jesh një master profesional për turizmin është shumë ndryshe. E kam menduar shpesh po t’i kthehesha jetës sime mbrapsht a do ta bëja dot këtë që kam bërë. Secili nga ne në moshën time apo më të vjetër e ka këtë dilemë, e shoqëron gjithë kohës derisa del në pension, çfarë mund të bëja po të kthehesha edhe një herë. Është e sigurt që do të vija të bëja një master për turizmin në këtë Universitet.
 
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat