Kryetari i partisë Bashkimi Demokrat për Integrim (BDI), në Maqedoni, Ali Ahmeti deklaroi në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ekzistojnë plane për Shqipëri të Madhe, ndërsa kur Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s, atëherë do ulen tensionet.

Ngjarja në Kumanovë është rezultat i pasigurisë rreth të ardhmes euroatlantike të vendit dhe kjo u jep mundësinë apo justifikimin disa grupeve të shkaktojnë incidente. Kjo ngjarje duhet të rishqyrtohet me pjesëmarrjen e organizatave ndërkombëtare, ndoshta edhe të NATO-s”, deklaroi Ahmeti, bën të ditur televizioni maqedonas Alsat.

I pyetur nëse incidenti mund të reflektohet në marrëdhëniet midis dy bashkësive etnike në vend, Ahmeti tha se “jam i bindur se tensionet do të ulen sapo Shkupi të bëhet anëtare fuqiplotë e NATO-s. Pasiguria dhe mungesa e paqartësisë në integrimet, si dhe në përkushtimin e qëllimeve strategjike, shkaktojnë pasiguri edhe tek shqiptarët. Ftoj vendet fqinje të marrin parasysh stabilitetin në rajon dhe të kontribuojnë në paqen dhe sigurinë me konstruktivitet mbi të gjitha çështjet e hapura”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së Ahmeti tha Shqipëria e Madhe nuk është projekt i shqiptarëve."I jemi përkushtuar Evropës së madhe me kryeqytetin e Brukselit, ku të gjithë, shqiptarë, grekë, serbë, gjermanë dhe të tjerë do të jetojmë mirë”.

Ai shtoi se të gjithë duhet të angazhohen në zgjidhje politike, të vazhdohet me reformat e rekomanduara nga KE dhe të intensifikohet dialogu me Athinën që të hapet rruga për paqe të përhershme, stabilitet dhe siguri, jo vetëm këtu, por edhe në gjithë Ballkanin perëndimor. / ATSH /

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)