Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) ka nisur fushatën “Aftercare 2026”, një nismë që synon forcimin e marrëdhënieve me investitorët e huaj që operojnë në Shqipëri dhe nxitjen e zgjerimit të investimeve ekzistuese.

Gjatë muajit qershor, AIDA do të zhvillojë një seri takimesh derë më derë me kompani me kapital gjerman, italian, austriak, hungarez, hollandez dhe zviceran. Qëllimi është krijimi i një dialogu të drejtpërdrejtë me bizneset, identifikimi i sfidave që hasin në aktivitetin e tyre dhe diskutimi i planeve për investime të mëtejshme në vend.

Programi mbështetet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, si dhe ambasadat e vendeve të përfshira në këtë fazë të fushatës.

Një nga elementët kryesorë të programit është përfshirja e pushtetit vendor. Në këtë kuadër, AIDA ka nënshkruar 12 memorandume mirëkuptimi me bashki në të gjithë vendin, me synim rritjen e koordinimit institucional dhe mbështetjen ndaj investitorëve.

Paralelisht, agjencia do të krijojë edhe një platformë digjitale të dedikuar, e cila do t’u mundësojë investitorëve komunikim në kohë reale me institucionet, raportimin e problematikave dhe ndjekjen e tyre nga strukturat përgjegjëse.

Sipas AIDA-s, programi synon krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm bashkëpunimi me investitorët e huaj, përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e besimit për të nxitur investime të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese në Shqipëri.

Pas takimeve me kompanitë nga gjashtë vendet europiane, programi do të vijojë edhe me investitorë nga shtete të tjera.

Informacioni bazohet në materialin e fushatës Aftercare 2026.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë