ITALI - Ajo është 33 vjeç e lindur në Tiranë, por me një karrierë të mrekullueshme si atlete në Itali. Arjola Deda, e cila në moshën tre vjeçare është përballuar me një problem në retinën e syrit sot është një sportiste mjaft e talentuar si vrapuese e shpejtë apo edhe në kërcim për së gjati. Ajo është shprehur për mediat italiane se 17 vitet e para të jetës së saj të kaluara në Shqipëri kanë qenë mjaft të vështira për shkak të problemit që ajo kishte me sytë.

arjola deda

Arjola është nderuar me tre medalje në pjesëmarrjen e saj në kampionatin Evropian, madje sportistja 33 vjeçare është shprehur se nuk e priste këtë vlerësim.  “Këto tre medaljet nuk i prisja as unë. Tani objektivi i radhës është të vrapoj më mirë duke mbajtur këmbët në tokë, por duke ëndërruar për të fluturuar në kompeticionin në Rio. Viti 2015  do të jetë mjaft i ngarkuar, pasi në Botërorin në Doha (të cilat vlejnë edhe për pjesëmarrjen në lojërat Olimpike) do të përballem me atletët më të mirë.

Megjithatë kam dëshirë të përmbyllë edhe ciklin e studimeve që kam nisur prej 4 vitesh,”-është shprehur sportisja. Arjola ka vijuar duke thënë se ka qenë gjithnjë e lidhur me sportin pasi në vitin 2005 ka qenë basketbolliste dhe në vitin 2012 ka nisur karrierën si atlete, duke bërë që jeta e saj të ndryshonte tërësisht. “Kam mundur ti tregoj vetes se cila isha në të vërtetë. Nuk isha më ajo vajza e ndrojtur, e cila fshihej pas syzeve miopike.

arjola deda

Me sportin kam mësuar të drejtoj veten si dhe ti shoh  gjërat me një sy më të veçantë nga ajo që të jep shikimi. Me anë të sportit, njerëzve dhe kulturës kam arritur të mos më vij turp të përdor një bastun.”-ka vijuar Deda. Ajo mbart shumë ëndrra në sirtar dhe me realizimin e njerës nis menjëherë thurrja e ëndrrës së radhës. Përveç sportit 33 vjeçarja është marrë gjithashtu me intergrimin e personave me probleme me shikimin duke punuar part-time, fakt ky që e ka ndihmuar të përmbyllë të gjithë angazhimet e tjera.

Mesazhi që shqiptarja Deda ka theksuar është: “Duajeni veten duke bërë atë që ju pëlqen më tepër. Mos kini frikë nga ato që keni por ndihmojini të tjetët të mësojnë për gjërat  që nuk dinë. Gjithashtu kam një mesazh për prindërit dhe mësuesit. Mos i lini fëmijët me aftësi të kufizuara të izoluar, por ndihmoni në integrimin e tyre në shoqëri. Të gjithë jemi njësoj, por secili është i ndryshëm për shkak të karakteristikave që zotëron,”-ka përfunduar atletja 33-vjeçare Arjola Deda.

arjola deda

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)