Akademi solemne për
dijetarin e shquar Mahir Domi

Akademi solemne për<br />dijetarin e shquar Mahir Domi
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Akademik Mahir Domit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi një Akademi solemne. Me këtë rast referuan për veprën dhe krijimtarinë e tij profesor Emil Lafe, Mehmet Çeliku, Seit Mancaku, Ethem Likaj, Gjovalin Shkurtaj, Jorgo Bulo, etj.

Profesor Mahir Domi është një personalitet i shquar i shkencës, i arsimit dhe i kulturës shqiptare. Ai lindi më 12 mars 1915 në qytetin e Elbasanit, ku mori mësimet e para në shkollën fillore; shkollimin e mesëm e kreu në Liceun Francez të Korçës, ndërsa studimet e larta për filologji në Universitetin e Grenoblit në Francë (1937-1941). Kthehet në Shqipëri në vitin 1941. Gjatë Luftës II Botërore manifestoi ide antifashiste dhe për këtë u internua në Porto Romano.

M.Domi konsiderohet nga profesor Mehmet Çeliku si vazhdues i denjë i K.Kristoforidhit dhe i A.Xhuvanit. Dijetari i shquar Mahir Domi ishte nismëtar edhe në përgatitjen e Kongresit të Drejtshkrimit si anëtar i Komisionit të Drejtshkrimit; ai u angazhua si mësimdhënës aktiv e titullar i disa lëndëve themelore në auditoret universitare në Shqipëri. Mori pjesë aktive në redaksitë e revistave shkencore kryesore të vendit, si: “Buletin shkencor i Institutit të Shkencave”, “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Gjuha jonë”, drejtoi e realizoi disa botime akademike nga fusha e dialektologjisë (si:“Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, botimi serial “Dialektologjia shqiptare”), botimi serial i studimeve gramatikore, kontribuoi në hartimin e një vargu fjalorësh terminologjikë, të kulturës së gjuhës, madje edhe në botime nga fusha e letërsisë.

Tek ai ka spikatur kontributi i tij i madh në lëvrimin shkencor të gjuhës letrare, si bashkautor dhe bashkëdrejtues a kryeredaktor në hartimin e veprave themelore kodifikuese të shqipes standarde, si: në hartimin e drejtshkrimeve të viteve 1953, 1956, 1967, përfshirë edhe Drejtshkrimin e sotëm të vitit 1973, në hartimin e Gramatikës së Akademisë (Morfologjia u botua si maket në 1971 dhe 1972 dhe si libër më 1976 e pastaj më 1995;ndërsa pjesa e dytë Sintaksa u botua si maket më1976 dhe 1989,si libër në Prishtinë më 1991 dhe në Tiranë si libër më 1997.), në hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” i vitit 1954, në hartimin e “Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe”(1976) e të veprës “Rregullat e pikësimit në gjuhën letrare shqipe(projekt)”(1981).

Domi ka kontribute edhe në fushën e dialektologjisë (“Pyetësor dialektologjik i shqipes”, hartuar së bashku meE.Çabejnë,1955), në “Fjalorin enciklopedik shqiptar”(1985), por edhe në fushë të letërsisë shqipe: ai është bashkautor i vëllimit i të veprës “Historia e letërsisë shqipe”(1983), etj. Mahir Domi ka lënë gjurmë të thella në të gjitha fushat e shkencave albanologjike e filologjike. Ai është ndarë nga jeta 15 vjet më parë, më 19 shtator 2000.

alfabete

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë