Akademia e Shkencave/ Projektligji ende pa miratuar, 10 akademikë kërkojnë zgjedhjet

Akademia e Shkencave/ Projektligji ende pa miratuar, 10 akademikë kërkojnë zgjedhjet

Floresha Dado, akademike

Asambleja e së Shkencave të Shqipërisë ka vendosur të zhvillojë zgjedhjet për kryesinë e re, edhe pse projektligji ende nuk është miratuar nga qeveria.

Konfirmimi për “Shqiptarja.com” vjen nga vet akademikja Floresha Dado, anëtare e përhershme e Asamblesë së këtij institucioni dhe Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike. Në intervistën për “Shqiptarja.com”, akademikja Floresha Dado rrëfen për synimet e mbledhjes që do të mbahet më 10 janar, ku sipas saj do të vendoset “domosdoshmërisht” për zgjedhje të reja, edhe nëse vonon aprovimi i ligjit të ri.

Ka kaluar një vit e gjysmë që Akademia e Shkencave nuk ka as kryetar e as nënkryetar, por është drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Vasil Tole, pas dorëheqjeve të kryetarit Muzafer Korkuti dhe nënkryetarit Gudar Beqiraj.

Ndërkohë, mandati pesëvjeçar i sekretarit Tole skadon më 20 shkurt dhe sipas Floresha Dados: “Akademia e Shkencave pas kësaj mbetet pa të drejtë firme!”. Vonesa e aprovimit nga qeveria për projektligjin e reformimit të Akademisë, që u hartua me kërkesën e kryeministrit Edi Rama, 2 vjet më parë, ka ardhur edhe prej debateve të shumta që nuk kanë reshtur, jo vetëm për draftin në fjalë, por edhe për ndarjen përfundimtare prej Akademisë së Shkencave të instituteve që kishin qenë deri para 20 vjetësh nën varësinë e saj. Prej kësaj ndarjeje, sipas Akademikes Floresha Dado, Akademia e Shkencave “rrezikon të mbetet në një rol honorifik”. Dado sqaron për “Shqiptarja.com” sesi një grup akademikësh prej 10 vetësh, si Floran Vila, Gudar Beqiraj, Petraq Petro, Jani Vangjeli, Kosta Barjaba, Muzafer Korkuti, Anesti Kondili, Bardhyl Golemi, Dhimitër Haxhimihali, Shaban Sinani, i janë drejtuar Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave tre javë më parë me kërkesën për mbledhje dhe më 26 dhjetor anëtarët e Asamblesë kanë rënë dakord për mbledhjen e 10 janarit të këtij viti.

Kërkesa për mbledhjen e Asamblesë iu drejtua më 17 janar Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave, me motivimin se “prej muajit shtator 2017 postet e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Akademisë së, Shkencave janë vakante, për shkak të dorëheqjeve, për t’i hapur rrugë reformës për reformimin e Akademisë së Shkencave dhe mandati i të vetmit anëtar të Kryesisë dhe njëherësh të vetmit funksionar me fuqi juridike si autoritet i Akademisë së Shkencave në drejtimin e brendshëm e në marrëdhënie ndërinstitucionale, Sekretarit Shkencor, përfundon në mbarim të muajit shkurt të vitit 2019 e në çdo rast, me ligjin aktual ose me ligjin e ri që pritet të miratohet, zgjedhjet për Kryesinë duhet të mbahen brenda muajit shkurt 2019”, shkruhet mes të tjerave në kërkesën e shpërmendur. Më tej shkruhet se “Kërkojmë thirrjen e mbledhjes së zakonshme të Asamblesë, brenda datës 10 janar 2019, me rend dite:

1. Shpalljen e datës së zgjedhjeve të reja të Kryesisë, sipas nenit 17 të Statutit të Akademisë së Shkencave. 2. Ngritjen e komisionit zgjedhor të përbërë nga akademikë, të cilët do të administrojnë procesin e shpalljes, kritereve, paraqitjes së platformave dhe të votimit të kandidatëve/teve.”.

Pas kësaj kërkese  kryesia ka aprovuar mbledhjen e zakonshme të Asamblesë së Akademisë më 10 janar 2019, ora 11.00 në sallën “Aleks Buda”  me firmën e Këshilli Ekzekutiv të ASH-së, të përbërë nga:  1-Vasil S. Tole, Sekretar Shkencor, Anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv; 2-Floresha Dado, Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike, Anëtare e Këshillit Ekzekutiv; 3-Salvator Bushati, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore e Teknike Anëtar i Këshillit Ekzekutiv. Në pritje të kësaj mbledhjeje, akademikja Dado rrëfen edhe disa nga pasojat e  vendimmarrjeve të gabuara nga Ministria e Arsimit në pritje të reformimit të saj.

Intervista 

Profesoreshë Floresha, a mund të na thoni se çfarë synon mbledhja e Asamblesë më 10 janar në Akademinë e Shkencave?

-Dhjetë anëtarë të Akademisë kanë firmosur një kërkesë drejtuar Këshillit drejtues që  të bëhet një mbledhje e Asamblesë, ku të diskutohet për datën e zgjedhjeve. Sepse, problemi është këtu, që në fund të shkurtit mbaron mandati i sekretarit të përgjithshëm dhe Akademia mbetet pa asnjë të drejtë firme. Kështu që këta kanë idenë që të propozojnë në Asamble që të shpallim një datë për zgjedhjet. Kjo do të diskutohet në Asamble dhe do të vendoset në Asamble. 

Është shumë e qartë që zgjedhjet janë vonuar, por a ka vajtur projektligji për t’u miratuar nga qeveria. Kur pritet të miratohet ?

-Projektligji që hartoi një grup i drejtuar nga Skënder Gjinushi ka shkuar me kohë në Ministrinë e Arsimit dhe pritet që të miratohet nga qeveria. Qeveria ta kalojë në parlament  dhe pastaj të hyjë në funksion ligji i ri dhe të bëhen zgjedhjet me ligjin e ri.  Mirëpo deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Atëherë, në këtë situatë, kur në fund të shkurtit mbaron mandati i Sekretarit të Përgjithshëm, i cili është i vetmi që ka ngelur, që drejton Akademinë e Shkencave, 10 akademikë propozuan që  të diskutohet ë në Asamble të bëjmë mbledhje me ligjin e vjetër, që të bëjmë zgjedhje të përkohshme apo jo.  Ky është problemi.

Është shkurtuar gjatë kësaj kohe që s’ka pasur drejtues stafi i Akademisë?

-Aty nuk ka çfarë të shkurtohet. Stafi  kryesor janë dy kryetarët e seksioneve, me dy sekretarët shkencorë. Është sekretari i përgjithshëm, kryetari e nënkryetari që në fakt nuk janë akoma. Nuk ka aty staf, se nuk më aty institute që të varen prej nesh. Në një farë kuptimi Akademia e Shkencave është gati si honorifike.  

Ka më shumë se një vit që Qendra e Studimeve Albanologjike e të tjera po quhen Akademi, nga cili ligj e morën titullin akademi këto qendra?

-Ishte një situatë e tillë para zgjedhjeve, kur nisën protestat me çadrat, periudha që u krijua një qeveri teknike. U emërua një Ministre e Arsimit e përkohshme dhe ajo në periudhë që për mendimin tim s’kishte të drejtë të bënë një akt kaq të madh. (bëhet fjalë për ministren e qeverisë teknike të PD-së, Mirela Karabina, në vitin 2017)

Ajo, Qendrën e Studimeve Albanologjike, të cilën ne kërkonim bashkohej me Akademinë e Shkencave, e emëroi Akademi  e Studimeve Albanologjike. U krijuan dy akademi. Ky është një problem që duhet zgjidhur për mua. Ndaj duhen qartësuar këto gjëra, sepse Akademisë së Shkencave duhet t’i ngelet  statusi i drejtimit shkencor.

Kryeministri Rama u përfshi vet në çështjen e reformimit për reformën, si është trajtuar në projektligj kjo çështje?

-Ai dha një opinion për gjendjen e Akademisë së Shkencave, por na vuri detyrë për projektligjin e ri. Unë nuk jam pjesë e grupit të punës. u bë mirë, u bë i keq, le të na thonë. Projektligji ka kohë që është dorëzuar.

Mendoni se do të zgjasin procedurat e aprovimit të këtij ligji?

-Sigurisht që zgjasin. Ndoshta ne duhet të bëjmë zgjedhje të përkohshme me ligjin e vjetër, por të duan pas kësaj le të bëhen sërish. Për këtë mblidhet Asambleja, me propozimin  e dhjetë akademikëve dhe do të diskutohet të bëhen apo jo zgjedhjet me  ligjin e vjetër.

Ka patur pasoja për Akademinë fakti që për një vit e gjysmë është drejtuar vetëm nga sekretari i përgjithshëm?

-Po ka më shumë se një vit që Akademia e Shkencave drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm. Tashmë këtij i mbaron dhe mandati në fund shkurtit, Atëherë kush do të firmosi për Akademinë. I bie që Akademia po shkon drejt shkrirjes pastaj. Kjo është arsyeja që 10 akademikët hartuan një kërkesë drejtuar Këshillit Drejtues,  që të bëjnë një mbledhje asambleje. Ne si këshill jemi të detyruar ta bëjmë këtë mbledhje, përderisa kanë firmosur dhjetë akademikë. Domethënë për çdo problem që dhjetë akademikë mund të firmosim, ne jemi të detyruar që të thërrasim mbledhjen e Asamblesë.

Akademikët që janë vendosur në akademitë-institute, a mbajnë ende lidhje të forta me Akademinë e Shkencave?

-Unë po të jap dy emra konkretë të atyre që janë anëtarë të Akademisë; për shembull Beqir Meta dhe Marenglen Verli, të cilët janë akademikë dhe anëtarë të Asamblesë, si dhe anëtarë të seksionit ku jemi ne tani për tani, në këtë lloj situate ku jemi. Sigurisht që ata marrin pjesë në mbledhje të Asamblesë në të gjitha diskutimet dhe vendimet, në propozimet që bën Asambleja, por ndërkohë ata kanë edhe aktivitetin e tyre në Akademinë tjetër që për mua personalisht emërtimi Akademi ishte një absurditet. Megjithatë Qendrën Albanologjike e bëri Akademi një ministre e përkohshme …. Qendrat kanë gjithë institutet në varësi të tyre, në bashkësinë e tyre, kanë planet e tyre.

Si do të vejë puna, do të ketë dy lloje akademish?

-Problemi është ky, kyçi i kësaj pune është që institutet që përbënin Akademinë e Shkencave u hoqën dhe u shkëputën prej saj dhe Akademia e Shkencave ka ngelur në një farë kuptimi honorifike. Realisht ajo bën aktivitete, bën botime, konferenca, ndërkombëtare e kombëtare, por në varësi direkt nuk kemi asnjë institut.

Ka ngelur vetëm honorifike?

-Po. Në njëfarë kuptimi kështu është. Dhe në fakt jemi përballë presionit se çfarë bënë Akademia e Shkencave. Në fakt unë si kryetare e seksionit nuk urdhëroj dot asnjë njeri. Unë i ftoj në aktivitete, siç ftoj nga universiteti, nga Akademia e Prishtinës, nga vendet që kemi një marrëveshje bashkëpunimi, por varësi zyrtare ata nuk kanë prej nesh. Pavarësisht kësaj, ata që janë akademikë janë anëtarë të Asamblesë, kjo nuk i përjashton nga Asambleja e  Akademisë. Prandaj problemi tani do të zgjidhet me këtë. A do t’i japi një orientim qeveria tani këtij projektligji. O ta miratojë o ta a hedhë poshtë.  Përderisa qeveria nuk ka miratuar projektligjin e ri, jemi të detyruar të bëjmë zgjedhje, sepse nuk ka kush firmos, kujt do t’i drejtohet një institucion që të firmosi, se ne na vijnë shkresa nga ministritë, Kuvendi, nga rajoni.

Ju mendoni se del jashtë loje funksioni i Akademisë në qoftë se nuk do të bëhen zgjedhje?

Po, po. Kjo është situatë. Por sigurisht nuk është mirë të bëhen zgjedhjet pa u miratuar projektligji i ri. Sot sapo morëm një njoftim se projektligji do të kalojë sa më shpejt në qeveri, dhe besoj se kjo do të ndryshojë edhe situatën e diskutimeve të Asamblesë në datën 10 janar. Me sa duket zgjedhjet do të bëhen me ligjin e  ri.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tragjikomiku: 08/01/2019 16:51

    Po pse ka akoma 'akadhemi gjoja shkencash ne arnautistan?!!... Nje vend i mbaruar e i mbushur me zorraxhinj, kriminele, injorante e hajdute, kane akademi?!! Gallata me e madhe qe ka ndodhur ndonjehere ne te gjithe Boten... Nje tufe pleqsh te rrjedhur, vegjetojne duke u zhgrryer neper kolluke e tavolina gjoja se po bejme shkence e jetojne qyl e pa bere asnje gje... Jane thjesht hajdute e matrapaze qe DUHET ti PAGUAJNE shtetit (palo shtet), te gjitha parate qe kane vjedhur gjate afro 70 vjeteve (jo pak, por shume vjet), e me pas DUHET te futen ne burg te gjithe keta horra te paskrupullt.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë