Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi sot dekretin e dhënies së shtetësisë shqiptare akademikut, poetit e prozatorit, eseistit e profesorit të letërsisë, Nënkryetarit të Parlamentit të Kosovës, Sabri Hamiti.
Të pranishëm në këtë ceremoni të organizuar në institucionin e presidencës ishin familjarë dhe figura të rëndësishme të jetës akademike dhe kulturore të vendit si Kryetari i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti dhe akademiku Kolec Topalli, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, studiues dhe përkthyes, mësimdhënës e shkrimtarë, etj.
Në fjalën e tij, Nishani shprehu mirënjohjen dhe nderimin e shtetit tonë për një figurë simbolike të ruajtjes së identitetit kombëtar. "Një mision ky i realizuar përmes veprës së tij të shumanshme mbi 35 vëllime, të qëndresës, intuitës dhe vizionit erudit, në të cilën ideologjia naimiane 'Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar.' është kudo e pranishme. Ndaj të dashur miq, ky dekret bashkon përmbajtjen me formën", tha Nishani.
"Në kontekstin e asaj që bëri elita e Prishtinës nga vitet '70-të e këtej, e cila faktorin shqiptar së pari e shndërroi në faktor kulturor e pastaj në faktor politik në ish-Jugosllavi, në kohë dhe rrethana të vështira, Sabri Hamiti, ky bashkëudhëtar mendimesh, kauzash dhe betejash me Ibrahim Rugovën u shndërrua në njërin prej udhëheqësve të rezistencës shpirtërore, kulturore dhe politike në kapërcyellin e dy shekujve për të gjithë shqiptarët kudo që janë", vlerësoi më tej kreu i Shtetit.
Pavarësia e Kosovës, sipas Nishanit, ishte një projekt madhështor, ideator dhe frymëzues i të cilit është edhe Sabri Hamiti. "Ajo mund të quhet me emrin që meriton - Rilindje moderne shqiptare. Në kontekstin e kësaj fryme Sabri Hamiti, të cilin fati e lëndoi, por e shpëtoi nga plumbat e makinës vrastare të Millosheviçit, ka ndërtuar në bashkëkohësi simbiozën impresionuese të njeriut krijues, të mendimtarit e të veprimtarit politik, që është shfaqur në botën shqiptare, atëherë kur sfidat kanë qenë të skajshme, themelore e ekzistenciale, qëndresë ose zhdukje, i lirë apo i nënshtruar, qysh nga Bogdani e deri te Rugova", shtoi Nishani.
Personalisht, vijoi ai, e shoh Sabri Hamitin, në këtë 65-vjetor të tijin, të konfirmuar nënshtetas shqiptar, të cilin nuk duam t'ia marrim aspak Kosovës, por duam t'u japim të gjithë shqiptarëve legjitimitetin për t'u ndier njësoj krenarë për një vlerë kombëtare."
Pasi mori në dorëzim nga Presidenti Nishani, dekretin e shtetësisë shqiptare, akademiku Sabri Hamiti u shpreh se sot ka marrë nderimin më të madh deri më sot. "Kjo sepse tërë atë që kam mundur të bëj, mendoj që e kam bërë për të krijuar atë që edhe ju e përmendet, njësi shpirtërore dhe kulturore shqiptare. Mendoj që kjo është Alfa dhe Omega, edhe kulturore edhe historike e shqiptarëve që në dy dekadat e fundit promovoi një emancipim të tyre në të gjitha trevat", tha ai.
"Të punojmë aq sa mundemi që shqiptarët siç janë historikisht, gjeografikisht, evropian të jenë edhe politikisht të tillë", tha ai.
/atsh/