Privatizimet e Berishës kanë qenë - të thuash pak – skandaloze gjatë tetë viteve. CEZ-i dështoi, ARMO kaloi në duar të panjohura pas një aventure biznesi pa bereqet, Albpetroli gënjeu të madh e të vogël e nuk u bë fare. Kjo, sa u përket objekteve madhore në pronësi të shtetit, që do të kishin sjellur në arkën e tij fonde të mjaftueshme për të përballuar krizën ku është futur ekonomia e vendit, me rrugë të mbetura përgjysëm, me kredi të këqia bankare masive. Pas këtyre, gjatë tetë viteve është bërë një fushatë e heshtur privatizimi të objekteve më të vogla në dukje, që u janë shpërndarë subjekteve që kanë gëzuar përkrahjen e udhëheqjes politike e ekzekutive, pse jo, ku kanë qenë të pranishëm edhe njerëz të rrethit familjar e miqësor të kryeministrit.

Ditët e fundit ka nisur një sprint final, për të shitur atë çka eksponentët e pushtetit që po ikin nuk do të donin të mbetej në duar të mazhorancës së re, për arsye politike, ekonomike apo thjesht për arsye korrupsioni. Në fakt, ajo që po mësojmë lidhur me bllokimin e Albpetrolit me anë të një marrëveshjeje koncensionare me një privat, shitje të trojeve të reparteve ushtarake në bregdet, etj, duhet të jetë vetëm maja e ajsbergut e privatizimeve të stilit aksham-pazar, kur çmimet ulen aty ku s’mban më.

Kështu psh, sipas burimeve të besueshme në ministrinë e Ekonomisë, firma për kalimin universitetit Luarasi të mjediseve të konviktit të Gjuhëve të Huaja nuk mban datën e djeshme, por ka kohë që është hedhur. Po kështu ka ndodhur e po ndodh me një numër aktedh, për të cilat nuk është e detyrueshme që të dalin në Fletoren Zyrtare që të hyjnë në fuqi, por bëhen efektive me një firmë ministri apo me daljen në buletinin e Prokurimeve Publike, si rasti i shitjes me kile të nëndetësve e helikopterëve.

Në aksham-pazar është përfshirë dhe sipërfaqja prej 10 hektarësh në fushën e Bradasheshit, në mes të një zone industriale të pajisur me infrastrukturë dhe me vendndodhje strategjike. Çmim më i ulët se dhënia për 1 euro në total e këtij trualli me koncension është një dhuratë e paimagjinueshme për dikë, që do të vijojë të jetë i pasur edhe kur të mos i vinë paratë si më parë, nga pozicioni që kishte në shtet. Çmime prej aksham-pazari janë edhe ato të dhënies (faljes) së aktivitetit të Portit strategjik të Durrësit, shitjes së gjithë pajisjeve të terminaleve të tij.

Me këto shitje të vonshme, para se të mbledhë plaçkën, Berisha plotëson kuadrin e tokës së djegur në disa aspekte. Qeveria e ardhshme do të ketë më pak mundësi të rigjallërojë sektorë të ekonomisë, që ka në vëmendje dhe për të cilët ka deklaruar interesimin dhe strategjinë e veçantë të rimëkëmbjes, në rast se këto do të jenë në duar të privatëve të panjohur, ndoshta edhe jo shumë miqësorë. Po kështu, në duar të miqve të pushtetit që ikën mbeten resurse të konsiderueshme, si kromi, bakri, çimentoja, bregdeti, që do të vijojnë të jenë burim i vazhdueshëm fitimi ekonomik, që do të shërbejë edhe si një shtrat i ngrohtë financiar për mbijetesën e opozitës së ardhshme për vitet në vazhdim.

Aktualisht, plangprishësin nuk ka kush ta ndalë në këtë revan për të shitur ç’ka ende në tezgë. Por, në rast se edhe pronari i ri nuk do të mendojë se si të zhbëjë, të paktën, një pjesë toksike të shitjeve të tij të orës së fundit, malli duhet të konsiderohej i ikur duarsh. Shpresojmë të ketë ende rrugë e mjete ligjore për të rikuperuar atë që mund të shpëtohet.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.08.2013
 
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)