Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mes 2 automjeteve rreth orës 11:30 në aksin nacional "Pogradec–Qafë Thanë", në afërsi të fshatit Pojskë, ku si pasojë ka humbur jetën një grua e re dhe janë plagosur katër persona të tjerë.

Për shkak të përplasjes ka ndërruar jetë Elmedina Lloga, 26 vjeçe, banuese në Maqedoninë e Veriut, e cila udhëtonte si pasagjere në automjetin me targa të huaja.

Nga aksidenti kanë mbetur të dëmtuar edhe dy drejtuesit e mjeteve, si dhe dy pasagjerë të tjerë që ndodheshin në automjetet e përfshira në përplasje.

Katër të plagosurit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve zyrtare, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Pogradec–Qafë Thanë”, automjeti me drejtues shtetasin G. H., banues në Korçë, është përplasur me një automjet me targa të huaja, me drejtues shtetasin E. LL., banues në Maqedoninë e Veriut.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasja E. Ll., 26 vjeçe, banuese në Maqedoninë e Veriut, pasagjere e cila ndodhej në automjetin me targa të huaja, si dhe janë dëmtuar drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerët që ndodheshin në të dy automjetet.

Katër të dëmtuarit po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.