Aksident i rëndë në aksin Korçë - Ersekë, në afërsi të fshatit Kamenicë.

Një mjet i drejtuar nga një 76-vjeçar ka përplasur një fëmijë që ka qenë në rrugë duke ecur. 3-vjeçari ka ndërruar jetë. Nga informacionet paraprake, fëmija ka qenë i shoqëruar nga nëna, por goditja ka qenë fatale.

Nëna, 44 vjeçe, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave.

Ndërkohë një banore tregon skenën e trishtë, kur nëna qante mbi fëmijën. Ajo shton se i hodhën ujë e alkool por i mituri nuk po reagonte. Sipas banores kjo është një rrugë problematike pasi edhe më parë janë shënuar aksidente.

“Dëgjova zhurmën. Sapo ikën nga shtëpia ime dhe dëgjova zhurmën që krisi, dy zhurma të mëdha krisën.E dëgjova, erdha në moment këtu, kur pashë fëmija ishte shtrirë në xhade. E ëma po qante mbi fëmijën, e mbuluar komplet me baltë.

Edhe e ndihmuam. I hodhëm ujë fëmijës,i vumë alkool që të marrë frymë, po ai nuk reagonte. Atje ishte edhe drejtuesi i mjetit. Po rrinte me ne, çfarë të bënte? Të tërë aty në kokë ishim.

Drejtuesi i mjetit tha,nuk isha me shpejtësi,nuk e di si më iku. Unë po nuk e pashë nuk dyshoj,çfarë do dyshoj?  Unë nuk isha këtu,e kam shtëpinë lart.

Nëna dhe fëmija po iknin në anë të rrugës. Iknin për në shtëpi, e kanë shtëpinë atje matanë.

Kjo rrugë është gjithmonë problem. Këtu është gjithmonë, janë bërë aksidente. Edhe vjet u bë aksident këtu më këtu më poshtë. Si vjet këtu, një vit atje më poshtë, çdo vit. Duhen bërë pengesa”, tha një banore.

Njoftimi i plotë:

Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Korçë–Ersekë, në fshatin Kamenicë, automjeti tip "Nisan", me drejtues shtetasin Sh. V., 76 vjeç, ka përplasur dy këmbësorë (nënë e bir), shtetasen Sh. M., rreth 44 vjeçe, dhe djalin e saj të mitur, rreth 3 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, në spital ka ndërruar jetë fëmija i mitur, ndërsa shtetasja Sh. M, po merr ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor shoqëruan në Komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin Sh. V., për kryerjen e veprimeve procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë