Dy persona kanë humbur jetën nga aksidentet, ndërsa një është në gjendje të rëndë për jetën.
 
Mbrëmjen e sotme në fshatin Leshnicë në Pogradec, një person ka humbur jetën, ndërsa gruaja e tij ndodhet në gjendje të rëndë pas aksidentit.
 
Sipas policisë, gjatë përplasjes së një zetori me një mjet tip 'Golf' me targa  AA 613 NL ka humbur jetën drejtuesi i zetorit, ndërsa gruaja e tij është plagosur dhe është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Pogradecit.
 
Drejtuesi i Golfit që u përplas me zetorin, Gjergji Ndini u shoqërua dhe po merret në pyetje nga policia lokale e Pogradecit, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve.
 
Nga hetimet e para raportohet se shkak i aksidentit ka qenë errësira në rrugë duke bërë që mjeti tip 'Golf' të përplasej me zetorin ku po udhëtonte çifti.
 
Përplasja ka qenë fatale, pasi zetori ka përfunduar jashtë rruge duke u përmbysur, ndërsa drejtuesi i mjetit tip 'Golf' nuk është lënduar.
 
Ndërkohë që pasdite një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në superstradë në Fushë Mamurras - Milot ku si pasojë ka humbur jetën këmbësori K.M 71 vjeç.
 
Sipas njoftimit të policisë, mjeti tip Benz me targë AA599BN ka përplasur këmbësorin, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
 
Ndërkaq mësohet se drejtuesi i mjetit, 51- vjeçari nga Puka, Nik Nika është shoqëruar në polici për veprimet e mëtejshme.
 
Shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë shpejtësia e lartë dhe errësira në rrugë.

[gallery]19502[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com