Me kamionçinën e rrokullisur në një shpat pylli me pjerrësi të madhe, forcat zjarrfikëse nisën ndërhyrjen për të shpëtuar jetë. Në një postim në rrjete sociale, zjarrfikësja e Gramshit, tregon se fillimisht u shpëtua mësuesja 39-vjeçare Albana Boja. Pas më shumë se një ore përpjekjesh duke prerë pjesë të kabinës së makinës, u nxor edhe shoferi Shaban Kotorri.

Infermierja kishte mbetur në një pozicion tepër të vështirë dhe pavarësisht gërmimeve poshtë kamionit, për fat të keq, zjarrfikësit e gjetën pa shenja jete.

“Ditën e djeshme, shërbimi ynë zjarrfikës u përball me një nga operacionet më të vështira dhe më të dhimbshme në rrugën Gramsh – Poroçan. Një kamion me tonazh të lartë kishte dalë nga rruga dhe ishte rrokullisur në një shpat pylli me pjerrësi të madhe, duke sfiduar çdo përpjekje njerëzore për të fituar kohë ndaj fatit.

Brenda mjetit ndodheshin tri jetë: shoferi, një mësuese dhe një infermiere.

Mes terrenit të ashpër, heshtjes së rëndë dhe minutave që dukeshin si orë, filloi beteja për t’i nxjerrë një nga një. Fillimisht u shpëtua mësuesja dhe u nis me urgjencë drejt spitalit. Më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh të pandërprera, duke prerë pjesë të kabinës mes llamarinave dhe hekurit të shtrembëruar, u nxor edhe shoferi.

Së fundmi, sytë dhe shpresat u drejtuan tek infermierja, e mbetur në një pozicion tepër të vështirë. U gërmua nga poshtë kamionit, me duar që dridheshin nga lodhja dhe zemra që rrihte fort nga shpresa. Por për fat të keq, ajo u gjet pa shenja jete. Një humbje që na preku të gjithëve.

Shërbimi ynë shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta familjes së saj në këtë moment dhimbjeje të pafjalë. Urojmë shërim të shpejtë dhe forcë për dy të plagosurit.

Falënderojmë me mirënjohje banorët e zonës, që u bënë pjesë e këtij misioni njerëzor në një nga ditët më të vështira. Falënderojmë Urgjencën dhe Spitalin e Gramshit për gatishmërinë dhe përkushtimin. Falënderojmë Komisariatin e Policisë Gramsh për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Një përulje e veçantë për djemtë e shërbimit tonë zjarrfikës, që mes rrezikut, lodhjes dhe dhimbjes, qëndruan në këmbë për të mbrojtur jetën”, thotë deklarata.

“Urdhri i Infermierit të Shqipërisë shpreh dhimbjen dhe trishtimin e thellë për humbjen e parakohshme të jetës së infermieres Dëshira Hoxha, e cila u nda nga jeta pas një aksidenti tragjik.

Një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, Dëshira shërbeu për 5 vite me radhë me dinjitet, përkushtim dhe humanizëm ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh, duke lënë pas një shembull fisnik të misionit infermieror.

Në këto çaste të dhimbshme, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët. Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë dhe i paharruar”, thotë postimi.

 

Një ditë pas aksidentit pranë fshatit Bardhaj, shoferi 38-vjeçar u arrestua për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.

 

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Janar, 21:48

    A duhet qeveria t’i druhet protestave të opozitës?