Një grua humbi jetën, ndërsa 5 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas përplasjes së dy automjeteve në superstradën Lezhë-Shkodër. 

Aksidenti ndodhi rreth orës 17:00 në vendin e quajtur kryqëzimi i Blinishtit. Automjeti tip Benz ku udhëtonin 4 persona u godit nga një mjet tip Audi në të cilin udhëtonin drejtuesi i mjetit dhe një person tjetër. Benzi ishte duke udhetuar ne autostrade me shpejtesi 40 km ne orë, për t'u kthyer pak metra më tutje, dhe ky ka qenë momenti kur Audi me shpejtësi 140 km në orë, i ka goditur duke i nxjerrë jashtë rruge. 

Përplasja e mjeteve ka qenë e fortë, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të gruas e cila është identifikuar si shtetasja Fatmira Ndregjoni rreth 50-vjeçe, e cila ishte pasagjere në sedilen e pasme të mjetit tip BENZ. 

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 5 persona të tjerë të cilët janë dërguar me urgjence në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën mjekësore. 

Për të nxjerrë viktimën dhe dy prej të aksidentuarve të cilët lëviznin me mjetin tip Benz është dashur më shumë se 30 minuta, ndërsa kanë ndërhyre forcat zjarrfikëse duke prerë disa pjesë të mjetit për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar.

Vendosja e barrierave në kryqëzimin e Blinishtit ka bllokuar pamjen e drejtuesve të mjeteve, duke krijuar një kthese 90 gradë. Kjo ka bërë që ky vend të kthehet një burim të sigurt aksidentesh.

Vetëm një javë më parë ndodhi një aksident i tillë por fatmirësisht pa viktima. 

Autoriteti Rrugor Shqiptar vijon të heshtë përballë kësaj problematike e cila është ngritur muaj më parë nga media dhe banorë të zonës.
aksident lezhe shkoder
aksident lezhe shkoder
aksident lezhe shkoder
(Foto nga aksidenti në Lezhë-Shkodër)

Njoftimi i Policisë për aksidentin
Më datë 22.09.2016, rreth orës 16.40, në superstradën Lezhë - Shkodër afër kryqëzimit të Blinishtit , ka ndodhur një aksident automobilistik.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimi policor, ambulanca dhe zjarrëfikësja për veprimet e nevojshme në ndihmë të shtetasve të aksidentuar. 

Nga veprimet hetimore paraprake, është konstatuar se janë përplasur mjetet tip Audi me targë AA374AR dhe mjeti tip Benz me targë AA182LZ. 

Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasia Fatmira Ndregjoni 54 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ishte pasagjere në mjetin Benz së bashku me 3 shtetas të tjerë , konkretisht shtetasin S.N., i cili ndodhet në spitalin Rajonal Lezhë për ndihmën e nevojshme mjekësore dhe shtetasin A.N. ( drejtuesi i mjetit ) dhe shtetasen F.N. të cilët janë nisur në Qendrën e Traumes në Tiranë . 

Në mjetin "Audi" udhëtonin shtetasi N.N. i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkoder dhe shtetasi E.N.i cili ndodhet në Qendrën e Traumes në Tiranë për ndihmen e nevojshme mjekësore. 

Grupi hetimor në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com