TIRANË- Kjo e mërkurë ka nisur me një takim përreth një orë në selinë blu, të liderit demokrat Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, një takim mes dy liderëtë të opozitës të bashkuar jo parlamentare që paraprin atë që Basha do të mbajë të enjten me aleatët e partisë.

Këto janë përgatitjet e opozitës për valën e re të protestave antiqeveritare që ka paralajmëruar edhe më herët të nisë në shtator. Por nuk kanë nxjerrë një datë se kur do të nisin këto protesta.

"Lajme të reja mos prisni", tha lideri demokrat në një prononcim për mediat pas takimit me Kryemadhin. "Protesta ka pasur, do të ketë dhe do të jenë gjithmonë e më të fuqishme", shtoi kryedemokrati.

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nuk dha detaje se si do të jetë plani anti-qeveritar i opozitës për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.

"Aksioni i opozitës do të vazhdojë, i drejtpërdrejtë, i mirëfilltë siç ka qenë, të zgjojmë çdo qelizë të shqiptarëve. Votimet e 30 qershorit treguan se 85% e shqiptarëve nuk e duan Ramës, urrejtja që bëjnë shqiptarët çdo ditë kur nuk kanë ujë në çezmë, kjo është protestë, shqiptarët protestojnë çdo ditë", tha Kryemadhi.

Çka kryetari i Partisë Demokratike risolli në vëmendjen, ishin akuzat e vjetra të opozitës për koncensionet përmes partneritetit privat-publik njohur si PPP për ndërtimin e dy rrugëve të denoncuara edhe më herët nga opozita:  Atë Milot-Balldren dhe Vlorë-Orikum. Njëjtë siç ka deklaruar edhe më herët, Basha tha se do t'i anulojë këto koncensione dhe do t'i kthejë paratë shqiptarëve.

"Ka disa çështje të mprehta që dua t’i sjell në vëmendjen tuaj. Skandali që ka plasur me dy koncesionet e hajdutërisë të ashtuquajtura PPP të Milot – Balldre dhe Vlorë – Orikum, kërkon vëmendjen maksimale të mundshme edhe nga ju si gazetarë. Bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive. Tek Milot – Balldre duan të bëjnë shqiptarët të paguajnë një çmim deri në 5 herë më të lartë se çmimi real. Të vjedhin me një të rënë të lapsit, me një firmë, 200 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë. Një shumë jo e vogël planifikohet të vidhet me Vlorë – Orikum. Ka një analizë të plotë të dëmit ekonomik që i sjell buxhetit të shtetit, pra, parave të shqiptarëve dhe në momentin që është bërë kjo analizë, siç e keni e parë është përshpejtuar procesi i rrëzimit të dekreteve të Presidentit Meta dhe futja e përshpejtuar e këtyre dy koncesione për t’i rimiratuar në atë që tashmë është fare e qartë, noteri i hajdutërisë, Landfilli i Republikës. Ky nuk heq dorë nga grabitja dhe vjedhja, nuk ka plan tjetër, as ky njeri, as kupola e tij, përveç vjedhjes dhe grabitjes së shqiptarëve. S’ka asnjë politikë, nuk ofron asgjë tjetër përveçse të vjedhë sa të mundet, deri në çastin e fundit që është aty. 

E dyta, që është fare e qartë, është se kjo ndërtesa që ndodhet prapa selisë tonë, që duhet të ishte vendi ku kontrollohet, frenohet dhe kufizohet pushteti, është kthyer në një noter të hajdutërisë. Kësaj shqiptarët i thonë me një metaforë “vjedhje me ligj”, ligji po bëhet për të vjedhur, po bëhet që ata që kanë firmosur këtë vjedhje të mos shkojnë para drejtësisë, të mos shkojnë në burg. Siç do të shkonin në çdo vend tjetër normal. Kjo vërteton atë që kemi thënë prej kohësh që me Edi Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë as zhvillim, as mirëqenie, as punësim, por do të ketë vetëm vjedhje dhe grabitje.

Ndaj sa më shpejt ta largojmë këtë qeveri dhe këtë kryeministër hajdut, që përdor atë që duhet të ishte institucioni kryesor i përfaqësimit të njerëzve thjesht si një noter i hajdutërie, aq më mirë do të jetë për njerëzit, aq më shpejt mund t’i kthejmë këto para në investime që hapin vende pune, që ndihmojnë të varfrit, të pamundurit dhe që nxjerrin vendin nga kriza e thellë ekonomike që ka pllakosur vetëm dhe vetëm për shkak të grabitjes dhe vjedhjes nga kjo qeveri. Ky është një nga shqetësimet kryesore të kësaj jave. Natyrisht nuk është asgjë e re por jemi të vendosur ta denoncojmë deri në fund këtë aferë. Sikundër të mbajmë shënim këdo që bëhet pjesë e kësaj skeme pandëshkueshmërie dhe vjedhje, qofshin këta pseudodeputetë, qofshin prokurorë apo punonjës të drejtësisë. Një gjë është e sigurt, nuk kanë për t’i marrë dot këto para të shqiptarëve, nuk kanë për t’i gëzuar dot qindra milionë vjedhje. Sepse një nga zotimet kryesore të opozitës, të Partisë Demokratike dhe të miat personalisht është anulimi i çdo pseudo PPP-je dhe koncesioni korruptiv, ndjekja e parave të shqiptarëve kudo ku ti kenë marrë dhe kudo ku ti kenë çuar, qofshin oligarkët që kanë përfituar këto PPP, qofshin politikanë të korruptuar që ia kanë dhënë, konfiskimin i tyre dhe rikthimi i tyre tek qytetarët shqiptarë", tha Basha.