Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. RIVJEN “VOX BAROQUE”/ “AMOR, FE Y LOCURA” NË TIRANË
Në kuadër të edicionit të 13-të të festivalit “Vox Baroque”, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë programin “Amor, Fe y Locura” (Dashuri, Besim dhe Çmenduri), kushtuar muzikës baroke spanjolle. Në skenë do të ngjiten Susanna Crespo Held (mezzo-soprano), Amaya Fernández Pozuelo (klaviçembal), Maru Rivas (kërcimtare) dhe Cecilia Veçhio (regjisore). Programi ndërthur muzikën, kërcimin dhe teatrin, duke rikthyer atmosferën e një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së muzikës. Koncerti do të mbahet nesër në orën 20:00, në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë.
2. FESTIVALI FOLKLORIK “BILBILAT E LABËRISË” NË TEPELENË
Tepelena do të mirëpresë edicionin e tretë të Festivalit Folklorik “Bilbilat e Labërisë”. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë ansamble dhe grupe folklorike nga trevat shqiptare, të cilat do të sjellin këngë, valle dhe tradita të pasura popullore. Festivali do të zhvillohet nesërnë orën 18:30, në Sheshin “Bajron” të Tepelenës.
3. 82-VJETORI I NGJARJEVE TË ÇAMËRISË NË SHESHIN “SKËNDERBEJ”
“Kujtesë, Drejtësi dhe Identitet” është veprimtaria përkujtimore, që do të zhvillohet me rastin e 82-vjetorit të ngjarjeve të Çamërisë, nesër në orën 18:00, në Sheshin Skënderbej. Programi përfshin ekspozitë tematike, dokumentar historik, prezantim të etnografisë dhe veshjeve tradicionale çame, reflektime nga studiues e historianë, interpretime artistike si dhe një kënd libri me botime kushtuar Çamërisë.
4. EKSPOZITË FOTOGRAFIE, SHQIPËRIA NË SYTË E AUSTRO-HUNGAREZËVE
Ekspozita “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” do të çelet te Muzeu Arkeologjik në Durrës, sot në orën 19:00. Përmes fotografive të rralla, dokumenteve e materialeve arkivore, ekspozita sjell një Shqipëri të një kohe tjetër: qytete historike, peizazhe mahnitëse, monumente kulture dhe jetën e përditshme të shqiptarëve në prag të krijimit të shtetit modern.
5. NATA E KOMPOZITORËVE TË RINJ TE HOLLI KONCERTOR I TKOB-IT
Një mbrëmje kushtuar krijimtarisë së re shqiptare, ku talenti dhe imagjinata e studentëve të Degës së Kompozicionit të Universitetit të Arteve marrin jetë në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në koncertin që do të mbahet sot në orën 20:00.
Publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë vepra origjinale të kompozuara nga studentët: Rei Kita, Fabio Jaupaj, Niko Boci, Justinian Kissi, Erind Bajo dhe Ditmir Mati. Një mbrëmje që sjell në skenë tingujt e freskët të muzikës shqiptare dhe vizionin artistik të brezit të ardhshëm të kompozitorëve.
Komente








