Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “NATA ÇAME NË VLORË”, KONCERT, ARTIZANAT, GATIME DHE TRADITË

 “Nata Çame në Vlorë”, një aktivitet që synon të sjellë në vëmendje kulturën, traditat dhe vlerat e krahinës së Çamërisë do të mbahet sonte në orën 20:00 në sheshin “Çamëria” te Kinemaja Verore në Vlorë. Pjesë e mbrëmjes do të jenë muzika dhe aktivitetet artistike, ndërsa artizanët janë ftuar të ekspozojnë punimet e tyre dhe amvisat e krahinës të prezantojnë gatimet tradicionale çame.

2. “FESTIVALI I DRITAVE” NË DURRËS, PËR HISTORINË E TË ARDHMEN

Për tri net me radhë, nga sonte deri më 19 gusht, Durrësi do të kthehet në një skenë të artit, muzikës dhe dritës me “Festivalin e Dritave”, që do të mbahet në sheshin “Liria” prej orës 20:00 deri në mesnatë. Për të pranishmit do të prezantohet një program që ndërthur historinë dhe të ardhmen e qytetit përmes performancave muzikore, valleve popullore dhe kërcimit modern, kuartetit të harqeve, shfaqjeve akrobatike, videove dhe fotografive të Durrësit të vjetër.

3. “FESTA E ISHMIT” NË KALANË E DURRËSIT, PREZANTOHEN TRADITA

Tradita, shijet e zonës dhe takimi mes brezash do të jenë në qendër të “Festës së Ishmit”, që do të mbahet sot në orën 19:00 në Kalanë e Ishmit në Durrës. Qytetarët mund të bëhen pjesë e një mbrëmjeje ku do të prezantohen produktet e zonës, gatimet tradicionale dhe punimet artizanale, të shoqëruara me muzikë dhe aktivitete artistike.

4. “FESTA E KËNGËS” KTHEHET NË PËRMET ME ENERGJI DHE EMOCIONE

“Maratona e Këngës” kthehet në Përmet me një program të konceptuar si një festë e muzikës, energjisë dhe emocioneve, duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun. Aktiviteti mbahet sonte në orën 20:30 në sheshin “Abdyl Frashëri”.

5. “FESTA E TAKIJES” NË DIVJAKË, KONCERT ME ANXHELA PERISTERIN

Divjaka vijon festimet verore me “Festën e Takijes”, një aktivitet që ndërthur muzikën live, traditën dhe argëtimin. Pas mbrëmjes së parë me artistë të zonës, nata e sotme do të sjellë në skenë në orën 21:00, në sheshin qendror të Divjakës, këngëtaren Anxhela Peristeri, në një koncert të hapur për publikun.

6. “HIMARA INTERNATIONAL MUSIC FESTIVAL” NË EDICIONIN E PESTË

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës në Himarë (Himara International Music Festival) shënon 5-vjetorin e tij me një edicion të ri nga 18-23 gusht, duke sjellë në qytetin bregdetar një kalendar të pasur muzikor dhe artistë vendas e ndërkombëtarë.

7. “SUNSET CINEMA”, FILMA NË QIELL TË HAPUR TE LIQENI I TIRANËS

Kinemaja kthehet nën qiell të hapur me “Sunset Cinema”. Në datat 18 dhe 19 gusht, publiku do të mund të ndjekë filma familjarë në sheshpushimin e teatrit veror “Mirush Kabashi”, në Parkun e Madh të Liqenit të Tiranës.

8. “FESTA E KËNGËS” DHE “VELIPOJA FEST” NË SHKODËR DHE VELIPOJË

“Festa e Këngës” do të sjellë vijë sonte në Shkodër, duke sjellë në skenë Irma dhe Eranda Libohovën, Dea Hysenajn, Salabeg Band, Eli Fara dhe Aurel Thellimin. Ndërsa nesër, më 18 gusht do të mbahet “Velipoja Fest”, ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë një mbrëmje muzikore me pjesëmarrjen e Mukades Çangës.