Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I MUZIKËS FOLKLORIKE NË TIRANË
Nga data 14 korrik prej orës 20:30 deri më 16 korrik, Teatri i Hapur “Mirush Kabashi” do të mirëpresë Ferstivalin Ndërkombëtar të Muzikës Folklorike në Tiranë (International Folk Festival Tirana 2026), ku grupe folklorike nga vende të ndryshme të botës do të sjellin në skenë muzikën, vallet dhe kostumet tradicionale. Për tre net me radhë, festivali synon të promovojë dialogun mes kulturave dhe të përcjellë vlerat e trashëgimisë folklorike përmes një atmosfere festive.
2. JAVA KULTURORE FRANCEZE, AKTIVITETE NË TIRANË DHE SHKODËR
Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nga 12 deri më 24 korrik zhvillohet Java Kulturore Franceze 2026 në Tiranë dhe Shkodër. Programi përfshin koncertin e DJ Voiski, mbrëmje poetike dhe letrare me Ema Andrean dhe Sinan Lilën, performancën “Mission Roosevelt” nga Tony Clifton Circus, aktivitetin interaktiv “Wall for All” me artistin Benjamin Locatelli, projeksione në ambient të hapur të tre veprave të Baletit të Operës Kombëtare të Parisit, si dhe koncertin përmbyllës të grupit francez Nouvelle Vague.
3. “KËTË HERË NUK NDEZA NJË QIRI”, EKSPOZITA E RENID TOSUNIT
Dashamirët e artit bashkëkohor mund të vizitojnë ekspozitën personale “Këtë herë nuk ndeza një qiri” të artistit Renid Tosuni, e cila vijon në galerinë “Bazament Art Space” në Tiranë deri më 13 gusht. Ekspozita prezanton një seri punësh bashkëkohore që trajtojnë reflektime personale dhe artistike.
4. “HAPËSIRA NDËRMJET”, EKSPOZITA TE QENDRA KULTURORE “TULLA”
Në Qendrën Kulturore Tulla në Tiranë është e hapur deri më 26 korrik ekspozita “Hapësira ndërmjet” (The Space Between) e artisteve Elsaida Musiq dhe Elsamina Musiq, e kuruar nga Pediona Dautaj. Përmes veprave që trajtojnë kujtesën, teknologjinë, identitetin dhe përkatësinë, ekspozita eksploron marrëdhënien mes ngjashmërisë dhe individualitetit.
5. “VUOTO”, EKSPOZITA E KRIST DIMOS NË GALERINË E TIRANËS
“Vuoto”, ekspozita e artistit Krist Dimo vijon të qëndrojë e hapur deri më 23 gusht në Galerinë e Artit në Tiranë. Ekspozita paraqet një përzgjedhje veprash të viteve të fundit të autorit, që eksplorojnë dimensionet emocionale dhe psikologjike të përvojës njerëzore.
Komente











