Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERTI INSTRUMENTAL “HARMONI EUROPIANE” NË GJIROKASTËR

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Youth Orchestra) e udhëhequr nga dirigjenti dhe pianisti Desar Sulejmani me mbi 75 muzikantë të rinj nga rajoni dhe Europa do të performojë në Pazarin e Gjirokastrës nesër në orën 20:00 koncertin “Harmoni europiane”.

2.“TINGUJ MES TOKËS DHE DETIT” NGA AULON NAÇI NË PORTO PALERMO

Kompozitori dhe pianisti Aulon Naçi sjell nesër në “Porto Palermo Festival” një performancë dinamike, ku muzika  dhe atmosfera e festivalit krijojnë një eksperiencë të veçantë. “Tinguj mes tokës dhe detit” është një koncert recital dhe performancë muzikore nga Naçi, ku artisti ndërthur meloditë e ndjera të pianos me bukurinë e natyrës dhe muzikën e filmit, duke krijuar një atmosferë unike buzë detit.

3. “SOLAR MUSIC FESTIVAL”, KËRCIM DHE MUZIKË NË SARANDË

“Solar Music Festival” kthehet në Sarandë për një tjetër edicioni më 14 dhe 15 gusht, duke bërë bashkë të pranishmit përmes muzikës dhe kërcimit.

4. “FESTË N’SHPI”, NESËR NË SHESHIN “GJERGJ KASTRIOTI” NË LEZHË

“Festë n’shpi” është koncerti që do të mbahet në sheshin “Gjergj Kastrioti” në Lezhë nesër në orën 20:00 e ku do të interpretojnë këngëtarët Ardit Çuni dhe Kida.

5. “VAJZË FEST” SJELL PËR TRE DITË TEATËR, HUMOR, ART E SPORT

“Vajzë Fest” do të zhvillohet nga 14 deri më 16 gusht 2026 në fshatin Vajzë të Bashkisë Selenicë. Ky festival 3-ditor përfshin shfaqje teatri, humor, poezi, aktivitete sportive, ecje në natyrë, si dhe mbrëmje muzikore me artistë të njohur, përfshirë grupin Ëest Side Family në natën e mbylljes.

6. “SANFEST” RIVJEN NË RRJOLL TË VELIPOJËS ME ARTISTË TË NJOHUR

“Sanfest” kthehet në Rrjoll të Velipojës në Shkodër nga 14 deri më 16 gusht. Artistë të njohur do të sjellin për të pranishmit ritëm dhe muzikë.

7.“GUSHT E N’FEST”, TRE NETË PLOT MUZIKË E FESTIME NË GRAMSH

“Gusht e n’Fest” rikthehet për tre netë plot muzikë, energji dhe emocione në Gramsh. Aktiviteti do të mbahet në fushën e sportit “Mentar Dyrmyshi” në Gramsh më 14, 15 e 16 gusht, çdo natë, duke filluar prej orës 20:00.

8. “FEST FOLK 2026”, ANSAMBLI KOMBËTAR VAZHDON TURNEUN NË VEND

Pas ndalesave në Sarandë, Laç dhe Durrës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon turin në qytete të ndryshme të Shqipërisë me “Fest Folk 2026”. Sonte ansambli do të jetë në Vlorë e më pas, deri më 24 gusht edhe në Vajzë, Berat dhe Fier.