Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. LEGJENDA E MUZIKËS ELEKTRONIKE, BLACK COFFEE NË TIRANË
Legjenda e muzikës elektronike, Black Coffee, vjen në Tiranë me një koncert që do ta mbajë mbrëmjen e sotme në pistën e atletikës në Liqenin Artificial. Fitues i çmimit Grammy dhe një nga emrat më të vlerësuar në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike, Black Coffee njihet për tingullin e tij të thellë, të ngrohtë dhe emocional.
2. JAVA ITALIANE, KONCERT NGA MARIO VENUTI E SHFAQJE KUKULLASH
Java Kulturore Italiane vijon me një sërë aktivitetesh. Nesër në orën 19:45 do të mbahet një koncert nga Mario Venuti te Marina Orikum në Vlorë, një koncert që shënon një udhëtim të pasur artistik përgjatë mbi 30 viteve të karrierës së Venuti-t, ku publiku do të ketë mundësinë të përjetojë nga sukseset e skenës së Sanremos deri te këngët ikonike që kanë shoqëruar verat italiane dhe kanë mbetur pjesë e kujtesës muzikore mesdhetare. Ndërkohë në Teatrin e Kukullave në Tiranë, nesër nga ora 16:00 deri në orën 18:00 do të mbahet një shfaqje tradicionale e teatrit sicilian të kukullave që sjell një episod nga “Orlando Innamorato”, me titull “Mashtrimi i Angelikës”.
3. EDICIONI I PESTË I FESTIVALIT TË LULEVE, FESTË NË VLORË
Festivali i Luleve do të mbahet në Qendrën Historike të Vlorës më 5 e 6 qershor. Aktiviteti shënon edicionin e tij të pestë dhe do të sjellë argëtim për fëmijët dhe atmosferë festive.
4. UNUM FESTIVAL/ NGJARJA E MUZIKËS ELEKTRONIKE NË SHËNGJIN
Emra të njohur ndërkombëtarisht të muzikës elektronike, si &ME, Ricardo Villalobos, Ben Klock dhe të tjerë do të jenë pjesë e UNUM Festival, që mbahet nga 4 deri më 8 qershor në bregdetin e Shëngjinit. Risia për vitin 2026 është një skenë e katërt sekrete, me performanca të paparalajmëruara nga artistë të njohur dhe talente të reja ballkanike, që do të zhvillohet në lokacione të ndryshme brenda festivalit.
5.FESTA E MIDHJES NË KSAMIL, SHIJE DHE ATMOSFERË FESTIVE
Deti sjell shijen e tij më të mirë në Festën e Midhjes në Ksamil më 5 e 6 qershor, një aktivitet kushtuar midhjes vendase, gatimeve të freskëta, muzikës dhe momenteve të bukura pranë bregdetit.
6. “SPEKTAKLI I ILUZIONIT” NGA CIRKU KOMBËTAR NË HIMARË
“Spektakli i iluzionit” është shfaqja nga Cirku Kombëtar, që do të mbahet në Himarë nesër në orën 18:00.
Komente











