Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. KONCERT NGA ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH ME FROMHERZ DHE IMERIN
Orkestra Simfonike e RTSH-së ju fton në një mbrëmje koncertore me muzikën e Schumann-it, Mozart-it, Donizetti-t, Verdi-t dhe Puçini-t, nesër, në orën 19:00 në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Koncerti vjen nën dirigjimin e Carl Philipp Fromherz dhe me interpretimin e tenorit Valon Imeri.
2. “TALENT FEST” NË TEATRIN E HAPUR “MIRUSH KABASHI” NË TIRANË
Skena e teatrit të hapur “Mirush Kabashi” në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë do të ndizet sonte nga zërat e rinj dhe performancat live të grupeve muzikore gjatë “Talent Fest”.
3. FESTIVALI “SEQUENZE E FREQUENCE” NË “VILA31 E ART EXPLORA”
“Sequenze e Frequence” është festivali që do të mbahet nga 22-24 maj te Vila 31 x Art Explora në Tiranë, duke sjellë tre ditë me tinguj, vizione dhe krijimtari. Aktiviteti dedikuar gjuhëve elektronike dhe dixhitale, mes improvizimit, kërkimit artistik dhe praktikave ndërdisiplinore që përshkojnë skenën e pavarur italiane dhe ballkanike, ka si drejtor artistik Luca Maria Baldini.
4. “DURRËS N’FEST”, HAPET SEZONI VEROR NË QYTETIN BREGDETAR
Më 23 maj në Durrës mund të bëheni pjesë e një feste të hapur nën qiellin e qytetit me rastin e çeljes së sezonit veror. Ritme, atmosferë, energji pozitive mund t’i gjeni në “Durrës n’Fest” përgjatë bregdetit në bulevardin “Epidamn” nga ora 18:00 deri në mesnatë.
5. NATË NË MUZE PËR FËMIJËT TE MUZEU I SHKENCAVE TË NATYRËS
Këtë të shtunë, në orën 18:00, me rastin e Javës Europiane të Muzeve, mund të bëheni pjesë e një mbrëmjeje magjike për fëmijët tek Muzeu i Shkencave të Natyrës. Ata mund të ndjekin uorkshope edukative e krijuese, si dhe një guidë speciale në muze nën dritën e elektrikëve.
6. “VJOSART FESTIVAL”, FESTË, RITME DHE ENERGJI NË PËRMET
Nesër dhe pasnesër mund të ndiqni nga afër “Vjosart Festival” në Përmet, ku për të pranishmit do të interpretojnë: Sazet e Përmetit, Shkodra Elektronike Dj Damian, Diego Zelka, Amir Samir, Kristi Lamaj etj.
7. “HIRUSHJA”, SHFAQJA PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Hirushja” është shfaqja për fëmijë që do të vijë në skenën e Teatrit të Kukullave këtë të shtunë dhe të dielën në oraret 10:30 dhe 11:30.
Komente











