Russell Crowe është ylli i radhës i Hollivudit që luan një personazh shqiptar. Në filmin e ri “The Get Out”, aktori fitues i çmimit “Oscar” interpreton Manco Kapac, një emigrant shqiptar që drejton prej vitesh një klub nate në Los Anxhelos dhe që vendos të lërë pas jetën në botën e natës pas një sërë ngjarjesh që i ndryshojnë jetën.
Roli i Crowe ka tërhequr vëmendjen edhe të kritikës amerikane. Në analizën e saj, The Hollywood Reporter shkruan se aktori është “vazhdimisht argëtues edhe kur skenari nuk e ndihmon”, duke e cilësuar interpretimin e tij si pikën më të fortë të filmit.
Në histori, Manco është një biznesmen që ka kaluar vite duke drejtuar klubin e tij në zonën e Koreatown. Ai mendon të dalë në pension, por gjithçka përshpejtohet pasi pëson një incident në zemër gjatë një momenti intim me partneren e tij shumë më të re në moshë. Më pas grabitet nga një person i maskuar dhe vendos ta nxjerrë klubin në shitje, duke u përfshirë në një seri ngjarjesh ku ndërthuren krimi, humori dhe keqkuptimet.
Paralelisht zhvillohet edhe historia e një profesori universiteti, i luajtur nga Aaron Paul, i cili bie pre e shantazhit të një polici të korruptuar dhe më pas edhe të një sportelisteje banke, të interpretuar nga Nina Dobrev. Rrugët e personazheve kryqëzohen në një histori që përpiqet të bashkojë thrillerin me komedinë.
Sipas The Hollywood Reporter, filmi merr frymëzim nga autorë si Elmore Leonard, Carl Hiaasen dhe Quentin Tarantino, por nuk arrin zgjuarsinë dhe ritmin e filmave që e kanë frymëzuar. Kritika vëren se shumë prej kthesave të historisë duken të sforcuara dhe se përzierja mes humorit dhe suspancës nuk funksionon gjithmonë.
Megjithatë, interpretimi i Russell Crowe vlerësohet gjatë gjithë filmit. Kritika veçon disa nga momentet më komike të personazhit të tij, si skena ku Manco përpiqet të meditojë për të ulur stresin apo shprehja e tij: “Mos u përpiq t'ia zbardhësh b*thën një shqiptari!”, që përmendet si një nga batutat më të spikatura të filmit.
Në fund, The Hollywood Reporter e përshkruan “The Get Out” si një film argëtues që ka gjasa të gjejë publikun e vet në platformat streaming falë kastit të njohur, por që harrohet shpejt pasi përfundon. Sipas kritikës, arsyeja kryesore për ta parë mbetet interpretimi i Russell Crowe.
Nuk është hera e parë që shqiptarët shfaqen në një produksion të madh hollivudian. Një nga filmat më të njohur mbetet “Taken” me Liam Neeson, ku antagonistët ishin një grup trafikantësh shqiptarë. Në ndryshim nga ai film, “The Get Out” e vendos një shqiptar në qendër të historisë dhe ia beson rolin një prej emrave më të mëdhenj të kinemasë amerikane.
Komente










