Aktorja e Teatrit Kombëtar Anila Bisha, imazhi dhe zëri i së cilës përdoret nga Ministrja virtuale Diella, ngriti një padi më 9 shkurt të këtij viti përmes së cilës kërkon që të dhënat e saj të mos përdoren më nga avatari qeveritar, duke pretenduar dhe një dëmshpërblim 1 milion euro për dëmtim imazhi.
Lidhur me këtë zhvillim ka shkruar edhe media ndërkombëtare Reuters, tek e cila ka folur vetë avokati i aktores.
Teksa pritet që të hënën gjykata të vendosë nëse do ta urdhërojë qeverinë të ndalojë përdorimin e imazhit të Bishës, avokati Aranit Roshi shprehet se “ligji thotë se në rastet e shkeljes së të dhënave personale, gjobat për institucionet shtetërore shkojnë deri në 21 milionë euro, ndaj kërkesa jonë për 1 milion është një shumë e arsyeshme”.
Vetë Bisha thotë se nuk ka dhënë kurrë pëlqimin që pamja e saj të përdorej në atë mënyrë, dhe kjo ka çuar në ngacmime në internet dhe vëmendje të padëshiruar në rrugë.
“Në fillim u habita, buzëqesha dhe thashë se duhet të jetë shaka,” tha Bisha për Reuters. “Tani njerëzit më thërrasin Diella dhe më konsiderojnë si një ministre tjetër të qeverisë.”
“Njerëzit që nuk e pëlqejnë kryeministrin, tani më urrejnë edhe mua”,- shton ajo.
Qeveria mohon se ka përdorur imazhin e saj në mënyrë të papërshtatshme.
“Padia është pa kuptim, por ne e mirëpresim mundësinë për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë në një gjykatë,” tha zyra e shtypit e qeverisë në përgjigje të pyetjeve nga Reuters.
Imazhi i Diellës shfaqet në rreshtin e parë të listës së kabinetit në faqen e internetit të qeverisë, pranë fotografive të Ramës dhe Ballukut.
Përmes një padie në Gjykatën Administrative, Anila Bisha thotë se përdorimi i deritanishëm i imazhit për “Diellën” përbën shkelje të kushteve të kontratës, e cila është nënshkruar vetëm si asistente virtuale për shërbimet në “e-Albania”. Aktorja ka paditur Këshillin e Ministrave, Kompaninë Apel shpk, AKSHI-t dhe kryeministrin Rama.
Kur kryeministri e prezantoi Diellën për herë të parë në shtator 2025, aktorja thotë se është ndjerë tërësisht e befasuar kur ka konstatuar se avatari ishte ndërtuar sipas imazhit të saj.
Komente








