Pas akuzave se ka doktoratë false, drejtoresha e Drejtorisë së Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit, Ejona Isufaj ka paditur në  Gjykatën e Tiranës dhe Prokurori, kërkesën penale për shpifje ndaj: Edmond Vlashaj, përfaqësues i  shkollës së lartë private “Vitrina”;  Aldorin Braho administrator në këtë shkollë,  Pirro Cipo rektor i kësaj shkollë si dhe dy deputetë të Partisë Demokratike,  Genc Pollo e Luciano Boci.
 
Sipas tyre Ejona Isufaj, nëpunëse e lartë e Ministrisë së Arsimit ka diplomë falso.  Pas dorëzimit të padive, ajo ka theksuar se është hedhur baltë ndaj saj pasi studimet i ka kryer në Universitetin e Sienës.  Isufaj i quajti personat e akuzuar për shpifje si, “sharlatan politik që po i bashkohen korit të përbaltjes”.

"Në vitin 2005, unë si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë (ndër ta dhe personalitete të njohura) u regjistrova në një institut për studime pasuniversitare. Mbarova studimet në vitin 2008 dhe në vitin 2012 kur tentova të njëhësoj diplomën time mora vesh që ky institut nuk njihej nga shteti shqiptar. Unë sot i kuptoj më mirë se kushdo tjetër 6000 studentët e Institucioneve të Arsimit të Lartë që humbën licencën. Vetë ata, ashtu si unë dikur, investuan kohën dhe paratë e tyre në një institucion që kryente veprimtarinë në kundërshtim me kuadrin ligjor. Diferenca midis meje dhe këtyre studentëve është se atëherë shteti nuk ishte asgjëkund për të më lajmëruar as për ligjshmërinë e funksionimit, dhe as për ligjshmërinë e mbylljes së institucionit. Ndërsa sot, 6000 studentët kanë shtetin në krah si mbrojtësin e tyre dhe si garancinë që investimi nuk do të shkojë dëm, ndryshe nga imi", ka theksuar ajo.

Drejtoresha e  Drejtorisë së Inspektimit të Ligjshmërisë pranë Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit gjithashtu ka siguruar gjithashtu studentët e prekur nga mbyllja e universiteteve se  do të kenë shtetin në krah për tu sistemuar dhe vazhduar më tej studimet.

FJALA E PLOTE E EJONA ISUFAJ

Sot, paraqita në Gjykatën e Rrethit Gjygjësor Tiranë dhe Prokurorinë e Rrethit Tiranë, kërkesën penale për akuzën e shpifjes ndaj shtetasve: Edmond Vlashaj, Aldorin Braho, Pirro Cipo, Genc Pollo dhe Luçiano Boçi.

Prej disa ditësh kam parë në media dhe ambiente publike një sulm agresiv të pavërtetë dhe fyes ndaj personit tim. Nuk kam dashur të ndërhyj deri në këtë moment për të mos përzier arritjet e Reformës së Arsimit të Lartë me çështjet personale. Por sot iu drejtova organeve kompetente sepse e vërteta duhet të shkojë para drejtësisë dhe jo fjalëve të papërgjegjshmërisë.

Unë jam Ejona Isufaj. Kam studjuar në Universitetin e Sienës, (ndër Universitetet më të mira të Italisë ) dhe jam shume krenare për arritjet e mia.

Në vitin 2005, unë si shumë qytetarë të tjerë të Shqipërisë (ndër ta dhe personalitete të njohura) u regjistrova në një institut për studime pasuniversitare. Mbarova studimet në vitin 2008 dhe në vitin 2012 kur tentova të njëhësoj diplomën time mora vesh që ky institut nuk njihej nga shteti shqiptar.

Unë sot i kuptoj më mirë se kushdo tjetër 6000 studentët e Institucioneve të Arsimit të Lartë që humbën licencën. Vetë ata, ashtu si unë dikur, investuan kohën dhe paratë e tyre në një institucion që kryente veprimtarinë në kundërshtim me kuadrin ligjor.

Diferenca midis meje dhe këtyre studentëve është se atëherë shteti nuk ishte asgjëkund për të më lajmëruar as për ligjshmërinë e funksionimit, dhe as për ligjshmërinë e mbylljes së institucionit.

Ndërsa sot, 6000 studentët kanë shtetin në krah si mbrojtësin e tyre dhe si garancinë që investimi nuk do të shkojë dëm, ndryshe nga imi.

Gjatë gjithë karrierës sime kam punuar me përkushtim dhe ndershmëri në çdo pozicion që kam pasur.

Dhe sot, jam e indinjuar qe përveç sharlatanëve dhe shtetasit të cilët paguhen edhe me taksat e mia i bashkohen korit të përbaltjes.

Unë i përkas një grupi prej më shumë se 40 vetash, punonjës të dedikuar të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit që me përkushtim dhe kurajë morale për 6 muaj orar dhe pa orar, kryem një kontroll profesional në sistemin e arsimit të lartë.

Jam sot, këtu për të çuar përpara drejtësisë shpifjet ndaj meje, me kurajën qytetare që përbaltja ndaj personit tim nuk e cënon procesin e domosdoshëm të reformimit të arsimit të lartë.