Akuza për fshehjen e ndotjes së ajrit në Maqedoninë e Veriut

Akuza për fshehjen e ndotjes së ajrit në Maqedoninë e Veriut

Smogu në qytetin e Shkupit

Në rrugët e Shkupit gjithnjë e më shumë vërehen qytetarë të cilët bartin maska mbrojtëse, për shkak të shkallës së lartë të ndotjes së ajrit. Organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor në Maqedoninë e Veriut, thonë se një pjesë e madhe e pikave matëse, jo vetëm në Shkup, por edhe në Strumicë, Kavadar, Kumanovë, Manastir, Gostivar, Veles, Berovë, Ohër, Tetovë, Gostivar, Gjevgjeli e Koçan, qëllimisht mbeten jashtë funksionit me ditë të tëra, për të kamufluar shifrat enorme për sa i përket ndotjes së ajrit.

“Në shumë qytete të vendit qytetarët nuk janë në dijeni se çka thithin gjatë frymëmarrjes. Sistemi i monitorimit gjatë pjesës më të madhe të kohës mbetet jofunksional dhe vazhdimisht një sensor në stacionet matëse nuk funksionon”, thotë Gorjan Jovanovski, aktivist njëherësh këshilltar në Qytetin e Shkupit dhe krijues i aplikacionit My Air.

Nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë për Radion Evropa e Lirë kanë pranuar se një pjesë e konsiderueshme e pikave matëse, për sa i përket cilësisë së ajrit, është jashtë funksionit.

“Gjatë vitit 2023 kanë ndodhur mbi 120 defekte të natyrave të ndryshme, në instrumente të ndryshme matëse, në të gjitha pikat matëse”, kanë theksuar për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Mjedisit, duke mos dhënë detaje se nëse do të ketë përgjegjësi dhe nga kush për mosfunksionimin e stacioneve matëse.

Organizatat joqeveritare që në fokus kanë ambientin jetësor kanë ngritur dyshimet se mosfunksionimi i stacioneve matëse është i qëllimshëm. Iniciativa O2, më 17 janar, në rrjetin social Facebook ka shkruar se shkalla e lartë e ndotjes së ajrit vjen nga djegiet industriale, të cilat nuk kontrollohen.

“[Fabrika e Çimentos] Usje sigurisht është ndotësi më i madh industrial në Shkup. Tymi i oxhaqeve të larta formon re të errëta që lëvizin mbi qytet. Përveç kësaj, ne nuk e dimë nivelin e dyoksideve dhe furaneve më të rrezikshme, metaleve të rënda, fluorideve të hidrogjenit, klorureve të hidrogjenit që çlirohen në masë më të madhe gjatë djegies së mbeturinave”, thuhet ndër tjerash në postim.

Aty theksohet se në bazë të standardeve evropiane, në hyrje të fabrikës “Usje” duhet të funksionojë stacioni matës, të dhënat e të cilit duhet të jenë të qasshme për opinionin. Problem më vete mbetet dhe mungesa e kuadrit të duhur për monitorimin e ambientit jetësor.

Komunat në Maqedoninë e Veriut kanë të punësuar vetëm nga një inspektor mjedisor, i cili duhet të kontrollojë tërë komunën, ndërsa Inspektorati Shtetëror i Mjedisit punon me gjysmë kapaciteti nga viti 2022 me gjithsej 24 inspektorë në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, nga organizata joqeveritare, Eco Guerila, thonë se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidës më të vështirë, sa i përket përmbushjes së standardeve që kanë të bëjnë me kujdesin për ambientin jetësor, duke vënë theksin në përfshirjen e kuadrit profesional në institucionet e shtetit.

Sipas saj, këtë problem bashkë me organizata të tjera që veprojnë në fushën e mjedisit në Maqedoninë e Veriut, e kanë adresuar edhe në zyrën e misionit të Bashkimit Evropian në Shkup./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë