Kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi i është rikthyer akuzave ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Emërimi në krye të Korporatës energjitike shqiptare (Kesh) të Viola Haxhiademit, ish sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Eneregjitikës, apo dhe përpjekjet, sipas Bardhit për të emëruar në krye të Komisionit të Prokurorimeve Publike, Irma Drobonikun, “e besuara e Ballukut dhe e Haxhiademit”, dëshmojnë se zëvendëskryeministrja “po e përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar në korrupsion. Ky është ndërtim i qëllimshëm i një shteti paralel, për të penguar drejtësinë dhe për të mbytur SPAK-un”, shkruan Bardhi në një status të gjatë në Facebook.

Më 31 Tetor të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme i komunikoi Ballukut akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”, për rastin e tenderit 190 milionë eurosh për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Më 20 Nëntor GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë, për vendosjen e masës së sigurisë “ndalim i lëvizjes jashtë vendit” dhe “pezullim i ushtrimit të detyrës”, pasi zëvendëskryeministrja u vendos nën hetim edhe për një lot të Unazës së Madhe të Tiranës.

Ndërsa Gjykata Kushtetuese pas ankimit të kryeministrit i hoqi asaj pezullimin nga detyra deri në shprehjen me vendim përfundimtar, Prokuroria e posaçme kërkoi autorizim nga parlamenti për arrestimin e Ballukut, e cila ishte vënë në hetim dhe për 6 lotet e tjera të Unazës së Madhe.

Shqyrtimi i kërkesës së SPAK nga ana e parlamentit , është kushtëzuar nga socialistët me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk ka përcaktuar një datë se kur do të shprehet.

Postimi i plotë i Gazment Bardhi:

Belinda Balluku, e pandehur dhe nën hetim për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, po e përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar në korrupsion. Ndërsa Gjykata Kushtetuese zvarrit vendimmarrjen dhe Kuvendi përdoret si alibi për të mos vepruar, Belinda Balluku po e shfrytëzon kohën e blerë për të ndërtuar një shtet paralel, me një qëllim të vetëm: t’u japë garanci shtesë bashkëpunëtorëve të saj nën hetim që të mos flasin.

Shembujt e pengimit të drejtësisë janë flagrantë.

Këmbëngulja e Belinda Ballukut për të vendosur Viola Haxhiademin në krye të KESH-it, pavarësisht se është person nën hetim dhe e implikuar në disa nga aferat më të rënda energjitike, nuk ka asnjë lidhje me performancën apo meritën. KESH është një nyje strategjike e sektorit energjetik, me qarkullim qindra milionë euro fonde publike. Vendosja e një personi nën hetim në krye të këtij institucioni është një akt i pastër kontrolli politik mbi një sektor kritik, në një moment kur hetimet penale po thellohen. Emërimi i një personi nën hetim në krye të KESH-it është mesazh shpërblyes për heshtje dhe bindje.

Po aq e rëndë dhe e qëllimshme është tentativa për t’i dhënë Irma Drobonikut një mandat 5-vjeçar, me votë parlamenti, në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike. Edhe ajo person nën hetim. Edhe ajo e besuara e Ballukut dhe e Haxhiademit. Komisioni i Prokurimeve Publike nuk është një institucion dytësor: ai filtron dhe kontrollon çdo procedurë tenderimi në Shqipëri. Vendosja afatgjatë e një personi nën hetim në krye të këtij institucioni synon të garantojë mbrojtje politike dhe qetësi për rrethin e ngushtë të njerëzve të Belinda Ballukut, të cilët sot ndihen realisht të kërcënuar nga drejtësia.

Këto veprime nuk janë të rastësishme. Ato vijnë pas arrestimit të ish-drejtorit të Drejtorisë së Rrugëve, Ervis Berberi, që mund të bashkëpunojë me SPAK-un. Pikërisht për këtë arsye po tentohet kapja afatgjatë e institucioneve kyçe: për qetësim, për garanci dhe për mbyllje gojësh.

Kjo e bën edhe më të qartë strategjinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut për të blerë kohë përmes Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamentit. Ata nuk po presin drejtësinë. Ata po ndërtojnë mekanizma bllokimi kundër drejtësisë. Ky është ndërtim i qëllimshëm i një shteti paralel, për të penguar drejtësinë dhe për të mbytur SPAK-un.

Në çdo demokraci, kjo quhet kapje e shtetit.
Në Shqipëri, po ndodh para syve të të gjithëve.
Dhe çdo ditë heshtjeje, nga cilido institucion, është bashkëpunim me korrupsionin.